Panajot Qirko do jetë nën urdhërat e Zoran Zekic te Partizani. Portieri i Teutës dhe klubi durresak kanë gjetur akordin me Partizanin që 23-vjeçari të jetë pjesë e "Demave" për aventurën e këtyre të fundit në Europë.
"Teuta ka arritur marrëveshjen me Partizanin për huazimin e portierit Pano Qirko për ndeshjet e Kupave të Europës. Pano Qirko do të rikthehet në skuadër pas përfundimit të fazës kualifikuese që Partizani ka në UEFA Champions League. KF Teuta i uron suksese Qirkos dhe Partizanit në Europë", njoftojnë durrsakët.
Qirko në sezonin që lamë pas luajti 40 ndeshje në portën e Teutës mes Kupës dhe kampionatit, duke e mbajtur rrjetën të paprekur për 20 ndeshje. I dalë nga moshat e Flamurtarit, Qirko luajti te Tirana në sezonin 2019-20 dhe më pas te Bylis, për të kaluar më pas në Durrës ku ka bërë dy sezone për t'u mbajtur mend. Vlonjati ka qenë për katër ndeshje edhe pjesë e Kombëtares U-19 të Shqipërisë.