Marrëdhëniet midis OBSH dhe SHBA po bëhen gjithnjë e më të tensionuara. Mësohet se presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër ultimatum Organizatës, në të cilën ai rendit gjithë gabimet e bëra sipas tij prej OBSH në menaxhimin e pandemisë dhe i ka lënë një afat 30 ditorë asaj për të bërë përmirësime thelbësore, në të kundërt Trump thotë se do i ndërpresë përgjithmonë fondet e SHBA-së për OBSH-në, si dhe do të shikojë mundësinë e largimit të SHBA si anëtare e Organizatës
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se: OBSH po punon për një rimëkëmbje të shpejtë globale dhe i kemi kërkuar vendeve të tregojnë kujdes me rihapjen e tyre. Ata që nxitojnë dhe nuk zbatojnë masat në kushtet e pandemisë rrezikojnë të kenë më shumë viktima dhe do të gjymtojnë edhe më tepër ekonominë e vendit të tyre. Pikërisht sepse duam një rimëkëmbje globale sa më shpejt që të jetë e mundur, u kërkojmë vendeve të vazhdojnë rihapjen me kujdes.dhe vetëm aty ku është e mundur. Ata që ecin shumë shpejt dhe pa zbuluar e shtypur transmetimin e koronavirusit janë shumë të rrezikuar.
Por për sekretarin amerikan të shëndetësisë së SHBA, përgjigja e OBSH për pandeminë është e vonuar dhe e pa suksesshme dhe këto të dyja i kanë kushtuar botës shumë viktima.
Sekretarit amerikan i shëndetësisë Alex Azar, riafirmoi tezën e presidentit Donald Trump se nivelet më të larta të organizatës nuk ngritën me kohë alarmin e koronavirusit për shkak të presionit nga Kina.
"OBSH ka dështuar në mënyrë dramatike në sigurimin e informacionit mbi pandeminë e koronavirusit, kjo nuk mund të ndodhë përsëri. Ajo duhet të ndryshojë dhe të bëhet më transparente." - tha Alex Azar, i cili më pas deklaroi mbështetjen e SHBA për "një hetim të pavarur mbi punën" e agjencisë së OKB.
Dje krerët më të lartë të shëndetësisë nga rreth 197 vendet e botës, u mblodhën virtualisht në Asamblenë e Përgjithshme të OBSH për të diskutuar për krizën e shkaktuar nga pandemia e Covid. Rreth 120 vende mbështetën gjithashtu mocionin e BE për një hetim të pavarur mbi origjinën e koronavirusit por që u kundërshtua nga Pekini zyrtar, teksa presidenti kinez deklaroi se vendi i tij është treguar transparent. "Kina - tha Xi Jinping - mbështet një hetim profesional të pandemisë COVID-19 pasi ajo të jetë vënë nën kontroll". Jinping nuk i hapi dyert e laboratorëve të tij, por në këmbim vendosi të dhurojë 2 miliardë dollarë në planin për luftën kundër Covid-19 dhe premtoi të vërë vaksinën kineze në dispozicion për të gjithë botën.
Komisioni Europian mbështeti sot OBSH-në pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërprerjen e kontributit amerikan për këtë organizatë, për të cilën ai ka bërë kritika të ashpra përsa i përket menaxhimit të pandemisë.
“Ky është momenti ku duhet të tregojmë solidaritet dhe jo të drejtojmë gishtin apo të minojmë bashkëpunimin shumëpalësh”, deklaroi një zëdhënëse e Komisionit Europian, Virginie Battu, e pyetur në një konferencë shtypi për deklaratata e fundit të Trump mbi OBSH-në.
Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi se do të ngrinte përgjithmonë financimin amerikan për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, nëse ajo nuk angazhohet në përmirësime të dukshme brenda 30 ditëve.
“Nëse OBSH nuk angazhohet për të bërë përmirësime të dukshme brenda 30 ditëve, do ta transformoj ndërprerjen e përkohshme të financimit për OBSH-në në një masë të përhershme dhe do ta rishqyrtoj anëtarësimin në organizatë”, theksoi Trump në një mesazh në Twitter dhe duke publikuar foto të një letre drejtuar kreut të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Në këtë letër, presidenti amerikan ka renditur shembujt që ai i konsideron si gabime të OBSH-së në menaxhimin e pandemisë.