Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të dërguarit e Donald Trumpit, mbërritën me një qeveritar në Moskë me një axhëndë të rëndësishme, gjetjen e një zgjidhjeje për paqen në Ukrainë.

Ata u pritën nga Kirill Dmitriev emisari special rus për bisedimet me Ukrainën, ndërsa synimi i udhëtimit të tyre është takimi me Vladimir Putin dhe të nesërmen një udhëtim drejt Kievit për takim me Volodymir Zelenskyn. Ndërkohë Putin ka urdhëruar ndalimin e sulmeve ndaj Ukrainës për 3 ditët në vijim

Udhëtimi i tyre vjen mes deklaratave të ditëve të fundit të liderëve në Kremlin dhe Uashington. Putini tha të enjten që beson se ekziston një mundësi për të arritur një marrëveshje, me lëshimet territorial që mbeten pengesa kryesore dhe duket e vështirë që lideri rus të jetë papritur i gatshëm të pranojë një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit.

Trump ndërkohë u tha gazetarëve të premten se dy negociatorët do të përpiqen të vlerësojnë nëse është e mundur të bëhet përparim drejt paqes dhe konfirmoi një angazhim të ri amerikan.

“Dërgova Steve Uitkoff dhe Jared Kushner, dy negociatorë të shkëlqyer. I dërguam atje për të parë nëse mund të arrijmë diçka. Mund të ketë një shans të mirë që ta bëjmë këtë. Ata po marrin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës. Ne kemi një ide për paqen”, tha Trump.

Përpjekjet për paqe kanë ngecur për shkak të luftës së Uashingtonit me Iranin, ndërsa Moska dhe Kievi kanë intensifikuar sulmet me rreze të gjatë, duke rritur viktimat civile në nivele që nuk janë parë që nga fillimi i luftimeve.

Në fund të gushtit, drejtori i CIA, John Ratcliffe, udhëtoi drejt Moskës, pjesërisht për t’u bërë presion homologëve atje që të shqyrtonin mundësinë e një marrëveshjeje, raportuan Reuters dhe disa media të tjera. Mediat amerikane raportuan gjithashtu se Ratcliffe e paralajmëroi Rusinë kundër çdo sulmi ndaj shteteve anëtare të NATO-s.