Shqipëria do të vazhdojë me projektin e një resorti luksoz të planifikuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trumpit, në një pjesë të izoluar të bregdetit ballkanik, pavarësisht protestave të vazhdueshme për ndikimin e tij mjedisor, tha të hënën për Reuters kryeministri Edi Rama.
Sipas artikullit të Reuters, mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit dhe në bregdetin jugor, ku është propozuar resorti, duke kërkuar anulimin e projektit për shkak të ndikimit që ai mund të ketë mbi një ligatinë të mbrojtur, e cila është habitat për flamingot, fokat dhe vendet e folezimit të breshkave të detit.
Flamingoja është shndërruar në simbolin e kësaj lëvizjeje: protestuesit mbajnë flamingo rozë dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingove”.
Rama nuk është lëkundur nga protestat, shkruhet më tej. Ai i tha Reuters se zhvilluesit do t’i “mahnisin” njerëzit me planet e tyre gjatë muajve të ardhshëm dhe se disa pjesë të resortit mund të hapen për publikun para fundit të kësaj dekade.
“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta realizojmë, dhe do të jemi krenarë që po kontribuojmë për Evropën,” tha Rama gjatë një interviste në zyrën e tij, vetëm pak metra larg vendit ku janë zhvilluar demonstrata të përnatshme kundër projektit, raporton Reuters.
“Jam votuar për t’i bërë këto gjëra realitet. Nuk jam votuar për t’u udhëhequr nga njerëz që kanë një ide tjetër për mënyrën se si duhet të zhvillohet vendi”, është shprehur kryeministri.
Mijëra vetë dolën sërish në rrugët e Tiranës të hënën në mbrëmje, duke kërkuar ndalimin e projektit, por gjithashtu duke shprehur një sërë pakënaqësish ndaj 13 viteve të qeverisjes së Ramës, për të cilat thonë se nuk kanë arritur të zhdukin korrupsionin apo të përmirësojnë shërbimet bazë.
“Po bëhemi gjithnjë e më shumë dhe do të jemi këtu derisa ai të japë dorëheqjen. Jo vetëm për biodiversitetin, por për çdo padrejtësi që përballemi,” tha studenti Albano Lushi.
Ëndrrat e mëdha përballen me kundërshtime
Rama, 61 vjeç, ish-basketbollist dhe artist, i cili mori detyrën në vitin 2013 dhe synon ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, krenohet me rolin e tij në modernizimin e një vendi që kishte mbetur për dekada të tëra nën një diktaturë komuniste veçanërisht shtypëse deri në vitet 1990, shkruan Reuters.
Ai kultivon një stil joformal, me kostum të zi të gjerë, bluzë të zezë dhe atlete të bardha. Zyra e tij i ngjan një hapësire moderne bashkëpunimi urban, me mure të zbukuruara nga pikturat e tij shumëngjyrëshe. Nëpër tavolina ka pjata me lapsa me ngjyra dhe markera, ndërsa tavolina e punës është e mbushur me skica dhe vizatime.
Zhvillimi i resortit që ai mbështet është ideja e Jared Kushnerit dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump, të cilët kanë thënë se u dashuruan me Shqipërinë disa vite më parë gjatë një vizite me jaht. Rama i takoi gjatë atij udhëtimi dhe tha se i konsideron “njerëz shumë të mirë, të thjeshtë dhe me veti të mira njerëzore”.
Tani, firma investuese e Kushnerit, Affinity Partners, është e përfshirë në projektin prej 1.4 miliardë eurosh (1.6 miliardë dollarë) pranë zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, si dhe në një tjetër projekt në ishullin e afërt të Sazanit.
Së bashku, këto projekte mund të arrijnë vlerën deri në 5 miliardë euro, tha Rama.
“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë janë përballur me polemika”, është shprehur kryeministri.
Affinity Partners dhe Kushner nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Kompania Sazan Real Estate Development LLC, e cila po zhvillon planet, i ka thënë Reuters se do ta bëjë këtë në mënyrë të përgjegjshme.
Rama premton mbrojtjen e faunës
Protestat nisën në fund të muajit maj, kur zona pranë Vjosë-Nartës u rrethua me gardh me tela me gjemba, ndërsa po kryheshin punime për një rrugë hyrëse dhe zhvillime të tjera paraprake për ndërtimin. Disa protestues u plagosën gjatë përplasjeve me sigurimin privat. Zemërimi më pas u përhap edhe në Tiranë.
Që atëherë, gardhi është hequr. Rama pranoi se ngritja e tij ishte një “ide e turpshme”, shkruan Reuters.
Megjithatë, ai minimizoi shqetësimet mjedisore. Sipas tij, vlerësimi i ndikimit në mjedis ende nuk është kryer dhe do të realizohet paralelisht me zhvillimin e projektit.
“Ne jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për faunën e egër në Shqipëri. Komisioni Evropian nuk ka asnjë arsye të dyshojë në vullnetin tonë të palëkundur për të mbrojtur gjithçka që duhet mbrojtur kur bëhet fjalë për jetën e egër dhe natyrën”, përfundoi kryeministri./Reuters
Komente





INVESTIMI NUK DO TE BEHET.ATY. BEJE NE SEMAN POR PA PREKUR ASNJE PEME...,,KUSH JE TI ZOTI QE VENDOS PER FATIN TONE...SHKO BEJE RESORTIN TEK SHTEPIA JOTE NE SURREL...PER SHQIPERINE VENDOSIM NEVE...JO TI...ME BALLAT E TU...BEJ REFERENDUM PO DO TE DISH MENDIMIN E POPULLIT SHQIPTAR....
Përgjigju