Kryeministri Edi Rama insiston për një model të ri të zgjerimit të Bashkimit Europian, përmes integrimit gradual të vendeve kandidate, pa pritur anëtarësimin e plotë. Nga Forumi i Cernobbios në Itali, Rama tha se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të bëhen pjesë e tregut të përbashkët, universiteteve dhe programeve europiane, edhe pa marrë menjëherë të drejtën e vetos.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër", tha Rama.
Rama tha se nuk beson se vendet e BE-së do të jenë të gatshme që Shqipërinë ta pranojnë si anëtare me të gjitha kompetencat, përfshirë veton.
“Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne", vijoi Rama.
Sipas Ramës, vendet kandidate duhet të vijojnë të plotësojnë të gjitha kriteret, por të përfitojnë gradualisht të drejtat e anëtarësimit. Duke i quajtur vendet kandidate “7 fëmijët e Ursulës”, kryeministri tha se ato duhet të fitojnë të drejtat e anëtarësimit për çdo kapitull që mbyllin.
“Ajo që duhet të ndryshojë është radha e veprimit, jo më parë 33 kapituj dhe më pas vendimi politik. Çdo kapitull që përmbyllin i bën anëtarë brenda suazës së atij kapitulli. Nëse mbyll kapitullin për shkencën, për atë bëhesh anëtar dhe ke të njëjtat të drejta", thekson Rama.
Për të argumentuar pse vendet kandidate duhet të mbahen në tryezën europiane, Rama solli shembullin e Serbisë dhe vendimin për ta përcjellë Ratko Mladiçin me homazhe shtetërore.
Rama tha se pikërisht raste të tilla tregojnë pse Serbia duhet të mbahet në tryezën europiane, ku sipas tij mund t’i thuhet qartë se “nuk mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, ndërsa Serbinë e quajti një “lloj kafshe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor”.
Lajmi në përditësim....

Duke shpjeguar qëndrimin e tij për integrimin gradual të vendeve kandidate në BE, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te rasti i Serbisë dhe vendimi që “kasapi i Ballkanit”, Ratko Mladiç, të përcillet me homazhe shtetërore për në banesën e fundit. Rama tha se pikërisht raste të tilla tregojnë pse Serbia duhet të mbahet në tryezën europiane, ku sipas tij mund t’i thuhet qartë se “nuk mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, ndërsa Serbinë e quajti një “lloj kafshe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor”.
“Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë skizofrenike mes Europës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë? Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, theksoi Rama.

Me batuta iu referua Edi Rama mënyrës se si, sipas tij, duhet të funksionojë integrimi gradual në Bashkimin Europian. Duke i quajtur vendet kandidate “7 fëmijët e Ursulës”, kryeministri tha se ato duhet të ulen në tryezën e BE-së ndërsa përmbushin kriteret, duke fituar të drejtat e anëtarësimit për çdo kapitull që mbyllin.
“7 fëmijët e Ursulës duhet të përmbushin çdo kriter, duhet të ndjekin rregullat për çdo kapitull dhe duhet t’i bëjnë ballë të gjithë procesit neurotik të makinerisë prej 35 mijë grash e burrash, që është makineria më burokratike që ka krijuar njerëzimi.
Ajo që duhet të ndryshojë është radha e veprimit: jo më parë 33 kapituj dhe më pas vendimi politik. Të 7 fëmijët, përfshirë Ukrainën, duhet të jenë në tryezë si fëmijët e Ursulës. Si fëmijë duhet të dëgjojnë babanë dhe nënën, Francën dhe Gjermaninë, pastaj tezen Itali dhe të tjerët. Por duhet të jenë rreth asaj tryeze, ndërkohë që përmbushin kriteret.
Çdo kapitull që përmbyllin i bën anëtarë brenda suazës së atij kapitulli. Nëse mbyll kapitullin për shkencën, për atë bëhesh anëtar dhe ke të njëjtat të drejta. Çdokush që duhet të marrë më shumë nga tryeza, i jep më shumë tryezës, por duhet të jenë të pranishëm", tha Rama.









Komente
Komento