Kërkimi i arrestimit, paraqitur nga prokuroria për Tom Doshin dhe Mark Frrokun për “deklaratë të rreme”, i hap rrugën një revolucioni etik në politikën shqiptare. Linja e mbrojtjes, e mbajtur nga Tom Doshi, nis nga një parim korrekt: Ai nuk ka bërë personalisht asnjë kallzim në Prokurori, por vetëm një denoncim publik para mediave.

Kështu, në fakt, hetimet e Prokurorisë u hapën “kryesisht” - një formulë, që aplikohet sa herë organet e Drejtësisë marrin vesh një lajm krimi (në kodin e romakëve latinët e quanin “notitia criminis”).

Përballë një informacioni për krim (pra, edhe pa asnjë kallzim), prokurori ka të drejtë të hapë hetimet “kryesisht”. Ja çfarë lexohet në “Udhëzuesi për hetimin e korrupsionit dhe krimit financiar”, i hartuar nga Zyra Tejoqeanike e Zhvillimit, Ndihmës dhe Trajnimit të Prokurorisë (OPDAT), në bashkëpunim me Projektin Kundër Korrupsionit në Shqipëri (PACA), një projekt i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës:

“Disa nga rastet më të suksesshme të korrupsionit publik fillojnë në mënyrë ‘spontane’ nga një prokuror apo Prokurori e vëmendshme, e cila ndjek informacionet e marra nga publiku. Situatat më të shpeshta kanë të bëjnë me raportime në gazeta ose media, apo denoncime publike të akuzave kundër një nëpunësi apo një agjencie publike. Megjithatë, një prokuror mund të nisë nga puna me iniciativën e vet edhe thjesht duke u bazuar në një informacion të dëgjuar rastësisht apo në një thashethem, nëse ai ka mundësi të kryejë disa kërkime informale”.

Pikërisht kjo gjë ndodhi dhe me Tom Doshin: pas denoncimit të tij në publik, prokurori nisi hetimin “kryesisht” dhe e mori në pyetje si person i informuar për fakte. Tom Doshi konfirmoi edhe para prokurorit akuzat e tij, pastaj akuzat, sipas Prokurorisë, dolën false dhe tani Tom Doshi arrestohet.

Opozita u skandalizua sepse prokurori nuk hapi hetimet gjashtë muaj më pare, kur për herë të parë mori vesh për akuzat e Tom Doshit. Është e vërtetë, sipas Kodit të Procedurës Penale hetimet mund të hapeshin “kryesisht” edhe gjashtë muaj më parë, por, mesa duket, prokurori nuk u besoi informatave të marra. Ose hapi hetimet vetëm tani, i shtyrë nga buja politike dhe mediatike që denoncimi i Tom Doshit shkaktoi.

Po ja thelbi i çështjes: nëse Prokuroria vendos ta konsiderojë rastin Doshi si një precedent (dhe të konsiderojë reagimin e opozitës si një stimul për të bërë punën akoma më mirë herën tjetër), që sot e tutje, sa herë që një politikan lëshon një akuzë që përmban informacione të mundshme krimi, prokurori duhet të hapë një hetim “kryesisht” dhe të thërrasë të dëshmojë politikanin që ka hedhur akuzën.

Përballë prokurorit, politikani mund të zgjedhë dy rrugë: Ose thotë menjëherë se nuk ka asnjë provë për atë që thotë, ose konfirmon akuzën. Në rastin e pare, denoncimi zbulohet se është shpifje dhe, pas dy apo tri herëve, politikani gënjeshtar, ndoshta, e kupton mësimin dhe hesht, jo në frikën e Drejtësisë, por në gjykimin e zgjedhësve të tij. Në rastin e dytë, politikani (siç bëri Tom Doshi), nëse konfirmon akuzat, merr përsipër dhe përgjegjësinë e asaj që thotë. Dhe, nëse akuza rezulton false, tamam si Tom Doshi, ai politikan rrezikon arrestimin “për dëshmi të rreme para prokurorit”

Çështja nuk është vetëm proceduriale, por politike. Parlamenti dhe gazetat janë plot me akuza shpifëse, të lëshuara nga zyrtarë të shtetit (dhe jo vetëm nga gazetarë). Një fenomen denigrues, jo vetëm për politikën, por për tërë shoqërinë. Këtu duket sikur askush nuk ka frikë të cilësojë këdo kriminel, sepse askush nuk ka paguar për shpifjen. I pari rrezikon të jetë Tom Doshi.

Por nuk është e drejtë të jetë i fundit. Nëse Tom Doshi akuzoi Ilir Metën se organizoi një vrasje, para tij, Sali Berisha dhe shumë të tjerë liderë të opozitës kanë akuzuar eksponentë të qeverisë për krime po aq të tmerrshme: trafik droge, atentate, marrëdhënie me mafian, korrupsion etj, etj.

Në një vend të civilizuar politikanët, ashtu si dhe gazetarët, kanë të drejtë të kritikojnë dhe të denoncojnë, por nuk kanë të drejtë të shpifin: të akuzosh cilindo qytetar (qoftë ky kreu i parlamentit apo “vetëm” ministër) se ka urdhëruar një vrasje dhe se ka drejtuar trafikun e drogës, është një akt i guximshëm, nëse akuza është e vërtetë.
Por është një krim nëse akuza del sajesë.

Prokuroria ka vendosur të aplikojë këtë princip me Tom Doshin. Urojmë që i njëjti rregull sot e tutje të vlejë për të gjithë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)