Tifozët e ekipit të Kukësit kanë vazhduar për të dytën ditë radhazi protestën kundër vendimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më shumë se 3 mijë tifozë të grumbulluar në qendër të qytetit të Kukësit kanë protestuar në bulevardin e qytetit duke i bërë thirrje Armando Dukës që tërhiqet nga vendimet, që sipas tyre ‘masakruan’ padrejtësisht ekipin verilindor.

Disa nga deklaratat e tifozerisë së ekipit verilindor ishin: ‘Poshtë Federata dhe Duka’, Federata favorizon Skënderbeun’, ‘Futbolli i kapur nga krimi’ dhe shumë të tjera, të cilat janë kthyer në kryefjalën e dy ditëve të fundit në Kukës. Disa nga tifozët gjatë protestës u shprehën për mediat se

”Nëse nuk do të hiqet dënimi, ne do të përshkallëzojmë protestën. Do të mbledhim të gjitha tifozeritë shqiptare të prekura nga ky fenomen dhe do të kërkojmë dorëheqjen e Dukës me cdo kusht dhe pastrimin e futbollit shqiptar nga këto gjallesa”.


Shensoji jep dorëheqjen
Trajneri i ekipit të Kukësit, Nexhi Shensoji i ka paraqitur dorëheqjen presidentit, Gjici pas dënimit prej 12 javësh nga Disiplina.

Por sipas informacioneve nga brenda ekipit verilindor, Gjici nuk e ka pranuar kërkesën e Shensojit për t’u larguar nga ekipi i Kukësit.

Gjici beson se Apeli do të hedhë poshtë vendimet e Disiplinës që i hoqën Kukësit 3 pikë, e dënuan me 4 ndeshje jashtë fushe dhe mbi të gjitha pezullimin e Shensojit me 12 javë.

Trajneri turk kishte vetëm pak kohë në drejtimin e ekipit të Kukësit, pas largimit të Cungut për mungesë rezultatesh.

Vendimi i Apelit
Sipas burimeve nga Federata Shqiptare e Futbollit të premten do të mblidhet Apeli për të shqyrtuar vendimet e komisionit të Disiplinës.

Sot, në ambientet e FSHF, përfaqësues të ekipit verilindor kanë dorëzuar ankimimin e vendimeve të Disiplinës.

Shanset që Apeli të rrëzojë të gjitha vendimet e Disiplinës janë shumë të pakta. Ajo që pritet me më shumë interes është rikthimi i tre pikëve, pasi gjatë 90’ nuk ka pasur asnjë incident në fushë.

Për Shensojin pritet një ulje e dënimit, por jo e plotë, teksa edhe numri i ndeshjeve jashtë pritet që të reduktohet.

Përballë protestave që mund të përshkallëzohen, Apeli mund të rikthejë qetësinë.

Duka refuzon që t’i përgjigjet Gjicit
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka pas akuzave tepër të ashpra nga ana e presidentit të Kukësit, Gjici nuk ka pranuar që të përgjigjet për mediat.

Duka ka refuzuar që t’u përgjigjet thirrjeve telefonike. Një ditë më parë, Gjici në një intervistë për ‘Shqiptarja.com’ e cilësoi Dukën si orkestruesin kryesor të dënimeve të ekipit të Kukësit,

vetëm e vetëm, pasi po rivalizonte Skënderbeun, të cilin sipas Gjicit, kreu i FSHF e mbron, pasi ka biznese të përbashkëta me drejtuesit e klubit korcar. Si duket,

Duka ka vendosur që të mos prononcohet për mediat deri në vendimin e Apelit.