TIRANE - Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi është paraqitur paraditen e sotme për të tetën herë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku ka dëshmuar për rreth 5 orë në lidhje me akuzat e bëra publike nga vetë ai për një atentat të mundshëm ndaj tij.

Doshi është paraqitur në ambientet e Prokurorisë rreth orës 10:00 të ditës së sotme, me iniciativën e tij për të paraqitur fakte shtesë që sipas tij tregojnë për vërtetësinë e atentatit. Në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është paraqitur edhe Ymer Lala, i dyshuar si person i cili kishte dijeni për ngjarjen, i cili është thirrur që të dëshmojë.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur për A1 Report se mes tyre ka pasur një ballafaqim por se të dyja palët i kanë qëndruar dëshmive të mëparshme me Doshin që pretendon se atentati është i vërtetë dhe Lalën që mohon të ketë pasur njohuri. Sakaq, Lala ndodhet ende në ambientet Prokurorisë ku vijon të merret në pyetje nga hetuesit. 

Po të njëjtat burime saktësojnë se të hënën pritet që organi i akuzës të dalë me një qëndrim zyrtar në lidhje me akuzat e Doshit, ku në pyetje gjatë kësaj kohe janë marrë rreth 42 persona.

Prezenca e Doshit në ambientet e Prokurorisë për të tetën herë vjen një ditë pas takimit të tij me deputetin Mark Frroku, ku sipas këtij të fundit ishte thjesht një takim biznesi dhe jo për atentatin. Deputeti Frroku ka rrëzuar dy herë në ballafaqimet e tij me Doshin këtë të fundit se nuk ka dijeni për atentatin pavarësisht pretendimit të ish-deputetit të PS.

Prej kohësh tashmë deputeti Doshi ka paraqitur kërkeksën e tij për asistencë dhe hetues ndërkombëtarë për pretendimin e tij se Ilir Meka ka urdhëruar eliminimin e tij fizik.

Jo vetëm kaq por ai ka kërkuar që të sekuestrohen edhe pamjet e aeroportit të Hanoverit, ku sipas tij shihet Kreu i Komisionit të Sigurisë dhe shtetasi Nard Koka që takohen me vëllain e Fatjon Skënderit, ky i fundit i pretenduar si ndërmjetës në atentat. Por ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu i cili ka thkesuar në fjalën e tij se nuk do të ketë hetues ndërkombëtarë për këtë çështje.

Ora 14:45 Doshi del nga Prokuroria, përfundon dëshminë
Ka përfunduar për të tetën herë dëshminë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda deputeti Tom Doshi. Ai qëndroi rreth 5 orë për të dëshmuar sërish përpara hetuesve dhe organit të akuzës.   

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)