Dëmshpërblimet nga dëmet e përmbytjeve masive në fillim të këtij viti, nuk i ka ndihmuar fermerët të kapërcejnë vështirësitë. Në masë ata po groposin prodhimet për shkak të mosgjetjes së tregut, ndërsa një pjesë prej tyre, vijojnë të mos kenë marrë mbrapsht kompesimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.

Në “Studio Live” me gazetarin Ermal Qori, ishte i ftuar kreu i Shoqatës së Agro-biznesit Agim Rrapaj, i cili për nevojën urgjente në ndihmë të fermerit, rregullimin e ligjit për siguracionin dhe hartimin e një kontrate të siguruar.

“Dëmet kanë proces vlerësimi, por koha e dëmshpërblimit zgjat thuajse një vit. Kjo ka qenë periudhë më e afërt që është bërë dëmshpërblimi këtyre fermerëve të dëmtuar. Është proces i gjatë që nuk dëmshpërblen 100%. Është selektiv se jo të gjithë fermerët janë të formalizuar dhe kjo na ka ndodhur shpesh, kryesisht në Frakull të Fierit dhe Divjakë. Procesi i dëmshpërblimit është i ngadaltë, burokratik që nuk kënaq fermerët. Zgjidhja është siguracioni dhe për këtë duhet punuar që ky proces të realizohet sa më parë. Hapi i parë është bërja e një ligji. Siguracioni është zgjidhja, por ky nuk përballohet vetëm nga fermerët. Primi i sigurimit është i lartë dhe i pamundur që ta realizojnë në këtë masë që është sot me rreth 7%. Fermerët nuk i fitojnë kaq që të përballojnë këtë prim sigurimi. Është e domosdoshme që një pjesë ta përballojë shteti, fermeri, shoqëria e sigurimit dhe në donator. Elementi i dytë është kontrata nëse nuk lidhim kontratë dhe nuk e sigurojmë, ne nuk kemi për t’i dhënë zgjidhje këtyre problemeve që po hasim. Duhet një kontratë që të kemi mundësinë të përcaktojmë përgjegjësitë e gjithsecilit”, tha Rrapaj.

Eksperti i Bujqësisë Eduart Sharka, vuri gjithashtu theksin tek nevoja e sigurimit të fermerëve. Sharka tha se është e nevojshme që shteti të paguajë 2-3 vitet e para primin e sigurimit në mënyrë për të lehtësuar fermerin dhe mundësimin e funksionimit të skemës së kompesimit.

“Sigurimi është një nga zgjidhjet e pamohueshme. Sa më shpejt aq më mirë. Është e rëndësishme në kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore. Është e pazëvendësueshme kjo masë. Kemi propozuar që fillimisht primin e sigurimit ta paguajë shteti. Mund të jetë kostot 2-3 vjeçare për shtetin. Ia vlen që fonde publike të adresohen në këtë pikë se pas kësaj skema arrin në stadin për të funksionuar. Për krizat e treguar, siguracioni është një masë plotësuese”, tha Sharka.

Eksperti i Bujqësisë gjithashtu tha se reagimi nga shteti ka qenë shumë i pakët përballë vështirësive që përballen fermerët. Ndër të tjera ai tha se Shqipëria është shumë larg politikave evropiane sa i përket sektorit të bujqësisë duke theksuar këtu dhe statusin e vendit tonë për anëtarësimin në BE.

Agim Rrapaj tha gjithashtu se buxheti i shtetit nuk është i duhuri në krahasim me nevojat e sektorit duke shtuar se ky nivel financimi, mund të na cojë përballë vështirësive më të mëdha.

“Buxheti nuk është i duhuri i krahasuar nga të gjitha pikëpamjet. Buxheti vjen në rritje nga viti në vit, por kjo është një rritje që nuk përballoj nevojat minimale. Bujqësia nuk mund të jetë sektor strategjik, por është jetik. Nëse vazhdojmë me këtë nivel financimi, do ë jemi përballë në vështirësie tjetër të disbursimit të fondeve. Ky është risku i madh që duhet ta eliminojmë”, tha Rrapaj.