TIRANE - Një tjetër kritikë ndaj sistemit tonë të drejtësisë është lëshuar nga ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, kryediplomati i cili thuajse në cdo deklaratë të tij flet për besimin e humbur të shqiptarëve në vënien e drejtësisë. Lu e argumenton këtë situatë me faktin se për të marrë drejtësi në Shqipëri duhet më parë të paguash.

“E dimë që populli shqiptar sot nuk i beson sistemit të tij të drejtësisë. Kemi kaluar muaj të tëre duke folur për gjykatës e prokurorë të korruptuar dhe të paaftë dhe për një sistem ku duhet të paguash para për të marrë drejtësi. Jemi sot këtu për të folur për njerëzit që po punojnë në heshtje për ta ndryshuar këtë sistem, për ta bërë më të vështirë kërkimin e ryshfetit, për të publikuar emrat e zyrtarëve të korruptuar dhe për të edukuar gjykatësit , avokatët apo prokurorët mbi standardet ndërkombëtare. Shqipëria ka ende shumë rrugë për të bërë për ta pastruar sistemin e saj të drejtësisë”, - u shpreh kryediplomati amerikan në vendin tonë.

Kryediplomati tha se mbështet reformën gjithpërfshirë në drejtësi.

"Presim me kënaqësi të vazhdojmë punën tonë në sektorin e drejtësisë dhe mbështetjen për një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi.  Populli shqiptar meriton të ketë një sistem drejtësie të ndershëm, të drejtë dhe të pavarur", tha Lu.

Fjala e plote e ambasadorit Lu

Këto deklarata Lu i bëri gjatë aktivitetit ku u prezantua mbyllja e projekti JAST për vendosjen e sistyemit audio në të gjitha sallat e gjyqeve.