Komisioni Hetimor për sistemin TIMS që nisi nga puna të martën dhe do të ketë një afat 4 mujor për të konkluduar punën e tij ka përpiluar planin që do nisë ta zbatojë nga nesër kur mbahet dhe mbledhja e radhës në orën 12:00.
Kryetari i komisionit, Ervin Salianji ka rënë dakord me propozimet e PS duke vendosur në listën e dëshmitarëve që do të thirren para hetimorit edhe emrin e Sali Berishës, Lulzim Bashës e Gazment Bardhi.
Në listë është edhe emri i kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe paraardhësit të tij, Bledi Çuçi, emra që u kërkuan nga opozita për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar.
“Komisioni rezervon të drejtën që ne Planin e Hetimit të thërrasë për të dëshmuar çdo person apo funksionar tjetër që ka dijeni rreth objektit të hetimit, dhe që rezulton i përfshirë në këtë çështje nga shqyrtimi i dokumentacionit zyrtar”, thuhet në shkresën e firmosur nga Salianji.
Sali Berisha tashmë i rrëzuar me kërkesat e tij për të marrë pjesë në seanca plenare nuk pritet që shkojë as këtë herë në ambientet e Kuvendit. Por për të marrë në pyetje Berishën, komisioni hetimor për TIMS duhet marrë miratimin nga prokuroria e posacme, pasi Berisha që prej 30 dhjetorit ndodhet në arrest shtëpie dhe nën hetim për aferën e klubit partizani. Deri tani kërkesat e avokatëve që Berisha të lejohet për të shkuar në seancë janë rrëzuar nga të gjitha shkallët e gjykatave.
Hetimi konsiderohet i hapur dhe Komisioni do të përfundojë veprimtarinë e tij brenda afatit të caktuar me vendim të Kuvendit 21 Korrik 2024.
LISTA E DËSHMITARËVE/ Emër, Mbiemër- Funksioni

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Komente












