“Lufta jonë nuk është e lehtë, por shumë e vështirë, ajo kërkon një mobilizim të madh të Partisë e të masave për t’ia dalë në krye, duke ruajtur pozitat e Partisë. Ndryshe rreziku do të na qëndrojë mbi kokë si shpata e Damokleut,sepse askush në botë nuk do që këtë proces të demokratizimit në vendin tonë ta udhëheqë Partia. Reaksioni kërkon likuidimin e komunizmit, të Partisë, të pushtetit popullor. Dhe është për të ardhur keq që disa nuk po e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë këtë. Iniciativën duhet ta kemi ne në dorë”, është pjesë nga fjala e Ramiz Alisë më 15 tetor 1990, dy muaj para revoltës studentore që çoi drejt greminës sistemin diktatorial.

Në prag të dhjetorit ’90, dy muaj para se studentët të dilnin në rrugë dhe thirrja për liri të bëhej publike, frika dhe pasiguria kishin hyrë tashmë në zemrën e pushtetit. Ky dokument sekret i 15 tetorit 1990, një mbledhje e ngushtë e sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, dëshmon se kriza nuk ishte më thjesht ekonomike, por thellësisht politike dhe ideologjike. Regjimi e ndiente se toka po i lëkundej nën këmbë dhe përpiqej me çdo kusht të mbante kontrollin, jo vetëm mbi jetën e vendit, por edhe mbi interpretimin e ndryshimeve që po impononte realiteti.

Në diskutimet e Ramiz Alisë dhe figurave kyçe të udhëheqjes del qartë ankthi i një pushteti që ndodhej mes dy frikërave: nga njëra anë “krahu liberal”, i perceptuar si rrezik për shpërbërjen e sistemit, dhe nga ana tjetër “krahu konservator”, i ngurtë, paralizues, i lidhur pas dogmës dhe luftës së klasave. Demokratizimi përmendet vazhdimisht, por jo si e drejtë e shoqërisë; ai trajtohet si një proces që duhet menaxhuar, kontrolluar dhe shpjeguar nga lart-poshtë, në mënyrë që të mos rrëshqasë jashtë duarve të Partisë.

Ky material arkivor hedh dritë mbi atmosferën e rëndë të muajve që i paraprinë dhjetorit ’90: mungesa e energjisë, varfëria, pakënaqësia e masave, frika nga “armiku”, dilemat mbi politikën e jashtme dhe fundin e rendit bipolar. Është një dëshmi e qartë se ndryshimi nuk erdhi si befasi për pushtetin, u paralajmërua, u ndje dhe u diskutua në mbledhje të mbyllura.  Bashkëngjitur publikojmë dokumentin sekret, marrë nga arkiva e Shtetit.

Dokumenti sekret

MBLEDHJE E SHOKËVE SEKRETARË

TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË[1]

                                                                                15.10.1990

(Në këtë mbledhje u diskutua për tendencat që vihen re lidhur me masat që janë marrë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit dhe punën që duhet bërë me njerëzit për shpjegimin dhe sqarimin e tyre)

SHOKU RAMIZ ALIA: Lidhur me masat që janë marrë për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit vihen re dy tendenca:

Tendenca e parë është e krahut liberal, i cili, nisur nga qëllime të caktuara, këto masa i quan ndryshime “kozmetike” dhe kërkon t’i sabotojë. Liberalët synojnë ta largojnë Partinë nga pushteti popullor, nga socializmi, nga mbrojtja e lirisë dhe e pavarësisë së atdheut, prandaj edhe nuk janë dakord që demokratizimin e vendit ta udhëheqë Partia. Krahu liberal kërkon të mos ecim në rrugën që ka përcaktuar Partia, por në rrugën që dëshiron reaksioni, e cila do të ishte me pasoja tepër të rrezikshme për fatet e vendit tonë.

 Tendenca e dytë është e krahut konservator, që e quan veten “parimor”, i cili të gjitha masat që ka marrë e po merr Partia në fushën e ekonomisë, në atë të marrëdhënieve shoqërore, në politikën e jashtme e të tjera, i konsideron si largime nga vija jonë, madje si afirmim i veprimtarisë së grupeve të ndryshme armiqësore. Sipas tyre, masat që po marrim në fushën ekonomike “janë të ngjashme me ato që kërkonte të merrnin Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, në fushën e artit e të kulturës po bëjmë atë që donte të bënte Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, kurse në politikën e jashtme po lëshojmë etj.”.

Këta njerëz, natyrisht, nuk dalin hapur, por kapin këtë pozicion. Për mendimin tim, kjo është tepër e rrezikshme, sepse duke qenë në këtë pozicion dhe kuadro të Partisë, kanë ndikuar dhe ndikojnë në neutralizimin e të gjitha punëve. Ata jo vetëm që vetë nuk janë aktivë për zbatimin e këtyre masave, por duke qëndruar në pozicion neutral, pengojnë që të mos jetë aktive dhe Partia.

Nisur nga kjo situatë, është e domosdoshme të bëhet e qartë:

Së pari, se me këtë rrugë që po ndjek Partia asnjë lëshim nuk po i bëjmë reaksionit, si në politikën e brendshme, ashtu dhe në politikën e jashtme.

Së dyti, masat që kemi marrë e po marrim në kuadrin e demokratizimit të mëtejshëm të Partisë e të gjithë jetës së vendit nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë gjë të përbashkët me qëllimet e armiqve të Partisë, të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës në fushën e kulturës, të Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit në fushën e ekonomisë, të Mehmet Shehut në fushën e politikës, në qoftë se kishte një politikë të caktuar.

Përse themi që masat që po marrim s’kanë asgjë të përbashkët me qëllimet e armiqve të Partisë?

Së pari, sepse këto grupe, bashkë me atë të Beqir Ballukut në ushtri, i kemi quajtur grupe komplotistësh, për faktin se i shërbenin një ideologjie e një politike të caktuar, që kishte për qëllim zhdukjen e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut. Që nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi e të tjerë punonin për llogari të të tjerëve dhe përgatitnin terrenin politikisht, ushtarakisht e ekonomikisht që t’ia nënshtronin vendin të huajve.

Së dyti, po të marrim fushën e kulturës, Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën i kritikuam jo pse lejuan të këndohej një këngë e huaj apo të visheshin artistët me rroba të ndryshme, por sepse ishin kundër frymës kombëtare në artet tona, largoheshin nga tabani kombëtar, mohonin çdo gjë kombëtare në histori, në letërsi, në muzikë e në arte, pra ishin për kozmopolitizmin. Ky është dhe thelbi i kritikës që u bëri atyre Plenumi i 4-t i Komitetit Qendror të Partisë i vitit 1973.

Së treti, mekanizmi i ri ekonomik që ka filluar të zbatohet në fushën e ekonomisë nuk afrohet asgjëkund me tezat e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit. Kritika që u ka bërë Partia tezave të tyre ishte se ato çonin në rrugën e vetadministrimit jugosllav. Siç është bërë e qartë me kohë, vetadministrimi jugosllav nënkupton që ndërmarrja administrohet me të ardhurat e veta, ajo i cakton vetë çmimet dhe pagat e punëtorëve. Kurse te ne si çmimet, ashtu dhe pagat, dy elementët themelorë të prodhimit, janë të përqendruar në dorë të shtetit.

Këta njerëz, gjoja parimorë, që bëjnë paralelizma të tilla, nuk kuptojnë thelbin e masave demokratizuese që po marrim, që sipas mendimit tim, qëndron në dy çështje të mëdha:

E para, ne duhet të dalim medoemos nga situata e vështirë ekonomike që është krijuar. Ky është një realitet, që kush nuk e sheh gabon rëndë. Me masat që po marrim e duam të marrim synojmë që t’i krijojmë ekonomisë sonë një frymëmarrje më të madhe, në mënyrë që ajo t’u përgjigjet kërkesave në rritje të popullit dhe të kapërcejë vështirësitë që ka.

E dyta, për t’i krijuar një frymëmarrje më të madhe ekonomisë jemi të detyruar dhe duhet medoemos të ndreqim disa dobësi e të meta të punës sonë, madje, do të thosha, dhe disa ndikime e gabime që kemi bërë. Na vjen mirë apo s’na vjen mirë, ky është një realitet. Gabime këtilla janë kufizimi në minimum i oborrit kooperativist, shtetëzimi i artizanatit mbi bazë grupi e individi, përqendrimet në bujqësi e industri, krijimi i ndërmarrjeve dhe kooperativave të mëdha etj. Këto gabime e kanë bazën te dobësia e punës sonë dhe moskuptimi nga ana e Partisë i pasojave që mund të sillnin ato. Dhe fakti është që me kufizimin e oborrit kooperativist jo vetëm fshatari po edhe qytetari mbetën pa qumësht, pa mish, pa zarzavate. Prandaj Partia mori vendimin për shtimin dhe fuqizimin e oborrit kooperativist, duke ia dhënë fshatarit bagëtinë dhe tokën përkatëse, që ai të prodhojë për nevojat e tij dhe tepricat t’i shesë në treg. Ose të prodhosh, ta zëmë, llokume apo trahana vetëm në një ndërmarrje shtetërore në të gjithë vendin, kjo duhet parë, sepse një përqendrim i tillë nuk jep efektivitetin e duhur. Tani, kur ekonomia është zgjeruar, nuk mund t’i centralizosh të gjitha në një dorë.

Kem përshtypjen që ky mentalitet konservator që “ne po tërhiqemi, po largohemi nga parimet, po lëshojmë” ekziston dhe në kuadrot e larta, deri në Komitetin Qendror.

Ky mentalitet ekziston sepse këto fenomene të reja nuk po kuptohen si duhet. Atëherë pse duhet të qëndrojnë pasivë aparatet tona qendrore në këtë drejtim? Dhe në qoftë se ka pasivitet lart, sigurisht që më shumë do të ketë poshtë, te komitetet e Partisë, e si rrjedhim do të krijohen situata të rënda në rrethe.

Prandaj nga ana jonë duhen vënë më mirë në lëvizje aparatet qendrore, duke përfshirë këtu edhe aparatin e Komitetit Qendror. Nën drejtimin e Partisë dhe të Këshillit të Ministrave të dërgohen grupe njerëzish në bazë për t’u ndeshur me këto probleme dhe për të ndihmuar nga afër për kuptimin dhe zbatimin e masave që ka marrë Partia. Po nuk u bë kjo punë nga ana jonë, atëherë boshllëkun që do të krijohet do ta mbushë dikush tjetër: armiku me konceptet e tij reaksionare.

Gjendja ekonomike, të jemi realistë, është tepër e vështirë dhe ka rrezik të keqësohet akoma më shumë. Mosrealizimi i energjisë elektrike nga thatësira e tejzgjatur e këtij viti mund të na detyrojë që të mos furnizojmë me energji jo vetëm fabrikat, por edhe shtëpitë. Po kështu kriza botërore e naftës na mbërtheu edhe ne. Mungesa e energjisë elektrike në fabrika bën që punëtorët të mbeten pa punë, pra krijon probleme të tjera. Në sektorin e bujqësisë misri realizohet 70 për qind, fasulja 40-50 për qind, pambuku nuk po mblidhet etj. Pra edhe këtu ka mosrealizime të ndjeshme.

Kjo situatë e bën tepër të domosdoshme qëndrimin sa më pranë masave, për të biseduar me to rreth këtyre problemeve e njëherësh për të rritur mobilizimin e tyre në punë. Ndryshe të dy krahët që thamë do të bëjnë sehir e do të sulen kundër Partisë e pushtetit. Nga njëra anë krahu liberal do të thotë që ky pushtet falimentoi, nuk është gjë, e tregoi veten e vet, kurse nga ana tjetër krahu “parimor” do të thotë që kjo gjendje është konsekuencë e masave ekonomike e të tjera që janë marrë.

SHOKU FOTO ÇAMI: Deri te ngjarjet e ambasadave dhe të Kavajës ka njerëz që i interpretojnë sikur janë pasoja të vijës së Partisë, që u lamë shteg, nuk i parandaluam, dhe jo të veprimtarisë së armikut.

SHOKU XHELIL GJONI: Madje dhe qytetari, fëmija e të cilit u fut në ambasadë, ankohet: “Pse e latë ambasadën hapur që më iku djali?”. Sikur e keni ne detyrë të ruajmë fëmijën e tij se ku shkon.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj duhet organizuar puna, duke shkuar dhe ju vetë në bazë një çikë më shumë, për të marrë kontakte me masën, me sekretarë partie, me komunistë, se kam përshtypjen që jemi pak larg masave dhe mbajmë më shumë kontakte me zyrtarë. Nga ana tjetër, mund të organizojmë grupe me njerëz nga Partia e pushteti, që kanë bindje të plota për këto masa që po marrim, e t’i dërgojmë në rrethe. Ndoshta nuk mund t’i përballojmë të tëra rrethet përnjëherë me grupe të tilla me rreth 10 veta, por mund t’i dërgojmë në fillim në disa rrethe që kanë një situatë më të dobët, si për shembull, në Mat, ku të ndihmojnë Komitetin e Partisë dhe Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, të marrin kontakte me masat, me sekretarë të Partisë, drejtorë ndërmarrjesh, kryetarë të kooperativave bujqësore, të venë në disa kooperativa që kanë probleme, me qëllim që të merren masa për ta shëndoshur gjendjen.

SHOKU ABDYL BACKA: Në Lezhë dërguam 3-4 veta dhe ndihma e tyre pati efekt, se vajtën edhe në fshatra. Por prapë ka rezerva dhe duhet ta mbajmë të tendosur punën në çdo situatë.

SHOKU xhelil gjoni: Unë mblodha sekretarët e byrove të dikastereve për këtë punë, u shpërndanë shokët nëpër të katër rajonet e Tiranës për të ndihmuar lidhur me diskutimin e planit të vitit të ardhshëm dhe për problemet e prodhimit.

SHOKU FOTO ÇAMI: Do të organizojmë disa grupe të tilla për t’i dërguar në rrethe.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mos pretendoni t’i organizoni këto grupe menjëherë në tërë vendin, por filloni në 2-3 rrethe, për të qenë në sulm, se dhe forca për këtë punë kemi mjaft.

SHOKU FOTO ÇAMI: Sekretari i Komitetit të Partisë të Rrethit të Dibrës, Bardhyl Zeka, më tha që dominues në Dibër është opinioni konservator për këto masa që janë marrë, në kuptimin që “mos po largohemi nga vija, mos po largohemi nga lufta e klasave, mos po largohemi nga rruga që kemi ndjekur deri tani, mos po bëjmë lëshime?”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këta njerëz që kanë këtë opinion nuk e kuptojnë se kjo që po ndodh te ne është tamam luftë klasash.

SHOKU FOTO ÇAMI: Kjo që po bëjmë është luftë e madhe për jetë a vdekje. Është fakt që ky opinion dominon në disa rrethe, si në Dibër, Skrapar etj.

SHOKU RAMIZ ALIA: Problemeve u duhet rënë në ballë. Këta njerëz që shprehin dyshimin se mos po largohemi nga rruga që kemi ndjekur deri tani, çfarë alternativë tjetër mendojnë? Apo të qëndrojmë në pozicionin që fshatari të mos ketë bukë, të mos ketë qumësht, të mos ketë mish, që qytetari të ketë triska dhe të dalë që në orën 2 të natës për të blerë qumështin? Kjo është alternativa? Ne bëjmë mirë që diskutojmë me njëri-tjetrin këtu për këto probleme, por jam i bindur që nuk ua kemi shpjeguar mirë masave. Kemi mbetur vetëm me ato ide që janë thënë në plenumet e Komitetit Qendror dhe pak përpjekje ka për t’i shpjeguar e sqaruar ato në masat punonjëse.

SHOKU ABDYL BACKA: Sot ishte tek unë Osman Murati[2] dhe midis të tjerave më tha që ka dëmtime të pronës në fshat, por po të punojmë më mirë me fshatarin do të kalojë kjo situatë.

SHOKU FOTO ÇAMI: Po dhe aq lehtë nuk do të kalojë, sepse krijimi i tregut fshatar hap shtegun për të vënë dorë në pasurinë kooperativiste dhe për t’i shitur prodhimet e vjedhura në pazar.

SHOKU ABDYL BACKA: Po nuk janë tërë fshatrat rreth qyteteve, shumica janë në thellësi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe veprimet që kemi ndërmarrë në fushën e politikës së jashtme, këta që e quajnë veten “parimorë” i konsiderojnë sikur po largohemi nga vija jonë, që u qëndronim dhe demaskonim imperializmin dhe revizionizmin. Në dukje ashtu është, që ne sot nuk po bëjmë të njëjtën luftë që bënim më parë kundër imperializmit dhe revizionizmit, por cilit imperializëm t’i qëndrojmë tani? Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vënë në mbrojtje të interesave të Kuvajtit dhe po kundërshtojnë, ashtu si gjithë shtetet e tjera të botës, pushtimin e tij nga Iraku, duke kërkuar me forcë largimin e trupave të tij nga territori i Kuvajtit. Atëherë çfarë ka këtu për të demaskuar? Këta njerëz a e shikojnë që situata ndërkombëtare ka ndryshuar? A u bëjnë analizë ndryshimeve dhe zhvillimeve të reja që po ndodhin në Evropë e në tërë botën? Në një kohë që superfuqitë ndryshuan konceptin e tyre politik, ne nuk mund të themi që jemi me konceptin e vjetër. Nuk ndryshuam ne, por ndryshuan ata qëndrimin dhe konceptet e tyre politike. Ose çfarë të themi për Traktatin e Varshavës, kur ai mori fund, apo për luftën midis dy blloqeve, kur ajo nuk ekziston? Pra, qëndrime të tilla që mbanim ndaj imperializmit, superfuqive, blloqeve, tani nuk ngjisin asgjëkund.

SHOKU FOTO ÇAMI: Tani kanë ndryshuar shumë gjëra në botë dhe ndaj këtyre ndryshimeve nuk mund të qëndrosh indiferent.

SHOKU ABDYL BACKA: Po dhe fakti që ne qëndrojmë fort në pozitat e socializmit, a nuk është luftë me tërë imperializmin, me tërë botën?

SHOKU RAMIZ ALIA: Po njerëzit që kanë këtë mentalitet konservator nuk e duan kështu, e duan ndryshe. Ata duan që ne të themi se jemi marksistë-leninistë, se vazhdojmë të zhvillojmë luftën e klasave me konsekuencë, se ajo nuk ka pushuar, po është acaruar më shumë...

SHOKU HEKURAN ISAI: Se do të luftojmë një me njëqind...

SHOKU FOTO ÇAMI: Ata duan që të akuzojmë imperializmin si gjakatar, si shtypës e të tjera.

SHOKU RAMIZ ALIA: Duan t’i themi të gjitha siç i kemi thënë deri tani, se po nuk i thamë kështu jemi larguar nga vija.

SHOKU XHELIL GJONI: Në këtë kuadër edhe Shkolla e Partisë mund të organizohej.

SHOKU HEKURAN ISAI: Çfarë bën Shkolla e Lartë e Partisë tani?

SHOKU XHELIL GJONI: Cikle bisedash.

SHOKU RAMIZ ALIA: Shkolla e Lartë e Partisë këtë vit mund të mos pranonte fare të rinj, por çdo dy javë të shkonin atje nga 100 veta, sekretarë të Partisë, kuadro etj., dhe të zhvilloheshin me ta biseda e leksione për sqarimin e problemeve të mekanizmit ekonomik e të tjera që kanë dalë. Mund të venim edhe ne të zhvillonim biseda t’u shpjegonim atyre rreth këtyre problemeve. Kjo do të ishte puna më e dobishme që mund të bënte ajo aktualisht.

Në këto kushte lufta jonë nuk është e lehtë, por shumë e vështirë, ajo kërkon një mobilizim të madh të Partisë e të masave për t’ia dalë në krye, duke ruajtur pozitat e Partisë. Ndryshe rreziku do të na qëndrojë mbi kokë si shpata e Damokleut, sepse askush në botë nuk do që këtë proces të demokratizimit në vendin tonë ta udhëheqë Partia. Reaksioni kërkon likuidimin e komunizmit, të Partisë, të pushtetit popullor. Dhe është për të ardhur keq që disa nuk po e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë këtë.

Iniciativën duhet ta kemi ne në dorë. Por atë nuk mund ta mbajmë, në qoftë se nuk kemi mbështetjen e popullit, në qoftë se masat e gjera punonjëse nuk i kuptojnë këto gjëra dhe nuk janë të bashkuar me ne. Këtë duhet ta kemi të qartë.

SHOKU FOTO ÇAMI: Problemi më i vështirë është ai ekonomik, kurse të tjerat i kemi vetë në dorë dhe mund të manovrosh më lehtë.

SHOKU ABDYL BACKA: U kombinua faktori i jashtëm kundër nesh me një situatë ekonomike të rënduar që është prapë kundër nesh.

SHOKU HEKURAN ISAI: Disa gjëra po ua veshim vështirësive, po i ekzagjerojmë, kur mungon mobilizimi. Për shembull, pse të mos realizohet prodhimi i perimeve, kur të gjitha i kemi nën ujë dhe nuk kanë lidhje fare me shiun? Ne duhet t’i zvogëlojmë në minimum ato vështirësi që i kemi vetë në dorë, që nuk janë objektive. Pra, të ndajmë shapin nga sheqeri dhe të mos i rrumbullakosim gjërat.

SHOKU XHELIL GJONI: Disa rrethe që kanë punuar mirë për blegtorinë, prodhimet e saj i kanë me tejkalim, kurse ca të tjerë nuk i kanë mirë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për kapërcimin e vështirësive ekonomike duhen gjetur rrugë sa më efektive.

SHOKU FOTO ÇAMI: Rruga e vetme është mbështetja te faktori i brendshëm dhe tërheqja e kapitalit të huaj.

SHOKU RAMIZ ALIA: E dini ju sa kemi tërhequr deri tani? 200 milionë dollarë kemi borxh.

 SHOKU FOTO ÇAMI: Kredi është dhe ajo.

(Me kaq takimi u mbyll)

SHEFI I SEKTORIT TË PËRGJITHSHËM Fatmir Zaloshnja/TemA