Dega e Partisë Demokratike të Elbasanit ka reaguar pasi Doris Madhi, aktualisht drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, ka deklaruar se është hequr pa asnjë njoftim nga lista e anëtarësisë së PD

Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Dega e PD Elbasan shkruan se vendimi erdhi pasi Doris Madhi nuk ka qenë e përfshirë në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit 2025 në krah të Partisë Demokratike.

Po ashtu në njoftim shkruhet se në zgjedhje Doris Madhi ka qenë e angazhuar maksimalisht në krah të Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi.

Deklaratë e Degës së Partisë Demokratike Elbasan:

Në lidhje me reagimin e znj. Doris Madhi, sqarojmë opinionin publik se:

• Znj. Doris Madhi nuk ka qenë e përfshirë në fushatën e zgjedhjeve të 11 Maj në krah të Partisë Demokratike.

• Ajo është angazhuar maksimalisht në krah të subjektit politik Partia Socialdemokrate (PSD), duke bërë thirrje publike në rrjetet sociale që demokratët të votonin kandidatin e PSD për qarkun e Elbasanit.

• Gjatë procesit të numërimit të votave në Prrenjas, znj. Madhi ka qenë e angazhuar si vëzhguese e PSD.

Në zbatim të Udhëzimit nr. 01, datë 20.01.2026 dhe në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike, kryesia e degës së PD Elbasan ka marrë vendim unanim për largimin e saj nga listat e anëtarësisë, për shkak të shkeljeve të rënda në veprimtarinë e saj si anëtare e PD-së.

Ky vendim është i bazuar në parimet e transparencës dhe respektimit të rregullave statutore, dhe bëhet publik për të sqaruar qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë demokratët.


Lajmi kryesor:

Pas Durrësit, valë përjashtimesh edhe në PD-në e Elbasanit! Hiqen nga lista katër anëtare, mes tyre Alesia Balliu e Zheni Gjergji