TIRANE - Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Policia e Shtetit kanë nënshkruar ditën e sotme Urdhërin e Përbashkët për “Ngritjen, Funksionimin dhe Procedurat Standarde të Punës të Njësisë së Përbashkët për Kontrollin e Kontenierëve” në Portin e Durrësit.

Ky Urdhër i Përbashkët është nënshkruar nga dy Drejtorët e Përgjithshëm të Doganave dhe Policisë së Shtetit Elisa Spiropali dhe Artan Didi. Nënshkrimi i këtij Urdhëri të Përbashkët është në vijim të analizës 1-vjeçare të zhvilluar pak kohë më parë mbi funksionimin e Njësisë së Përbashkët të Kontrollit të Kontenierëve në Portin e Durrësit në kuadër të zbatimit të Programit Global të Kontrollit të Kontenierëve.

Ky projekt i udhëhequr nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), prej 1 viti është prezent edhe në Doganën Shqiptare në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Mësohet se kjo marrëveshje ka ardhur në kuadër të përmirësimit dhe mirëfunksionimit të punës së kësaj njësie të përbashkët kontrolli në Portin e Durrësit. Me anë të këtij urdhri është vendosur funksionimi dhe përcaktimi i procedurave standarde të punës së kësaj njësie.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)