VLORE- Një rrugëtim historik që rikthen në vëmendje 13 muajt e funksionimit të Qeverisë së Ismail Qemalit vjen përmes një ekspozitë në muzeun historik të Vlorës.
Janë ekspozuar dokumente dhe fotografi, të mbledhjeve historike të mbajtura në Sarajet e Vlorajve — në dy nga konakët e mëdhenj, Haremin dhe Selamllëkun. Këto dokumente dëshmojnë reformat ekonomike, arsimore, mbrojtjen kombëtare, etj.
Në mungesë të dokumentit original është ekspozuar kopja e Deklaratës së Pavarësisë.
"Fatkeqësisht, ne nuk kemi tre elementë origjinalë të asaj kohe të shpalljes së pavarësisë: nuk kemi aktin origjinal , certifikatën e shtetit shqiptar e cila deri në vitin 1937 ka qenë në arkivin e Bankës së Shqipërisë; nuk kemi godinën ku është ngritur për herë të parë flamuri (ku sot ndodhet shtiza e flamurit); dhe nuk kemi flamurin që është përdorur ditën e parë të shpalljes së pavarësisë.
“Ky akt është firmosur nga 40 firmëtarë nga rreth 86 delegatë që morën pjesë në Kuvend, për shkak të hapësirave të vogla që kishte Vlora për t'i mbajtur. Falë Lef Nosit, sot ruhen 40 fotokopje dhe një prej tyre e kemi të ekspozuar sot këtu”, tha Skender Spahiu, pergjegjes i Muzeut.
Kalendari festiv në Vlorë vazhdon edhe me kujtesën për ditën e çlirimit.
“Pas datës 28 nëntorit, do të ccelet një tjetër ekspozitë kushtuar 29 Nëntorit 1944. Përmes bashkëpunimit me Arkivin Qendror të Shtetit, paraqitet epopeja e luftës dhe kontributi i Brigadës së 12-të Sulmuese që çliroi Vlorën, si dhe veprimtaria luftarake e Brigadës së 5-të dhe 12-të edhe jashtë kufijve shtetërorë”, shprehet me tej.
Këto dëshmi arkivore janë jo vetem kujtese por dhe krenari për paraardhësit që luftuan ndër vite për liri dhe shtet demokratik.







Komente
Komento