Qeveria shqiptare ka miratuar një dokument me informacione të detajuara rreth migracionit në Shqipëri. Dokumenti është përgatitur nga Ministria e Brendshme për periudhën 2015-2018, por përmban analiza për situatën aktuale si dhe bën parashikime për të ardhmen. Sipas të dhënave, 1 584 137 shqiptarë jetojnë dhe punojnë jashtë territorit të Shqipërisë, nga të cilët 828 530 janë meshkuj dhe 755 607 femra. Shumica e emigrantëve shqiptarë janë vendosur në vendet fqinje si Italia (455 468) dhe Greqia (429 428). Ndërkaq, popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2019, rezulton 2.862.427 banorë duke pësuar një rënie me 0,3 %, krahasuar me 1 Janar 2018. Popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas projeksioneve të përditësuara, llogaritet se do të jetë 2 745 996 banorë, pra 116 731 banorë më pak. “Lëvizjet migratore vazhdojnë të ndikojnë në pakësimin dhe plakjen e popullsisë. Këtë e dëshmon edhe periudha 2015–2018, me një rënie të popullsisë prej rreth 14 000 banorësh, ndërkohë që, gjatë katër viteve të fundit, norma e uljes së popullsisë është prej -0.2 % në vit”, thuhet në dokument.

Sipas dokumentit, arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria është “Mundësi punësimi” 84,0% dhe vetëm 4.2% duan të emigrojnë për shkak se kanë mbetur pa punë në Shqipëri. Numri i emigrantëve shqiptarë për vitin 2018 ishte rreth 38 700, ndërsa numri i imigrantëve që kanë hyrë në Shqipëri ishte rreth 23 700. Migracioni ndërkombëtar vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimet demografike të vendit. Mbizotërimi i të larguarve në raport me të ardhurit ka një ndikim të menjëhershëm në numrin e popullsisë. Gjithashtu, migrimi i femrave në moshë pune dhe riprodhuese ndikon në treguesit më të rëndësishëm demografikë, siç është rënia e lindshmërisë. Në vitin 2018, në popullsinë e Shqipërisë, të rinjtë (0–14 vjeç) zinin 17,5% të popullsisë, popullsia në moshë pune (15–64 vjeç) llogaritej në rreth dy të tretat ( 68,7%) e popullsisë, ndërsa popullsia mbi 65 vjeç zinte rreth 14 % të popullsisë së vendit. 

Nga ana tjetër, më 1 janar 2019 janë numëruar 14 162 shtetas të huaj me qëndrim në Shqipëri, të cilët u përkasin kategorive në vijim: imigrantë të rregullt ekonomikë, studentë, azilkërkues; të huaj të natyralizuar, imigrantë për motive të tjera. Gjithashtu, në periudhën 2015–2019, 1 300 shtetas kanë paraqitur kërkesë në Ministrinë e Brendshme për marrjen e shtetësisë shqiptare. Tirana ka numrin më të madh të të huajve që punojnë, ndjekur nga qarqet e Durrësit dhe Fierit. Të huajt punojnë kryesisht si punëmarrës dhe një kategori më e vogël si të vetëpunësuar dhe/apo si investitorë. Punonjësit me shtetësi të huaj hyjnë në tregun vendas të punës në ata sektorë ku punëdhënësit nuk arrijnë të gjejnë fuqi punëtore në vend. Sektorët kryesorë janë teknologjia e informacionit dhe komunikimit, industria përpunuese dhe nxjerrëse dhe tregtia me shumicë e pakicë, sektorët e ndërtimit dhe aktiviteteve të shërbimeve të tjera. Vendet nga vijnë punonjësit e huaj janë shtete jo anëtare të BE-së, si: Kina, Kanadaja dhe Maqedonia e Veriut, por edhe shtete anëtare të BE-së, si: Italia, Greqia dhe Franca. Një pjesë e tyre vijnë edhe nga Kosova e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.