Dogana e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën pala serbe në pikën kufitare në Jarinje ka pyetur nëse mund të importojnë para.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se pala kosovare i ka sqaruar se pa pasur autorizim të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare.
“Përfaqësues të palës serbe sot kanë pyetur në pikën doganore në Jarinje se nëse mund të importojnë para. Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”, tha Stavileci.
Autoritetet serbe kanë thënë se më 7 shkurt nuk është lejuar dërgimi i dinarëve në Kosovë.
Mediat serbe kanë raportuar se Banka Popullore e Serbisë ka njoftuar se paratë ishin të destinuara për të paguar pagat, pensionet, kontributet shoqërore dhe pagesat e tjera për serbët që jetojnë në Kosovë.