Papa Leone XIV me Brandon Johnson, kryebashkiakun e Çikagos
Donald Trump u 'xhindos' ndaj Papa Leones XIV pasi pa fotot e takimit të tij me Brandon Johnson, kryebashkiakun e Çikagos, qytetit nga ku vjen vetë Papa.
Presidenti amerikan reagoi në Truth Social, ku shkroi se “dikush duhet t’ia shpjegojë Papës se kryebashkiaku i Çikagos është i padobishëm dhe se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”.
Reagimi erdhi pasi Johnson zhvilloi një vizitë në Romë këtë javë dhe u takua me Papën në Vatikan. Kryebashkiaku i Çikagos i dhuroi Atit të Shenjtë disa simbole të qytetit, mes tyre kapele të ekipeve Cubs dhe Ëhite Sox, çelësin e qytetit dhe mjaltë lokal.
Mes dhuratave ishte edhe një kapele me mbishkrimin “Immigrants Make America Greater” (“Emigrantët e bëjnë Amerikën më të madhe”), si dhe një simbol i qyteteve që mbrojnë emigrantët, gjë që është parë si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj politikave të Trump.
Përplasjet mes Trump dhe Johnson kanë vazhduar prej muajsh. Presidenti amerikan e ka kritikuar vazhdimisht kryebashkiakun për qëndrimin e tij ndaj operacioneve të agjencisë federale të emigracionit ICE në Çikago, ndërsa Johnson ka refuzuar të bashkëpunojë me politikat e deportimit të administratës Trump.
Edhe Papa Leone XIV është përfshirë herë pas here në debatet politike që lidhen me presidentin amerikan, duke përdorur platformën e tij për të dënuar luftën me Iranin dhe për të paralajmëruar kundër qeverive autoritare dhe grumbullimit të tepruar të pasurisë.








