Doda: Rezervat e energjisë
elektrike, vetëm për dy muaj

Doda: Rezervat e energjisë<br />elektrike, vetëm për dy muaj
TIRANE - Sipas ish-ministrit të Industrisë Viktor Doda, në basenet kryesore të HEC-eve të vendit ka rezerva ujore që mjaftojnë sa për dy ose dy muaj e gjysmë prodhim të energjisë elektrike. Sipas tij, buxheti, siguria e personit dhe pronës dhe energjia janë tre prioritetet e qeverisë së re.
 
Zoti Doda, si e vlerësoni situatën energjetike në vend, në prag të dorëzimit të pushtetit ekzekutiv?
Mendoj se sigurimi i energjisë mbetet gjithnjë një ndër prioritetet kryesore të Ekzekutivit të ri, krahas rregullimit të situatës së Financave publike dhe përmirësimit drastik të situatës së rendit publik. Borxhet e vendit janë në nivele shumë të larta, ndërkohë që siguria e personit dhe e pronës është në nivele skandaloze, si asnjëjerë tjetër pas vitit 1997. Por, sipas llogaritjeve të mia dhe të specialistëve të tjerë të sektorit të energjetikës, rezervat ujore që sigurojnë prodhimin në vazhdim të energjisë elektrike mund të mbarojnë në dy ose dy muaj e gjysmë pas ditës së sotme. Kjo, në rast se nuk bie shi, por parashikimet në fakt janë për një vjeshtë të thatë. Liqeni i Fierzës ndodhet në kuotën e 283 metrave në nivelin e detit, por prurjet janë jashtëzakonisht të ulta dhe prodhimi vazhdon njësoj. Kjo flet për një krizë eminente të energjetikës.
 
Nuk ka depozitim të energjisë gjatë muajve të mëparshëm në Kosovë?
Për këtë na mungon informacioni nga KESH apo METE. Kjo do të bëhet e qartë vetëm pasi qeveria e re të marrë në dorëzim çelësat e shtetit, duhet të njihet ekzaktësisht gjendja: sa janë depozita dhe sa energji është shitur pa kthim.
 
Nuk mund të blihet jashtë energjia?
Kjo ka qenë rruga e preferuar e qeverisë së deritanishme. Aktualisht dhe në vazhdim, çmimi i energjisë në bursë rritet, pasi rritet kërkesa dhe kështu rritet edhe borxhi që KESH ka krijuar në vite. Problemi është të gjenden rrugët për ta kthyer në binarët e efektivitetit sektorin energjetik në Shqipëri dhe jo për të blerë pa fund me lekët e shqiptarëve, duke rritur borxhin publik.
 
Pse është ndjekur rruga e borxheve deri tani?
Në shumë vite tranzicioni të zgjatur, korporatat kryesore janë drejtuar nga militantë politikë, njerëz besnikë të pushtetarëve dhe jo nga menaxherë të aftë. Nga ana e vet, njerëz me pushtet kanë shfrytëzuar shitjet dhe blerjet nga jashtë për të përfituar personalisht, ndërkohë që sektori është shkatërruar nga ana financiare. Qeveria e re detyrimisht duhet të caktojë një kalendar detyrash, duke nisur nga ato më urgjentet, qoftë edhe me drejtuesit dhe teknicienët aktualë dhe të ndjekë me rigorozitet zgjidhjen e tyre sa nuk është vonë.
 
Ku e shihni mungesën e efikasitetit të menaxherëve të deritanishëm?
Në vitin 2005, sektori energjetike kishte shumë probleme, por nivelin e humbjeve në rrjet në shpërndarje ne e lamë rreth 30 përqindëshit. Ndërkohë, erdhi CEZ-i, dështoi CEZ-i, shumë mburrje dëgjojmë nga administratorët aktualë shtetërore, por ky nivel humbjesh është rreth 50 për qind. Ku është efikasiteti këtu? Zona të tëra lejohet të mos paguajnë faturat, kjo rrit çmimin për konsumatorët e rregullt. Në strategjinë afatgjatë ne, madje, kishim parashikuar ulje të çmimit të energjisë për konsumatorët duke nisuar nga viti 2014. Por, nga 4.5 lekë për kilovatorë, tani shitet dyfish.
 
Mund të arrihet ende një ulje çmimi?
Pse jo?! Në rast se ndërpriten vjedhjet dhe kryhen disa investime bazë.
 
Si mund të ndihmohet ndryshe sektori energjetik?
Duke vendosur psh nga një Ent shtetëror çmim tavan për gazin natyror. Tregu në këtë sektor është jashtëzakonisht i parregullt dhe spekulativ.
 
Ju thoni të ndërpriten vjedhjet. Po ka shumë familje që thonë se nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë...
Për këtë të mendojë shteti, me politika sociale. Ata që nuk mundin, të lehtësohen me anë të subvencionimit, por faturat dikush duhet t’i paguajë.
 
Nuk do të ishte ndihmë ndërtimi i HEC-eve lokale?
Kam qenë një ndër nismëtarët pro tyre. Por, duhet të respektohen ligjet, mjedisi dhe furnizimi me ujë për bujqësinë dhe popullatën. Për shumë prej tyre janë dhënë leje në shkelje flagrante të rregullave, që sjellin pasoja për sektorët e tjerë të jetës. Kështu, psh në Fan parashikohet ndryshimi i shtretërve të dy lumenjve. Kjo është krejtësisht e pamednuar dhe me pasoja të pariparueshme.
 
A mendoni se sektori energjetik i tërheq të huajt për investime?
Gjithnjë i ka tërhequr. Por, problemet me pronat, rendin publik, korrupsioni i zyrtarëve i kanë larguar vazhdimisht.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë