Teksa Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, kërkesë e cila u kundërshtua nga SPAK, për ish-drejtuesin e Lartë të Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi Balluku duhej që të dorëhiqej.
I ftuar në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, ai deklaroi se Prokuroria e Posaçme e ka bindur gjykatën se një zyrtar i lartë ka konsumuar një vepër penale dhe paraqet rrezik për prishjen e provave.
Ai theksoi se në këtë rast nuk ekziston asnjë konflikt juridik që të justifikojë shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese, duke shtuar se argumenti se pezullimi i ministres pengon funksionimin e qeverisë nuk qëndron, pasi për këtë arsye janë zëvendësministrat.
‘Gjykata Kushtetuese ka dy rrugë ose të vrasë drejtësinë ta pushkatojë ende pa u konsoliduar, ose të mbrojë politikën, sepse SPAK është bërë për zyrtarët e lartë. Prokuroria e ka bindur gjykatën që një zyrtar i lartë ka konsumuar një vepër penale dhe është i rrezikshëm për të prishur prova. Kryeministri mund ta shkarkojë, por pezullimin e jep gjykata dhe ku i ka hyrë në pjesë, nëse nuk ka konflikt çfarë duhet që të shqyrtojë gjykata. Nuk ekziston konflikti juridik. Pezullimi i ministres po pengoka shumë gjëra sipas këtyre. Po larg qoftë po vdiq një ministër, si funksionon? Prandaj janë zv.ministrat. Unë them se ajo ishte moralisht e detyruar të dorëhiqej’, tha ai.
Avokati Sokol Hazizaj tha se masat e sigurimit janë marrë ndaj ministres si individ që ushtron funksionin, dhe jo ndaj deputetit në vetvete. Ai nënvizoi se nenet kushtetuese për statusin e deputetit janë të qarta dhe nuk kërkojnë interpretim shtesë.
‘Megjithatë, çështja që lind është se jo të gjitha ankimet dhe kërkesat që i drejtohen Gjykatës Kushtetuese janë domosdoshmërisht të ligjshme apo të sakta, pasi për mua nenet 82, 93 dhe 103, përfshirë edhe dispozitat që lidhen me statusin e deputetit, janë mjaft të qarta dhe nuk kanë nevojë për interpretim kushtetues, për më tepër kur Kuvendit i është dhënë mundësia që të verifikojë në mënyrë vijuese statusin e deputetit dhe kufijtë e imunitetit të tij.
Së treti, ajo që unë konstatoj dhe që mendoj se duhet hapur si debat është fakti që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka marrë një vendim për masë sigurimi ndaj një ministri dhe jo ndaj deputetit si i tillë, duhet ndarë kjo gjë. Unë them se e ka marrë ndaj ministres. Gjykata nuk ka marrë masë sigurimi ndaj deputetit, por ndaj ministrit’, tha ai.
Juristi Rezart Kthupi tha se ligji shqiptar ofron mekanizma për të dalë nga ngërçi që pretendon Këshilli i Ministrave.
‘Problemi thelbësor që shtrohet sot dhe që përbën edhe dilemën më të madhe për Gjykatën Kushtetuese lidhet pikërisht me balancën ndërmjet interesit publik të hetimit penal dhe interesit publik të ushtrimit të funksionit të ministrit. Pyetja që duhet të marrë përgjigje është se deri në çfarë mase duhet të ruhet interesi i hetimit pa u cenuar dhe në çfarë mase duhet garantuar vazhdimësia e funksionit ekzekutiv, si dhe cili prej këtyre dy interesave duhet të prevalojë.
Ligji shqiptar ofron disa mekanizma për të dalë nga ngërçi që pretendon Këshilli i Ministrave. Referimi i bërë sot nga qeveria lidhet kryesisht me emrin e ministrit dhe jo me funksionin, duke pretenduar se pezullimi i një ministri sjell automatikisht pezullimin e punës së qeverisë. Pikërisht për këtë arsye ekzistojnë zëvendësministrat, pasi nëse ministri do të ishte i pazëvendësueshëm, atëherë roli i zëvendësministrit do të ishte i panevojshëm’, tha ai.
Komente











