Është dorëzuar në policinë e Vlorës autori i dytë i grabitjes së filialit të BKT në 11 Korrik.
 
Lorenc Gjini 26 vjeç i ka dhënë fund arratisë duke vendosur të dorëzohet.
 
26 vjeçari së bashku me Kostandinos Shakaj 37 vjeç akuzohen për grabitjen e bankës në verë.
 
Kostandinos Shakaj u arrestua në 11 gusht, ndërsa bashkëpunëtori i tij në grabitje Lorenc Gjini u dorëzua sot te blutë e qytetit bregdetar.
 
Shakaj dhe Gjini mesditën e 11 korrikut  grabitën një filial të BKT, pranë Sheshit të Flamurit, në qytetin e Vlorës. 
 
Nën kërcënimin e armëve ata arritën të marrin mbi 10 milionë lekë, 6 milionë lekë si dhe 39 mijë euro.
 
Për të realizuar grabitjen autorët fillimisht vodhën automjetin "Benz-Mercedes-2500" me targë të huaj 435AJL06, të cilin e përdorën për t'u larguar më pas e braktisën.
 
Kostandinos Shakaj është person me precedent penal të mëparshëm, i cili ka qenë shpallur në kërkim për "Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim", vepër penale për të cilën i është caktuar masa e sigurisë "Arrest në burg".