Mund të duket paradoksale, por në kaos, në zhurmë dhe në vështirësi mund të shohim dhe të njohim më mirë. Që nga fillimi i protestave, në gjithë metamorfozën e tyre, daljen dhe zhdukjen e personazheve që i populluan, shqiptarët patën dhe kanë mundësinë të shohin më mirë.

Ishin këto muaj si një paradë njerëzore e prurjeve të lumit të personazheve të rinj që vendi ynë ka prodhuar në gjithë këto vite. Folën në Bulevard, folën në socialmedia, folën nëpër panele televizionesh. Miliona sy e veshë patën mundësinë të krijojnë një ide të qartë se kush e ka ambicien për Shqipërinë e të ardhmes dhe sidomos, si e mendojnë atë Shqipëri.

Protestat ishin dhe janë një mundësi e mirë për të kuptuar fluksin e gjakut që lëviz brenda nesh, si një analizë e imtësishme e rruazave të bardha dhe e rruazave të kuqe. Po shohim në shesh atë që kërkon të flasë e të duket pa filtra, pa ndërmjetësues. Dhe kjo është një gjë e mirë që na ndihmon të kuptojmë nëse ndonjë patologji e rëndë egoje na ka pushtuar, apo jemi të shëndetshëm, të pastër, të ekuilibruar, ëndërrimtarë e të vendosur për të qenë ndërtues të balancuar për një Shqipëri më të mirë.

Të mbërthyer në mbi 30 vite me garën e dy partive, sot loja është më e hapur. Para të gjithëve zgjedhja është më e shumllojtë, por jo më e lehtë. Na duhet akoma më shumë kohë për të kuptuar se kush e ka me të vërtetë dhe për zemër përmirësimin dhe të ardhmen e një Shqipërie më të mirë, më të drejtë, më të barabartë. Dhe sidomos, cili apo cila e ka këtë aftësi.

Në prag të festave kombëtare, të 28 e 29 nëntorit, duket se Shqipëria është në ripërsëritjen e historisë që duhet të bëjë kujdesin maksimal për të mos rënë në kurthet që vendi ynë ka rënë: Atë të regresit.

28 Nëntori është dita ku vlerat më të mira shqiptare u bënë bashkë për një Shqipëri të pavarur dhe më të mirë.

A mund të themi të njëjtën gjë për bashkëatdhetarët që dolën fitues pas 29 Nëntorit? Ata që na mbyllën në kafazin më të tmerrshëm të një diktature ku mund të mbyllej ndonjëherë një shoqëri?

Duhet të jemi mësuar tashmë të shohim punën, faktet e kujtdo na rrethon dhe jo fjalët e bukura apo shkëlqimin e rremë që sot nuk shpërndahet si dikur traktet dhe fletushkat e dikurshme, por edhe me tik-tok, reel-sa e facebook.

Pavarësi të bukur dhe çlirim magjik, këtë herë jo nga pushtuesit e huaj, por nga vetvetja!