Nga përvoja e dimë se çdo ndërtesë që të ngrihet lart, duhet të vihet mbi themele të forta.
Ngjashëm është edhe puna me kulturën e një kombi - këshillojnë të diturit.
Popullit tonë, në shumë periudha historike, iu rrezikuan këto themele.
E mu në këso situatash dramatike, nga gjiri i tij dolën titanë, që ndihmuan mbijetesën; të tillë që s’u ndalën me kaq, por që lartësuan vlera kombëtare e universale.
Kështu ngjau në historinë tonë të lashtë. Kështu ishte në historinë tonë më të vonshme. Kështu është me historinë tonë më të re. E këtyre përmasave është figura e Don Lush Gjergjit.
Krijimtaria dhe veprimtaria e tij e pasur, është e gjerë, shumëdimensionale, e krijuar dhe përkthyer në disa gjuhë, si dhe me një shtrije në disa fusha: psikologji, religjion, teologji, histori, monografi, biografi, historiografi, publicistikë. Ndaj, të flasësh për të, aq sa është nder, aq është sfidë e përgjegjësi.
Sepse kemi të bëjmë me një figurë dhe vepër të përmasave ndërkombëtare; një personalitet, që me punën dhe veprën cilësore, është bërë aset i rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar.
Don Lushi, në planin e brendshëm, është figura më reprezentative e Kosovës në botë, vepra e të cilit është përkthyer dhe vlerësuar lart kudo, duke përftuar kështu lexues e admirues nga gjuhë, etni e kultura të ndryshme.
Prandaj, e pohojmë me bindje: vepra e tij ka tagrin e fuqishëm të jetë referencë e patejkalueshme dhe dobiprurëse në fushën e kulturës shqiptare, sepse thërret, ndërgjegjëson, jep dituri e informacion, ka cilësi, kompetencë, fuqi e bukuri.
Për ta kuptuar mirë vepra e tij komplekse, kërkohet studime shumëdimensionale, kohë dhe ekipe, mirëpo, në suaza të limiteve që kanë këto aktivitete të bukura si ky i sotmi, do të përpiqem të analizoj disa aspekte të veprës dhe figurës së tij.
Pikësëpari, që ta përthithim veprën shumëdimensionale të Don Lush Gjergjit, kërkohet që ta njohim historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare, veçmas prelatët e shumtë, që vepruan nën petkat e klerikëve, por që ishin shumë më shumë së klerikë.
Autori i parë i librit shqip, Gjon Buzuku, e shkroi Mesharin e tij (1555), për dashuri ndaj popullit të tij dhe për të sforcuar popullin, që t’i qëndronte përballë furtunës së padijes dhe shkatërrimit që e godiste.
E një klerik tjetër, patriark i kulturës dhe letërsisë shqipe, Pjetër Bogdani, këtë filozofi, do ta lartësojë në një shkallë tjetër.
Thënia e tij e famshme: “Fati i popullit tim, është fati im”, nga mesjeta e vonshme, deri në ditët e sotme, u shndërrua në formulë besimi për shumicën e kolosëve të kulturës shqiptare.
Për më tepër, pikënisja bogdaniane do të shndërrohet në kod kulturor e identitar.
E ai këtë formulë e vulosi përjetësisht me jetën dhe veprën e tij, sepse u mishërua me idealet e popullit të tij, deri në vetëflijim.
Me një thes me libra në krah, ai bridhte nga vendi në vend, duke përhapur dije e kulturë.
Në këtë mënyrë, ai e sfidonte errësirën e mëkatit dhe mosdijes; dhe me tërë qenien vihej në shërbim të fatit të popullit të tij.
E dihet, fati i popullit të tij ishte skajshmërish i rëndë, tragjik- ai ndodhej buzë humnerës.
Maksimë bogdaniane, kështu me kohë, do të bëhet paradigmë aksiomatike, sidomos sa i përket rolit të klerit katolik në jetën e kulturore e kombëtare të shqiptarëve.
Historia e kulturës shqiptare, është ngjizur nëpërmjet Formulës së Pagëzimit (1468).
Kjo frazë, edhe në qoftë se është rastësi, s’mund të kuptohet e tillë, së paku, nëse analizojmë shekujt e mëvonshëm të kësaj kulture.
Formula në fjalë, rezulton sikur të jetë shkruar, me destinimin e epërm, të përtejmë: të pagëzoi gjithë kulturën shqipe dhe proveniencën e saj të paluajtshme oksidental.
E më vonë, janë B-të e famshme: Buzuku, Budi, Bogdani dhe Bardhi, ata që vunë themelet e identitetit shqiptar.
Pa këta klasikë, kultura shqiptare është pa themele, ndërkaq filozofia e tyre do të pasohet nga klasikët e mëvonshëm: Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Vingjenc Prendushi, Justin Rrota, Anton Harapi, Lazër Shatojna dhe një çetë e tërë veprimtarësh e dijetarësh, që punuan me përkushtim, sakrificë e dije, në shërbim të kulturës, dijes e përparimit.
Kjo kulturë e traditë, do të përcillet deri në ditët e sotme.
Kështu, nga Shqipëria gjeografike, si një feniks, u shkëput nga qielli i errësuar shqiptar, i urti At Zef Pllumi dhe jetoi për të treguar. Gjithë e dimë se pa tregimin e tij, bota jonë do të ishte shumë më e varfër.
-Në vazhdën e kësaj panorame sinjifikative, duhet parë dhe studiuar portretin krijues dhe intelektual të don Lush Gjergjit.
Ai është klerik dhe dishepull besnik i etërve të sipërpërmendur.
M'u nga fermentimi i ngjarjeve dhe fenomeneve që karakterizuan jetën tonë kombëtare e kulturore, shfaqet edhe portreti i tij, vepra e të cilit mëkon popullin e tij me dashuri, duke i dhënë forcë, dije, kulturë e kurajë; dhe duke e nxitur në humanizëm e mirëbërësi.
Don Lush Gjergji, është një nga emrat e dallueshëm të kulturës shqiptare.
Ai është njeri i kohës sonë, kolos i vërtetë i fjalës së lirë, i besimit dhe humanizmi, që rrezaton si dielli, për të gjithë, pa dallime.
Si gjithë titanët e sipërpërmendur, ai s’do të përulet asnjëherë përball të keqes, por, me punë të palodhshme, do të punon dhe vepron për idealet e tij dhe të popullit të tij; punë të cilën vazhdon ta bëj edhe sot.
Kështu, Don Lushi është bekim për kishën shqiptare, së cilës i shërben, bekim për popullin shqiptar, së cilit i dha shumë kryevepra, bekim për kulturën shqiptare, të cilën e pasuron vazhdimisht dhe i jep njohje botërore.
Pra, një njeri i duhur, në kohë të duhur, ai do të lartësojë dinjitetin e popullit të tij, kur ai përbuzej.
Ai lexoi me shumë kujdes shenjat e kohës dhe u vu në shërbim të idealeve të popullit, duke lartësuar flamurin dashurisë përballë atij të urrejtjes.
Don Lushi iu gjend popullit të tij, në çastet më vendimtare, kur qenia e tij rrezikohej seriozisht, sepse ai ndoqi dhe ndjek me veprime konkrete maksimën: fati i popullit tim, fati im.
Kështu, ai do ta ndihmon popullin e tij në rimëkëmbje kulturore, duke ndihmuar në shpalosjen dhe njohjen e rrënjëve të tij, të figurave të tij identifikuese, siç është Nënë Tereza.
Intelektuali, duhet të jetë si kandili dhe të ndriçon në errësirë.
Ai ka detyrë, që me forcën e arsyes, t’i sfidon të këqijat, të cilat gjithmonë kërkojnë me ngulm të rrënjosën në shoqërinë njerëzore.
Don Lushi, i edukuar dhe shkolluar në teologji, filozofi e psikologji, me një taban të shëndosh kombëtar, ndoqi filozofinë e trasuar nga paraardhësit dhe si kandili, qëndroi stoik përball të keqes dhe errësirës.
Mirëpo, ai s’u kufizua në kaq, sepse predikoi dhe predikon kudo alternativën e vetme që ka njerëzimi për të jetuar në paqe: dashurinë.
Sa herë përmendet ky autor i shquar, kjo figurë poliedrike shqiptare, aty nënkuptohet Nënë Tereza dhe anasjelltas, sa herë që përmendet Nënë Tereza, nënkuptohet Don Lush Gjergji.
Këto dy figura janë dy binome të pandashme, që kanë rrezatuar dhe ndriçuar jetën shqiptare, tashme e disa dekada.
Prandaj, e themi me plot gojën, falë Don Lushit dhe erudicionit të tij, Nëna Tereza, ka arritur të thadrohet në jetën tonë kombëtare, kulturore e identitare, duke u bërë simbol i identitetit modern shqiptar.