Eksperti i Sigurisë, Faik Basha dhe gazetari Egon Loli, analizuan në emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, shkaqet kryesore të konflikteve në Lindjen e Mesme.

Gazetari Loli në një lidhje live deklaroi se shkaku kryesor për nisjen e luftës mes SHBA-së dhe Iranit është Izraeli. Loli tha se Izraeli është një faktor destabilizues për rajonin, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare dhe armëpushimet, vetëm për të arritur qëllimet e tij.

Këtu ai iu referua urdhërit të fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për pushtimin e 70% të territorit të Gazës dhe sulmet në Liban, pararësisht marrëveshjes në fuqi të armëpushimit.

“Takimi i Trump me Xi Jinping na vërtetoi se nuk është Kina arsyeja kryesore e luftës me Iranin. SHBA dhe Kina, pavarësisht rivalitetit, kanë shumë nevojë për njëra-tjetrën. Izraeli është arsyeja e luftës me Iranin. Netanyahu ka urdhëruar pushtimin e 70% të Gazës, duke rënë në kundërshtim me marrëveshjen gjithëpërfshirëse të armëpushimit në Gaza. Izraeli kërkon të kthejë jugun e Libanit në një Gaza të dytë. Kjo është mjaft e qartë, edhe duke parë deklaratat e zyrtarëve të lartë izraelit, që nuk janë pro vendimeve të Trump. Unë mendoj se arritja e një marrëveshje në kuptimin politik të fjalës, do të jetë shumë e vështirë”, tha mes të tjerash gazetari Loli.

Nga ana tjetër, eksperti Basha tha se fuqizimi i marrëdhënieve mes Iranit dhe Kinës ishte një nga faktorët kryesorë që SHBA-të vendosën të sulmonin Teheranin.

Kjo pasi sipas tij, në të ardhmen një shtet i pakontrolluar si Irani në Lindjen e Mesme, që do të ishte ‘në dorë’ të Kinës, do i jepte Pekinit shumë fuqi politike dhe ekonomike.

Po ashtu Basha deklaroi se Irani ishte në prag të prodhimit të bombës bërthamore, me uraniumin e pasuruar deri në 80%, ç’ka sipas tij do të përbënte një kërcënim global.

“Le të kthehemi pak në nisje të konfliktit dhe të shohim çfarë rreziku i kanosej rajonit dhe jo vetëm. Para se të niste sulmi, u tha ‘Irani është një vend paqësor’ nga rryma të ndryshme. Por çfarë ndodhi, kur pamë që SHBA vendosën ta sulmojnë Iranin, ne pamë se Irani nuk ishte një vend që kishte qëndruar duarkryq, por një vend që kishte marrë masat mirë për të përballuar çdo lloj lufte e konflikti. Kishte spastruar çdo element që mund ta cënonte brenda vendit. Kishte ndërtuar një strategji të qartë sesi mund të përballej me një fuqi si SHBA-të. Tjetër gjë që kishte Irani dhe ishte gati për ta përfunduar, që nuk është mohuar kurrë nga Irani, ishte tentativa për të prodhuar armën bërthamore.

Tani janë në kërkim të 450 kg uranium të pasuruar, që mendohet se është nga 70-80 % i pasur dhe nëse nuk do kishte vijuar goditja e SHBA-së, Irani do të kishte armë bërthamore. Pse e lidhim me Kinën? Një fuqi e jashtëzakonshme në Lindjen e Mesme, ku kontrollohet thuajse 25% e gjithë energjisë botërore, ku aty do të kishim një shtet thuajse të pakontrolluar dhe do të ishte në duart e Kinës, e fuqizonte jashtë mase Kinën dhe e bënte një aktor të fortë në mbarë botën”, tha mes të tjerash eksperti Basha.

Ditën e sotme mediat e huaja deklaruar se SHBA dhe Irani kanë rënë dakord për një draft-marrëveshje paqeje, e cila do të zgjaste armëpushimin me 60 ditë, por ende asgjë nuk është zyrtarizuar.