Industria shqiptare e mbrojtjes synon të zgjerojë prodhimin edhe për tregjet jashtë vendit. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se kompania "Guna Tactical" do të prodhojë uniforma ushtarake jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e rajonit dhe aleatët e NATO-s.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nufi publikoi pamje nga kantieri i kompanisë, ku po realizohet investimi në industrinë shqiptare të mbrojtjes që do të punësojë mbi 1000 persona. 

“Vijon pa ndërprerje puna për funksionalizimin e plotë të kantierit të Guna Tactical - një investim me rëndësi në industrinë shqiptare  të mbrojtjes, i cili do të punësojë mbi 1,000 persona duke gjeneruar të ardhura për familjet e tyre dhe duke ndikuar në komunitet çdo ditë”, u shpreh Nufi.

"Guna Tactical" është një ndërmarrje e përbashkët mes ndërmarrjes shtetërore KAYO dhe kompanisë private MSSC. Aktiviteti i saj përfshin projektimin, prodhimin, tregtimin dhe eksportin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve, kryesisht për Forcat e Armatosura, strukturat e sigurisë, vendet e rajonit dhe aleatët e NATO-s.