Dokumenti / Si i bindi Mjeda krerët
jezuitë dhe u kthye në atdhe

Dokumenti / Si i bindi Mjeda krerët<br />jezuitë dhe u kthye në atdhe
     Duke dashur të vazhdojmë përfundimet që dolën nga zbulumi i tre letrave që u botuan tek “Rilindasi” një javë më parë, po bëjmë më poshtë kritikën e proces verbalit të konsultës  së Provincialëve të datës 15 nëntor 1911.
Letra është shkruar nga Padre Asistenti në formën e një përgjigje të përmbledhur ndaj kërkesës së Dom Ndre Mjedës për t’u ripranuar në Shoqerinë e Jezuitëve. Në pjesën e parë Padër Asistenti e sqaron Mjedën se është shumë e vështirë që të realizohet kjo kërkesë e tij. Bile tani mbas dekreteve të fundit të Kongregacionit të Shenjtë vështirësia për falje është bërë edhe më e madhe. Megjithatë Padër Asistenti tregohet dashamirës me Mjedën duke thënë se cështja e tij do të merret në konsideratë, dhe në se do të ketë shpresë ai do t’i shkruante. Ndërsa në pjesën e dytë të përgjigjes, Padre Asistenti e njoftoi Mjedën se ceshtja e tij është propozuar në konsultën e Provincialëve të 15 nëntorit, por të gjithë ishin të mendimit që të mos ripranohej.

Kjo letër e shikuar së bashku me dokumentet e tjera të mëparshme na len të kuptojmë natyrën e vërtetë të refuzimit që ju bë Mjedës në rastin e kërkesës së tij për ripranim ne vitin 1911: Në dukje përgjigja negative duket absolute, por duke e parë cështjen më thellë mësojmë se Mjedës nuk ju dha falja për shkak të efekteve burokratike të dekreteve të fundit të Kongregacionit që e kishin bërë shumë të vështirë akordimin e faljes. Duke e parë në këtë këndvështrim mësojmë se qëndrimi i etërve nuk do të ishte kaq refraktar ndaj Mjedës, sepse mbas pak kohësh do ta shohim Mjedën mbrënda kuvendit si profesor i seminarit, ose si këshilltar kryesor i revistës së tyre “Leka” i cili jetonte me status të veçantë në banesën e tyre.

Analiza e tre letrave të tjera autografe që Mjeda shkroi në Milano, në datat 12, 20 dhe 24 dhjetor 1898, si dhe tre fletët me intestinim të Cavalier Andrea Chremaschi-t (18,21,23 dhetor 1898) krijon një kompleks më vete dokumentash që flasin për mënyrën se si u kthye Mjeda në Shqipëri. Letra #5 e datës 12 dhetor 1898 i drejtohet Padër Provincialit të Provincës Venete me shqetësimin e vetëm se meqë kishte vendosur të kthehej në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit ai i lutejqë ta rekomandonte tek eproret e tij për ti dhënë faljen si dhe të drejtën e Meshës së Shenjtë dhe Misionit në Shqipëri. Letra ka edhe shumë informacione të tjera që paraqesin interes për studimet mbi jetën e Ndre Mjedës. E rëndësishme është se për vendimin që ka marrë Andrea Mjeda për tu kthyer në Shqipëri me rastin e festave nuk ka dijeni as i vëllai Lazri as e ëma Lucija, kështu që së pari ai lajmëron familien për planet e tij si dhe Arqipeshkvin e Shkodrës, eprorin direkt të tij duke e lutur që ta pranonte, duke e dërguar këtë pranim sa më parë në Romë; kështu ai do të kthehej në Shqipëri me pafajësinë si dhe me të drejtën e Meshës dhe Misionit.

Më tej Mjeda shkruan se po kalojnë 3 javë që ende nuk i ka ardhur asnjë përgjigje. Ai tregon se ka një dhimje të papërmbajtur për mënyrën se si kanë rrjedhur punët e tij kohët e fundit në Itali. Ai shprehet pesimist për kërkesat e tij sepse po afrohen festat e shenjta dhe në se shkonte në Shqipëri në këtë javë nuk besonte se do të kishte përgjigje të favorshme. Mjeda njofton eprorin e tij se muajin e kaluar i kishte kërkuar Kongregacionit për të pasur mundësi të celebronte meshën të paktën për një muaj; ndërkaq që do të kishte kërkuar një ipeshkëv bamirës.

Sikur të kishte pasur Meshën e Shenjtë Mjeda do të mund të shkonte në Shkodër i qetë, sepse cdo gjë do të kishte përfunduar për mirë në përputhje me planet dhe shpresat e tij. Mjeda ankohet se përgjigjen për problemet e tija duhet ta merrte tek Padër Prokurori i Përgjithshëm, përgjigje që nuk e mori asnjëherë.
Letra përmbyllet me një përulje totale të Mjedës në këmbët e Hirësisë, gjë që nuk është karakteristike e shpeshtë për të: “Tani unë jam në këmbët e hirësisë suaj”, “Ndoshta do të mund të më jepej kaq shpejt sa të shkoja për të gëzuar festat në Shqipëri”, “Jo këtu duke vuajtur në mjerim dhe vetmi të plotë”, “Dhimbja ime është e madhe mbi cdo besim”, “ U bëftë vullneti i Zotave”

Letra #6, autografe e Ndre Mjedës e 20 dhetorit 1898 i drejtohet një kleriku të lartë, mendojmë ne në Itali. Prej saj mësojmë se Mjeda sapo është kthyer prej Rome, ku me siguri ka vajtur për t’u interesuar për kërkesat e tij. Në këtë letër ai shpreh cudinë se Padër Prokuratori i Përgjithshëm nuk është pyetur ende prej Kongregacionit të Shenjtë. E gjithë letra ka një fryme të theksuar pesimizmit lidhur me kërkesat e Mjedës ndaj Nënsekretarit të Kongregacionit të Shenjtë, Arqipeshkvit të Shkodrës si dhe figurave të Klerit të Lartë. Më poshtë kemi të konsiderata interesante që shpreh Mjeda lidhur me raportin e tij me Fretërit Franceskan. Kjo besohet ngaqë i kanë propozuar të punojne tek Fretërit të cilët donin të reformonin shkollat e tyre, duke e porositur Mjedën që të komunikonte me to në mënyrë njerëzore. Pse kjo porosi? Me siguri që dihej karakteri i vështirë i Mjedës. Gjithashtu, për herë të parë mësojmë se Mjedës i pëlqejnë punët që i krijojnë komoditete për punë letrare. Dhe së treti se Mjeda është i vetëdijshëm se cdo gjë që ka e ka të tërën prej Shoqërisë së Jezuitëve; dhe se duke punuar ndër Francescan do të përdorte benefitset e Shoqërisë së Jezuitëve. Mjeda ngul këmbë që të mos shkojë për të punuar tek Franceskanët thjesht për një rrogë.

Mjeda premton se kur të kalonte nëpër Venedik do të fliste me Padër Provincialin. Në mbyllje të letrës Mjeda flet për problemet financiare dhe ekonomike me të cilat është përballuar gjatë kohës që ka jetuar në Milano dhe për ndihmat që ka kërkuar nga i vëllai Lazri si dhe nga Ordinari i tij Guerini. Letrën e përmbyll duke u porositur tek Hirësia e tij për një rekomandim tek Eprorët. Letra është shkruar nga qyteti i Milanos në italisht me 24 dhetor 1898.

Letra # 7, autografe e Ndre Mjedës e 24 dhetorit 1898 i drejtohet një kleriku të lartë, mendojmë ne, Arqipeshkvit të Shkodrës Pashk Guerinit. Mjeda mendon se qëndrimi evaziv i Gjeneralit të Përgjithshëm duhet të kuptohet tani për tani, sepse poeti ynë ende nuk e ka gjetur ipeshkvin që ka për ta pranuar në Shqipëri. Vec kësaj qëndrimi i Guerinit për t’ia paraqitur si të mundshme dhënien e mësimit ndër franchescan nuk i sillte Mjedës detyrime famullitare, pra ai do të ishte i lirë për krijimtarinë e tij letrare. Mjeda i kundërpërgjigjet Guerinit se Abati Doci e kishte pranuar Mjedën në Abacinë e Mirditës  por do ti mungonte vetëm titulli i Misionit që i lutet për ta nxjerrë.
Ndërkohë Guerini e këshillon Mjedën që të mos kthehet në Shqipëri, kurse Mjeda e kundërshton sepse në Itali tani katedrat e seminareve janë të gjitha të zëna.

Edhe porosinë që i jep Guerini për të kërkuar ndihmën e Padër Leonardos dhe miqve të tij, Ndre Mjeda nuk e shef me interes. Por në anën tjetër Mjeda i kërkon Guerinit që ta rekomandojë si Profesor letersie, filozofie, teologjie si dhe për të kryer ndonjë punë brënda zyrave të Kongregacionit në Rome. Këtë gjë mund ta nxirrte më lehtësisht meqë Shqipëria nuk përfaqësohet aty. Problem tjetë që trajton Mjeda në këtë leter është se po të shkojë Mjeda në Shkodër, Etërit Jezuit nuk do të ishin pengesë përkundrazi avantazh, duke qenë se do të kishte të njëjtit udhëheqës shpirtërorë. Duke parë një farë nurrimi të Guerinit, Mjeda mbështetet tek vullneti i Zotit, që do të thoshte se askush nuk mund t apengonte të kthehej në Shqipëri. Mbas këtij ”kërcënimi” Mjeda i kërkon Guerinit që t’i jepte një shenjë se do të ndërhynte tek Eproret për te. Letra është shkruar nga Ndre Mjeda në MIlano në një vendqëndrim të ri, në një shtepi tjetër nga ajo e mëparshmja:

1)Partia e dokumentave që promovuam në këto dy numrat e fundit të suplementit “Rilindasi” përbëjnë një pasurim të mëtejshëm të fondit arkival Ndre Mjeda. Ato do të mbeten një burim studimesh të reja për jetën dhe veprën e albanologut tonë.

2)Për herë të parë ne arritëm të sqarojmë të vërtetën e prishjes së Mjedës me Eprorët Jezuitë si dhe të raporteve të tyre të mëvonshme, mbështetur në dokumenta autentike që burojnë nga arkivat Jezuite. Deri tani për këtë problem është folur vetëm me opinione dhe hipoteza. Kur ka qenë problemi i thyerjes së disiplinës së brendshme të shoqatës së Jezuitëve të dy palët kanë mbajtur qëndrim të prerë. E vecanta këtu është se Mjeda në veprat e tij nuk ka pranuar të heqë dorë nga qëndrimet e tija në favor të cështjes kombëtare. Këtu provohet roli i madh që luajtën dy vëllezërit Mjeda në luftën për një alfabet shkencor të përbashkët për shqiptarët. Me këtë rast u sqarua për herë të parë se edhe transferimi i Emzot Lazer Mjedës në Shkup, lidhet me ngjarjet e Kongresit të Manastirit.

3)Për herë të parë këto dokumenta provojnë prirjen e madhe që ka patur Mjeda që, mbasi të marrë faljen nga Kongregacioni të kthehet në atdhe, për të gjetur një vend pune që i jep lirinë për krijimtarinë e tij letrare, si dhe për projektet e tija shoqërore.

Mjeda, hartoi plane dhe projekte të guximshme për të ardhur si kryetar i shoqërisë “Bashkimi”.
4)Që adoleshent Mjeda hyri në shoqërinë e Jezuitëve me dëshirë dhe etje të madhe, duke menduar kështu se do të realizonte një edukim dhe arsimim të përsosur. Vlerësimet për Shoqërinë e Jezuitëve ai i ruajti gjatë gjithë jetës së tij studentore, kur u gradua Atë, kur u përjashtua nga shoqëria dhe më vonë kur punoi si i jashtë në  shtëpinë e Jezuitëve në Shkodër, kështu derisa vdiq dhe u varros në kishën e Shën Njacit, Shkodër. Është shumë kuptimplote deklarata e Mjedës e dhetorit të vitit 1898 se cdo gja që kishte e kishte prj arsimit dhe edukatës që kishte marre në Jezuitë.

5)Letrat provojnë se Mjeda edhe mbasi e kanë përjashtuar eprorët ka kërkuar të ripranohet në kuvend. Në mënyrë zyrtare, ai ka kërkuar të ripranohet në vitin 1911, gjë që nuk ka ndodhur vetëm për shkak të dekreteve të miratuara gjatë kësaj kohe në Kongregacionin e Shenjtë.

6)Në këto letra mësojmë se gjatë muajit dhetor 1898 Mjeda ka bërë përpjekje të shumta pranë personaliteteve të larta të klerit në Itali, që t’i jepnin faljen si dhe të drejtat e Meshës së Shenjtë dhe të Misionit. Letrat provojnë se Mjeda i kaloi festat e fundvitit në mjerim të plotë në Itali dhe u kthye në atdhe menjëherë pas përfundimit të tyre.
Dëshëroj të falenderoj publikisht studiuesin Nexhmi Bushati i cili bëri të mundur përkthimin e këtyre letrave në shqip.
 
Letra 4
Dom Ndre Mjeda kërkon të ripranohet në Shoqërinë e Jezuitëve
26.09.1911
—————
30.09.1911
Zotërija e Juaj e dini sa e vështirë është të bëhet ajo që ju kërkoni. Pas dekreteve të fundit të Kongregacionit të Shejtë vështirësia është bërë edhe më e madhe: të paktën nuk do të mungojë që cështja të merret në konsideratë dhe nëse do të ketë shpresë unë do t’Jua shkruaj.
———————-
Cështja u propozua në konsultën e Provincialëve të 15 nëntorit. Të gjithë ishin të mendimit që të mos ripranoheni.
—————————-
Shkruar prej Pader asistentit me 15 nëntor 1911
N.P. përgjigje e mos ripranimit
 
Letra 5
Milano 12/12/1898
Të Përnderuarit Padër Provincialit të Provincës Venete
Pas marrjes së përgjigjes prej Padër Gianninit, muajin e kaluar u përgatita për t’u nisur në Shqipëri, por mora një letër nga vëllai im, i cili mendon se kisha gjetur punë jasht vendit, dhe se nëna ime nuk kishte dijeni për asgjë. Vendosa kështu ta lajmëroja më parë; njëkohësisht i dërgova letër Arqipeshkvit të Shkodrës, ordinari im duke e lutur që të më pranojë duke më dërguar këtu pranimin e tij, sepse kështu do të kisha shumë shpejt pafajësinë prej Rome e do të isha kthyer me të drejtën e Meshës së Shejtë në Shqipëri. Kam pritur dy javë por nuk kam pasur asnjë përgjigje; sot mbushet java e tretë dhe do të ishte dita e postës nga Shqipëria, por deri në këtë orë të vonë( ora 21) nuk më ka ardhë asgjë.

Jam i papërmbajtur nga dhimbja. Po afrohen festat e shenjta, e në se shkoj në Shqipëri në këtë javë sikur kisha vendosur, edhe sikur të mundja të dërgoja prej andej menjëherë në Romë pranimin e arqipeshkvit, nuk do të isha në kohë për të pasur përgjigjen e favorshme. Të shtunën vijnë pushimet e Kongregacionit. Muajin e kaluar i kisha kërkuar Kongregacionit përmes një Aplikimi Spedicionar, për të pasë mundësi të celebroja meshën të paktën për një muaj; ndërkaq do të kisha kërkuar një ipeshkëv bamirës. Sikur të kisha pasur Meshën e Shenjtë, do të kisha shkuar në Shkodër e ndoshta cdo gjë do të kishte marrë fund. M’u dha përgjigje që Kongregacioni i Shenjtë kishte vendosur të dëgjohej vendimi i Padër Prokuratorit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezuitëve. Shihet se mendimi i Padër Prokuratorit qe i kundërt, sepse që atëherë e deri më tani nuk mora asnjë  përgjigje për një gjë të tillë, ndonëse i kam shkruar një herë tjetër.

Tani unë jam në këmbët e Hirësisë Suaj duke ju lutur për dashurinë e Jezu Krishtit dhe të një Nëne shumë të ëmbël që të interesoheni pranë M. R. P. të Përgjithshëm në mënyrë që të më jepet falja dhe për të pasur të drejtën e Meshës për një muaj, ndonëse ende nuk e kam gjetur ipeshkvin bamirës.
Ndoshta do të mund të më jepej kaq shpejt sa të shkoja për të gëzuar festat në Shqipëri; jo këtu duke vuajtur në mjerim dhe vetmi të plotë.
Hirësia Juaj të më falni për shqetësimin; por dhimbja ime është e madhe, mbi cdo besim; u bëftë vullneti i Zotave.

Duke më rekomanduar tek Eprorët Tuaj
i Hirësisë Suaj
shërbëtori më i ulët
Ndre Mjeda
 
Milano, Viale Monforte, 25
12 dhetor, 1898

Letra 6
Atë shumë i Përnderuar
Mbrëmë, në kthim prej Rome gjeta letrën e Padër Freddit që Hirësia e Juaj pati mirësinë të ma dërgonte. Unë nuk kuptoj më asgjë: në letër thuhet që Padër Prokuratori i Përgjithshëm nuk është pyetur ende prej Kongregacionit të Shenjtë, ndërkohë në Kongregacionin e Shenjtë më qe thënë (lexuar nga një libër i madh i tyre që përgjigjja ishte e dy dhetorit: “orator sekursat Commendatus ab…… Episcopo".
Sidoqoftë Arqipeshkvi i Shkodrës më bëri letër rekomandimin, dhe më qe premtuar prej Nënsekretarit të Kongregacionit të Shenjtë se për festat do ta kem tashmë faljen që zakonisht i jepet dikujt. Arqipeshkvi i Shkodrës ka qenë shume i mërzitur per cështjen time, dhe i ka ardhur shumë keq që nuk është thënë asgjë në këtë kohë. Për sa i përket takimit me mua e vetmja vështirësi e tij që unë nuk dua t’i përshtatem atyre zyrave që mund të kenë aty.

Në fund më ka thënë se sapo të jetë në Shkodër, (niset menjëherë mbas festave) do të kërkojë për mua një vend. Por të them të vërtetën vëndi që ai ma ceku për ta menduar nuk më pëlqeu. Më tha se Freterit donin të reformonin paksa shkollat e tyre, dhe ja cfarë di tjetër: qëllimi i tij do të ishte të merresha me ta njerëzisht. Kjo jo se nuk më pëlqente, sepse kjo punë jo vetëm që më siguronte jetesën time por do të më lejonte të gjitha komoditetet që të merresha me punë letrare që më pëlqenin më shumë.

Por nga ana tjetër nuk e dëshiroja aspak sepse tërë ajo që unë kam e kam pasur të tërën prej Shoqërisë së Jezuiteve; dhe me këtë punë më duket se do të përdorja benefiset e shoqërisë, duke bërë në këtë mënyrë një llogaritar altari ndaj Etërve.
Duke u kthyer për në Shqipëri do të kaloj nëpër Venedik dhe në se më jepet rasti të flas me Patriarkun, unë do të ofrohem për të dhënë mësime o në filozofi, o në teologji, o në letra, në se jo në këtë vit, për vitet tjera.
Në se Hirësia Juaj do të besonte të bënte një rekomandim mendoj se do të ma lehtësonte punën.

Në se nuk do të mund të kem asgjë duhet të bëj si ma kërkon nevoja. Vëllai im, të cilit i kam kërkuar me telegram, javën e fundit që të më dërgonte 6 napoleona, më bëri t’i telegrafoj përsëri se po prisja përgjigje prej tij; por deri tani ajo nuk më ka ardhur ende. Sikur Arqipeshkvi i Shkodrës të mos më kishte dërguar me postë 2 napoleona, unë nuk do të kisha më asgjë: udhëtimi më ka rrënuar; por në fund ishte e vetmja mënyrë për të kombinuar dicka, e kështu i duket edhe Padër Rivierës.

Duke ju falenderuar për kujdesin që keni treguar ndaj meje, si edhe duke më rekomanduar tek Eprorët Tuaj, jam
i Hirësisë Suaj
shërbëtor më i ulët
Ndre Mjeda
 
Milano, Viale Monfreddi, 25
20 dhetor 1898

Letra 7
 
Fd 132, V 1898, D 12, Fl 3 & 4
 
Milano, 24 dhetor 1898
 
Shkëlqesi e Ndritshme dhe e Përnderuar
 
Falenderoj jashtëzakonisht Shkëlqesinë Tuaj për shërbimet e mira që keni bërë që unë të kem Meshën e Shenjtë. Zoti pra jua shpërbleftë me bekimet e Tija qiellore.
Sa për qëndrimin e Atit Gjeneral i Përgjithshëm, më duket se veprimi i tij tani per tani duhet kuptuar, ndërkohë, që unë nuk kam gjetur ende ipeshkvin që ka për të më pranuar, sepse mendimi i tij ka qënë kërkuar për të më dhënë Meshën në këtë interval kohe. Vec kësaj, shërbimi për të cilin Shkëlqesia e Juaj ma kishte paraqitur si të mundshëm, që  të jap mësim në Fretër, nuk sjell detyrime famullitare. Unë do të kisha që tani pranimin e Imzot Abatit Doci dhe do të më mungonte vetëm titulli i misionit, që përvujtësisht i lutem Shkëlqesisë Tuaj të Ndritur dhe të Përnderuar të me nxjerrë. Por Shkëlqesia e Juaj më këshillon që të mos shkoj ne Shqipëri; e ku mund të gjej vend në Itali tani që katedrat e seminarëve, natyrisht janë të gjitha të zëna? Një të porositur i Atë Leonardos e miqve të tij, nuk është gjë me dobi.

Megjithatë Shkëlqesia e Juaj mund të më ndihmonit edhe në këtë cështje duke më porositur tek Kardinali i Propogandës. Unë mund të jap mësim letërsie, filozofie, teologjie; dhe me arsimimin që më ka dhënë shoqëria e jezuitve mund të jem ndoshta në gjendje të kryej ndonjë punë brenda vetë Kongregacionit. Shkëlqesia e Juaj ndoshta mund ta nxjerrë më lehtë këtë gjë, po qe se do të vinte në dukje se aty nuk përfaqësohet në asnjë mënyrë Shqipëria (që sidoqoftë nuk është e nevojshme).

Sa për atë që në Shkodër gjenden Etërit e Shoqërisë, më duket se për mua nuk janë pengesë sepse ata (ashtu sic e pat vënë në dukje edhe Shkëlqesia e Juaj) nuk kanë si ta marrin për të keq që të më presë Shkelqësia e Juaj. Për më tepër, për mua, prania e Etërve do të ishte një përparësi, duke qënë e mundur që të vijoj kështu të kem po të njëjtit drejtues shpirtërorë.
Edhe në qoftë se Shkëlqesia e Juaj nuk do që une t’i lutem të më pranoje në Arqidiocezin tuaj, të bëhet vullneti i Zotit. Por në qoftë se Shkëlqesia e Juaj nuk më ndihmon, ashtu sic ju jam lutur më sipër, besoj se do jetë e pamundur që unë të mos përpiqem të kthehem në Shqipëri.

Do të më bënit një mirësi të vërtetë po qe se Shkëlqesia e Juaj do të me jepte një shenjë se do të ndërhynit në këtë drejtim për mua.
Duke Ju uruar me shumë gëzime festat e Krishtlindjeve e fillimit të Vitit të Ri, e duke Ju puthur Unazën e Shenjtë, shpallem
I Shkëlqesisë Tuaj të Ndritshëm e të Përnderuar
shërbëtor i devotshëm
meshtar Andrea Mjeda
 
Milano Via Conservatorio, 22
24 dhetor 1898

Shkrimi u publikua sot 27 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit