TIRANË- Mjeku i Urgjencës së QSUT-së, Ilir Allkja, i cili krah kryedemokratit Lulzim Basha, deklaroi se bluzat e bardha nuk kanë mjetet dhe veshjet e duhura për të trajtuar pacientët me koronavirus, thotë se është shkarkuar. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Allkja shprehet se shkarkimi i është komunikuar verbalisht, por ka refuzuar të lërë punën pa pasur një shkresë zyrtare. Duke e quajtur një hakmarrje të pastër nga kryeministri Edi Rama dhe shefi i Urgjencës, Skënder Brataj, Allkja thotë se do të qëndrojë në punë, në kundërshtim me urdhrin, për pacientët.

"Miqtë e mi, sontë më është kërkuar që të largohem nga puna pa motivacion. Kërkova të ma jepnin me shkrim. Hakmarrje e ulët e Edi Ramës dhe e Skënder Bratajt në kohën kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për mjekë. Sonte po qëndroj në punë kundër urdhrit verbal, në shërbim të pacientëve", shkruan ai.

Në deklaratën që pati për mediat 4 ditë më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha publikoi një video të mjekut, i cili tha se ndodhet në vetëkarantinim pasi vizitoi pa mjete mbrojtëse 3 të dyshuar me koronavirus. I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama. Duke mbajtur në dorë foto e publikuar nga vetë Allkja ku shfaqej me veshjen e duhur mbrojtëse, Rama e quajti e cilësoi shkelje etike që i shërben propagandave dezinformuese të PD.