Dokumentari/Jeta e fshehtë
e piktores Lumturi Blloshmi

Dokumentari/Jeta e fshehtë<br />e piktores Lumturi Blloshmi
TIRANE - Kush nuk e mban mend kur guxoi me ekspozitën “Kama sutra” shumë vite më parë. Ekspozita me 13 grafika në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe 15 fotot e performancës “Kama Sutra” me bretkosa të skuqura shkuan edhe me larg se koncepti i piktores: pasi i fotografoi shtroi me to koktejlin për t’u ngrënë nga vizitorët.

Bëhet fjalë për rebelen e admiruar, provokuesen që injoron çdo barrierë që i del përpara. Është ajo “vajza e përjetshme piktore” Lumturi Blloshmi. Me natyrën e saj komplekse si artiste, të dlirë si njeri, Lumja siç e njohin të gjithë trazon ndërgjegje e vizitorëve.

Një herë tjetër performoi me portret e politikanëve dhe ajo edhe pse i përket një familjeje të persekutuar nga regjimi komunist, nuk e vret mendjen aspak për kompromise, dhe nuk kursen asnjërin me satirën dhe ironitë e saj. Dhe një herë tjetër sërish Lume Blloshmi na befasoi kur pikturoi imazhin e vet nudo me dekoratën në seks.

Ironia, sarkazma, humori nuk mungojnë në pikturën avangardë të Lumturi Blloshmit. Sapo projekton një ekspozitë ia del në fund më së miri, duke ndërthurur modernitetin, filozofinë dhe duke mos harruar të provokojë publikun. Tashmë Lumturi Blloshmi vjen e portretizuar në një dokumentar që i kushtohet asaj dhe titullohet “Artistja Rebele”.

Dokumentari do të shfaqet më 3 prill në Teatrin e Komedisë në Tiranë. Regjisorja e këtij dokumentari Nadire Buzo rrëfen për Shqiptarja.com se: “Skenari është i plotësuar me inskenime te fëmijërisë së Lumes. Pasi ajo kishte lindur për t’u bere artiste. Ne fëmijëri kërcente dhe këndonte dhe desh te behej këngëtare si Maria Kalas dhe Maria Kraja, me pas donte te bëhej Pianiste. Porse fati që i rezervoi jeta, na dha një piktore te madhe.”
 
Zonja Buzo, piktoren Blloshmi e njohim që është një personazh interesant në botën e artit. Çfarë është më interesante në dokumentarin për të?
Interesante në dokumentar është intervista e mësueses së klasës se parë Evanthi Ciko (sot 93 vjeç) e cila kontribuoi shumë në drejtimin  e saj si piktore. Asaj i pëlqen të flasësh për artin e saj konceptual dhe performancat, ndërsa filmi nuk është promovuar.

Ajo me 14 mars beri ekspozitën  me kafkën mbuluar me bishta cigaresh. Ajo ecën më shpejt se koha dhe arti i saj në kohe. Intervista e profesorit te saj Hasan Nallbani është mjaft interesante për kohën e studimeve në Akademinë e Arteve. Etj.
 
Si e ke njohur piktoren Lumturi Blloshmi, dhe si lindi ideja e dokumentarit
Duke qenë në kontakt me botën e artit unë tashmë jam mikja e saj prej shumë vitesh. Më ka lindur ideja për një dokumentar, pasi jeta dhe vepra e saj është tejet e veçantë dhe interesante, porse piktorja edhe pse është mikja ime është personazh tepër i vështirë për të improvizuar skenat në dokumentari. Unë gjatë bisedave te saj të gjata e të sinqerta kam vjedhur ato me interesantet.

E vështirë që ajo të pëlqejë se çfarë thonë të tjerët për të, pasi ajo vazhdimisht aspiron të pamundurën, të paarritshmen dhe e kap dhe arrin atë me çdo kusht pavarësisht kushteve dhe fatit që i rezervoi jeta. Lumen siç e njohin të gjithë, nuk ka artist të mos ta dojë. Kështu që më kanë ndihmuar shumë për promovimin e vlerave, sidomos Pluton Vasi dhe stafi i TVSh.- satelitor.


Cila mendon se është sfida më e madhe e Lumturi Blloshmit?
Sfida më e madhe e saj është Arti konceptual. Të cilin e vlerëson si një formë tepër të ndërlikuar por  tek ky art ka filozofi, ka instinkt, i cili vepron me së shumti tek piktorja, por ka edhe erudicion.

Dhe Lumja është e guximshme të eksperimentojë dhe të fitojë, truri i saj është laboratori ku ngjizen idetë e saj, aty përplasen përfytyrimet dhe pastaj del rezultati. Por deri në përfundimin e punës nuk i dihet, se çfarë ajo rrugës do të ndryshojë duke u përplasur me jetën e përditshme.

Cila është ana e panjohur e piktores që shfaqet në dokumentarin tuaj?
Lumturi Blloshmi  është një artiste e madhe, ku në një fenomen natyror, rastësor apo çfarëdo qoftë ai, piktorja sheh anën e bukur të fenomenit. Ndaj ajo rastësisht si një amvisë e mirë, që di të presë miq dhe të ushqehet shëndetshëm, pa se duke skuqur bretkosat u shfaq fenomeni i çuditshëm në tiganin mbi zjarr.

Dhe pa u menduar gjatë, jo vetëm se bëri shaka me miqtë, por i lindi në çast mendimi se do të performonte një art të veçantë. Dhe doli në ekspozitë. Sigurisht që këtë e bën një grua e madhe dhe pa komplekse, si Lumja, e cila ka një kulturë të madhe dhe të gjerë, filozofike dhe humane.

Piktorja krahas sukseseve brenda dhe jashtë vendit, do t’u kundërvihej fenomeneve të dhimbshme dhe negative të atyre që e pengojnë dhe e shpërdorojnë demokracinë e fituar ndër shekuj.

PJESË NGA SKENARI

Metamorfoza e artistest dhe rrethanat e saj

Ajo krijon në të gjitha situatat, sado të vështira qofshin ato, duke ju kundërvënë realitetit të hidhur me të gjitha forcat e saj krijuese dhe emocionale. Në vitet 1975- 1985 asaj ju ndalua të ekspozonte. Edhe më pas tablotë e saja ktheheshin mbrapsht shpeshherë për të mos u ekspozuar.

Ajo vazhdonte të punonte më fort pa u dekurajuar. Këtë forcë e kishte marre nga nëna e saj fisnike, të cilën nuk e pa asnjëherë duke lotuar, as në momentet më të vështira të jetës së saj. Këtë forcë ja jepte kushëriri i saj Vilsoni, të cilit nuk iu dhimbs jeta  as përpara xhelatëve  të komunizmit.

Ajo i njeh mire aftësitë e saja krijuese. Nudot femërore të  piktores Blloshmi, të realizuara në fillimet e viteve `90, marrin nuanca të kristalta dhe të mermerta. Nuk është e vështirë të dallosh se modeli  perfekt është ajo vetë.

Lumja e pranon ndryshim, “dua të ndryshoj shpesh”, thotë, por megjithatë është vetvetja. Pra mendimi i saj brenda subkoshiencës nuk ndryshon, megjithëse në procesin e ndryshimit, ndikimet e forta janë së brendshmi dhe së jashtmi. Për të parë metamorfozën e artistit duhen parë rrethanat në të cilat ai vepron.  N.Buzo

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve