Dosieri "Trebeshina", deponimi para
hetuesit i shkrimtarit Mehmet Myftiu

Dosieri "Trebeshina", deponimi para<br />hetuesit i shkrimtarit Mehmet Myftiu
Deponimi që ka dhënë para hetuesit, shkrimtari Mehmet Myftiu për Kasem Trebeshinën është një nga dokumentet më të rëndësishëm të dosjes “Trebeshina”. Pas arrestimit të shkrimtarit në dhjetor 1953, Mehmet Myftiu është thirrur në hetuesi me 16 mars 1954 dhe është marrja në pyetje ka zgjatur nga ora 08:15 në mëngjes deri në orën 13:00 në mesditë, pra plot 5 orë. Si një prej miqve më të ngushtë të Trebeshinës, deponimi i Mehmet Myftiut zbardh të gjithë veprimtarinë letrare e shoqërore të Trebehsinës, kontradiktat që ai kishte në Lidhjen e shkrimtarëve dhe rebelimin e tij në vjeshtën e 1953, duke kërkuar daljen nga Partia dhe largimin nga Shqipëria për të jetuar në Zvicër.

Mehmet Myftiu thotë se Kasem Trebeshina ka shkruar në këtë periudhë 3 letra për Komitetin Qendror. Njërën prej tyre të parën, ku ka kërkuar largimin nga partia, ai thotë se ia ka dërguar Komandantit të Përgjithshëm, (duke nënkuptuar Enver Hoxhën). Atë letër, Mehmet Myftiu thotë se nuk e ka parë me sytë e tij, por Trebshina i ka thënë se e kishte nisur. Mbase ajo letër që Mehmet Myftiu përmend në hetuesi është promemoria e shumëdiskutuar, të cilën Trebeshina e publikoi të plotë pas rënies së regjimit komunist. Sidoqoftë, ai dokument çuditërisht nuk gjendet në dosjen “Trebeshina”. Në të ndodhet, me shumë gjasa letra e dytë që Trebeshian ka nisur në Komitetin Qëndror, të cilën Mehmet Myftiu thotë se e ka lexuar, dhe një letër e shkurtër që Trebeshina ia nis Mehmet Shehut e ku i kërkon të largohet për në Zvicër (dokumente që ne do ti botojmë në ditët në vijim). Sot, po sjellim për lexuesit të plotë deponimin e shkrimtarit Mehmet Myftiu në hetuesi.
 
Procesverbal
I mbajtur në Tiranë, më 16 mars 1954, unë hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Major Sotir Zavalani mora në pyetje dëshmitarin Mehmet Myftiu. Pyetja fillon në orën 0815. Pyetja mbaron në orën 1300. Emri e mbiemri, Mehmet Myftiu, i biri i Hamitit dhe i Nuries, datëlindja 1930, vendlindja Tiranë, kombësia shqiptare, i përjashtuar nga Partia, gjendja sociale student, me arsim të mesëm, i pamartuar, vazhdon studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik, banon në Tiranë në Lagjen “Misto Mame”, Rruga “Siri Kodra”, nr. 8. Jam përgjegjës për dhënie deponimesh të zhdrejta ose për kufizimin e deponimeve në bazë të Nenit 228 të Kodit Penal të Kodit Penal të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Dëshmitari
(Mehmet Myftiu) (firma)

Tregimet e dëshmitarit:

Kur je njohur me Kasëm Trebeshinën?
Me Kasëm Trebeshinën jam njohur në muajin tetor ose nëntor 1952. Në këtë kohë kemi filluar miqësi, por e kam njohur edhe
5-6 muaj më parë pa krijuar ndonjë miqësi të ngushtë.

Në çfarë rrethanash jeni njohur jeni njohur dhe çfarë marrëdhëniesh keni pasur me të?
Me Kasëmin jam njohur në Lidhjen e Shkrimtarëve pse punonim në Redaksinë e “Letrarit të Ri”. Në 􀂿 llim, kur jemi njohur, nuk kemi shkuar mirë, pse Kasëmi nuk kishte kundrejt meje respekt, më vonë na bashkuan mendimet tona mbi shkrimtarë të ndryshëm dhe gustoja deri diku e përbashkët e jona. Miqësia jonë ka pasur karakterin e dy njerëzve që merren me letërsi, që diskutojnë së bashku probleme letrare. Përveç problemeve, e forcoi miqësinë tonë, pse shihnim te njëri-tjetri sinqeritet, jo ambicie meskine, dëshira për të krijuar diçka për popullin.

Si takoheshit para arrestimit me Kasëm Trebeshinën?
Në kohët e fundit para se të arrestohej Kasëm Trebeshina, unë takohesha shumë shpesh me të. Ose linim pikëpjekje ose ndonjëri prej nesh vinim në shtëpinë e njëri-tjetrit dhe pastaj dilnim së bashku, shëtisnim nëpër rrugët e Tiranës, dilnim nga rruga e Elbasanit, nga Pallati i Brigadave sepse na pëlqente natyra.

Çfarë karakteri kishin këto takime dhe çfarë bisedonit?
Përgjigje: Këto takime kishin karakterin e dy shokëve të ngushtë që e duan shumë njëri-tjetrin. Bisedonim për çështje të ndryshme, kryesisht për letërsi, 􀃀 isnim dhe komentonim shkrimtarët e ndryshëm të letërsisë botërore si Gëte, Tolstoi, Hajne, Shollohov, Gorki, Shekspir e të tjerë. Bisedonim për letërsinë shqipe nga e cila shpeshherë ishim të pakënaqur. Kasëmi në shumë raste paraqitej njeri i trishtuar. E kam quajtur gjithnjë si problem që ta ndihmoj Kasëmin të dalë nga pesimizmi dhe shpesh i kam folur për këtë dhe i kam thënë se kjo është një çështje që me preokupon më tepër mua. Me gjithë përpjekjet e mia, s’kam mundur të bëj ndonjë ndryshim tek ai, edhe për arsye se edhe vetë disa herë gjendem në pozita pesimiste, të cilat kohët e fundit mundohesha t’i fshihja nga Kasëmi për të mos e çuar atë më tej. Bisedonim për veprat tona. Për ato që kishim shkruar dhe mendonim të shkruanim duke dashur ta ndihmonim njëri-tjetrin. Bisedimet për veprat tona nuk kishin aspak një familjaritet të sëmurë, ne e kritikonim ashpër njëri-tjetrin sidomos ai mua. Bisedonim dhe për pakënaqësitë e tij kundrejt Lidhjes së Shkrimtarëve dhe shokëve të Partisë. Në lidhje me këtë unë i thosha se nuk duhet të ngatërronte persona të ndryshëm, të cilët edhe mund të silleshin keq me të, me Partinë, me parimet e saj. Bisedonim dhe për çështje politike. Ishim të mendimit se shpëtimi i botës vjen vetëm nga Bashkimi Sovjetik dhe urrenim shumë amerikanizmin, artin e tyre, mënyrën e jetesës, 􀂿 lozo􀂿 në e tyre. Bisedonim për njerëz të ndryshëm si p.sh. Selman Vaqarin, Mark Ndojën, Kolë Gjakovën e të tjerë, për dashurinë.

Çfarë dini mbi qëndrimin dhe pikëpamjet politike të Kasëm Trebeshinës?
Siç e thashë edhe më sipër, Kasëm Trebeshina ishte me Bashkimin Sovjetik. Në pikëpamje të artit thoshte se drejtimi dhe udhëzimet e Partisë nuk janë të drejta. Thoshte se nuk trajtoheshin mirë artistët, se shkrimtarët shkruanin atë që duhej të shkruanin, me porosi, dhe nuk niseshin nga vetja e tyre për të dhënë realitetin nëpërmjet vetes së tyre. P.sh. sipas mendimit të Kasëmit, unë nuk duhej të shkruaja veprën “Ky diell nuk perëndon” sepse nuk e njihja jetën e punëtorëve dhe se për ta shkruar këtë vepër më kishte shtyrë vetëm dëshira për të bërë roman, për të bërë letërsi, dhe se duhet të shkruaja ato gjëra që kishe njohur mirë si për shembull: fëmijërinë, për shkatërrimin e klasës së tregtarëve duke u nisur nga daja im për të bërë një vepër me karakter si vepra e Artemanovit të Gorkit. Kasëmi nuk ka pasur ndjenja armiqësore karshi Republikës Popullore të Shqipërisë, por duke u nisur nga egoizmi personal, pse nuk i botoheshin veprat, pse nuk e nderonin, kohët e fundit mendoi të largohej nga Shqipëria. Bisedonim shpeshherë dhe për sukseset e Partisë sonë. Quante si një punë shumë të madhe zhdukjen e analfabetizmit. Kishte dëshirë të dilte nga Partia pse e ndjente veten të lirë jashtë saj. Pse nuk i kërkonin të bënte autokritikë, nuk e kritikonin, nuk mund t’i lypnin llogari. Këto më thoshte në bisedime të ndryshme gjatë takimeve me të.

Si e çmoni krijimin letrar të Kasëm Trebeshinës?
Sipas mendimit tim vepra e Kasëm Trebeshinës, megjithëqë ka disa të meta të palejueshme
për një artist me botëkuptim marksist, ajo është një vepër e vlefshme dhe sipas mendimit tim ka krijuar gjërat më të bukura mbas çlirimit nga të gjithë shkrimtarët tanë. Nga veprat e tij çmoj shumë vjersha dashurie, shoqërore, patriotike, dramën “Kruja e liruar”, “Shqiponjat e Maleve tona”, novelën “Të rinjtë e kohës sonë”, disa tregime e të tjera. Në lidhje me veprën e tij kemi pasur shumë bisedime. Isha në kundërshtim me pesimizmin e tij e sidomos kur thoshte se “Gjithçka në botë është kot”. I thosha se njeriu mund të kryejë në botë gjëra shumë të vlefshme. Në lidhje me këtë problem përmendnim shpesh Faustin e Gëtes, për optimizmin e tij. Duhet shënuar se dhe Kasëmi ishte në kontradiktë disa herë me veten e tij. Sot shkruante një vjershë pesimiste, nesër një vjershë optimiste. Dy ditë para se të arrestohej, erdhi në shtëpinë time dhe më tha se “do të heq dorë nga pesimizmi, se në botë ka shumë gjëra të bukura dhe do të shkruaj i gëzuar”. Unë i thashë se “kjo në konditat tuaja, tani për tani, nuk ka mundësi të realizohet dhe se herën e parë duhet të qetësosh veten dhe pastaj duhet të shkruash në mënyrë optimiste”. Këtë mendim Kasëmi ma kishte shprehur edhe disa kohë më parë por sigurisht nuk mund të bënte kthesën e të shkruante në mënyrë optimiste në konditat që ishte, kur ishte zemëruar me të tërë.

Mbas arrestimit të Kasëmit a keni qenë juve në shtëpinë e tij?
Mbas arrestimit të Kasëmit kam qenë në shtëpinë e tij 4-5 herë, gjithashtu jam takuar dy herë në rrugë me gruan e tij.

Përse keni qenë në shtëpinë e Kasëmit?
Në shtëpinë e Kasëmit kam shkuar për të marrë vesh ndonjë të re mbi arrestimin e Kasëmit. Familja e Kasëmit ishte mjaft e dëshpëruar për këtë fatkeqësi, veçanërisht e shoqja e tij e cila më tha se do të shkonte në Prokurorinë e Përgjithshme për të marrë vesh mbi arrestimin e Kasëmit, por për arsye se Prokurori i Përgjithshëm, shoku Siri Çarçani ishte sëmurë, nuk vajti.

Çfarë keni biseduar me gruan e Kasëm Trebeshinës?
Gruaja e Kasëmit më ka pyetur se “si do bëhet çështja jote në lidhje me problemet
që keni biseduar në Lidhjen e Shkrimtarëve” dhe i kam treguar për letrën që unë i kam dërguar KQ të PP të Shqipërisë.

Çfarë dokumentesh keni marrë kur keni qenë në shtëpinë e Kasëm Trebeshinës?
Në shtëpinë e Kasëmit kam marrë librin e filozofit francez Didero, të cilën ma kishte marrë Kasëmi disa ditë më parë. Kam dërguar në shtëpinë e tij vëllimin e tij me vjersha.Perëndimi i trishtuar” të cilin ia kisha dhënë motrës sime për ta lidhur sipas porosisë së Kasëmit dhe poemën “Shqiponjat e maleve tona”, të cilën e kishte Ylli Radovicka për ta lexuar.

Përse i mblodhët dhe i çuat këta libra në shtëpinë e Kasëmit?
Këta libra i shpura në shtëpinë e Kasëmit që të mos i humbisnin.

Cilët persona njihni që kanë pasur lidhje me Kasëm Trebeshinën?
Njoh këta persona: Kadri Roshi, Naim Frashëri, Mark Ndoja, Andrea Varfi, Selman Vaqari.

Çfarë janë këta persona?
Kadri Roshi dhe Naim Frashëri janë aktorë në Teatrin Popullor, Mark Ndoja dhe Andrea Var􀂿 në Lidhjen e Shkrimtarëve, Selman Vaqari regjisor në Teatrin Popullor.

Çfarë karakteri ka pasur lidhja e Kasëm Trebeshinës me këta persona?
Për këtë nuk mund të flas me përpikëri. Di se këta bisedonin për artin dhe disa prod hime të Kasëmit u pëlqenin.
Pyetje: Kush tjetër përveç teje pajtohej më tepër me pikëpamjet e Kasëm Trebeshinës?
Përgjigje: Edhe unë për veten time nuk kam qenë shumë dakord në lidhje me disa pikëpamje mbi artin e Kasëm Trebeshinës, sidomos Kasëm Trebeshinën e lavdëronte Mark Ndoja, i cili në shumë pikëpamje ishte në një mendje me të. Të tjerëve u pëlqente ndonjë vjershë, por nuk ishin dakord me mendimet e Kasëmit.

Në ç’mënyrë ia përkrahte Mark Ndoja dhe ju pikëpamjet Kasëm Trebeshinës?
Unë i pëlqeja veprat në përgjithësi, disa dhe ia kritikoja. Në 􀂿 llim fare nuk ia kuptoja vjershat dhe nuk më pëlqenin, por mbasi lexova “Shqiponjat e maleve tona” 􀂿 llova të ndryshoj mendim për veprën e tij. Kam shfaqur mendimin edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve pse shumë prej veprave të Kasëmit duhej të botoheshin dhe ishte bërë gabim që nuk ishin botuar. Gjithashtu dhe Mark Ndoja i pëlqente veprat e Kasëmit dhe thoshte se duhej të botoheshin dhe ishte bërë gabim që nuk ishin botuar. E quante talent të rrallë. Unë dhe Mark Ndoja kemi qenë dakord së bashku dhe me Kasëmin mbi disa probleme të
letërsisë në përgjithësi, të cilat i kemi shfaqur në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve.

Çfarë ishin këto probleme?
Këto probleme ishin: e para, letërsia sovjetike nuk ka arritur të japë artistë të mëdhenj përveç Gorkit dhe Shollohovit, si Tolstoi, Pushkin, Shekspir e të tjerë. Kemi kundërshtuar mendimin e Fatmir Gjatës se poetët sovjetikë e kanë kaluar me kohë Gëten dhe Hajnen. E dyta, se nuk duhet të themi se më parë duhet të mësojmë mjeshtërinë artistike nga sovjetikët dhe pastaj nga klasikët. Por nuk duhet t’i ndajmë se nuk mund të vëmë eksperiencën e të gjithë shekujve nën eksperiencën e tridhjetë viteve të epokës socialiste. Duhet të mësojmë mjeshtërinë artistike nga të gjithë shkrimtarët, duke filluar nga Homeri dhe gjer te Shollohovi. E treta, mendonim se letërsia shqipe nga pikëpamja artistike është shumë e dobët. Këtë e thoshim duke u nisur nga pozitat e një letërsie të pavdekshme, vepra të cilat të kenë vlerë artistike, të bazohen me letërsinë botërore dhe të jenë të pavdekshme. Me këto tre pikëpamje ishim dakord që të tre: Mark Ndoja, Kasëm Trebeshina dhe unë.

Nga niseshit juve që arrinit në këto konkluzione?
Ne niseshim nga studimet tona mbi letërsinë. Në lidhje me këto pikëpamje unë me Kasëmin i kishim biseduar dhe në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve ku na përkrahu dhe Mark Ndoja.

Si i keni shtruar këto pikëpamje, e keni biseduar ju të tre?
Kemi biseduar kur dilnim nga mbledhja ose kur takoheshim rastësisht me Mark Ndojën. Bënim komente në lidhje me diskutimet në mbledhje. Për shembull në lidhje me injorancën në letërsi të Fatmir Gjatës, i cili thoshte se janë kaluar Gëte dhe Hajne, në lidhje me Kolë Jakovën, të cilin e urrenin shumë Kasëmi dhe Marku, duke thënë se është hipokrit, jezuit, ndërsa unë nuk flisja sepse nuk e njihja. E quanim Llazar Siliqin njeri që i është rritur mendja, se nuk bën diskutim të mirë në lidhje me veprën e Kasëmit. Marku thoshte që shtypet kritika duke thënë se për disa pikëpamje që kishte shprehur për Fishtën, për besën e Sami Frashërit i kishin dhënë vërejtje me shënim në biografi.

Çfarë dini juve në lidhje me tradhtinë e Kasëm Trebeshinës duke shkuar jashtë shtetit?
Jam në dijeni të letrës që Kasëmi i ka dërguar Komandantit të Përgjithshëm për t’u larguar nga Partia, për t’iu botuar vepra e tij dhe për letrën e tretë për t’u larguar nga Atdheu. Letrën që kërkonte të largohej nga Partia nuk ma ka lexuar dhe as më ka folur gjë për të para se ta shkruante. Më vonë, kur e morën vesh të gjithë, e mora vesh dhe unë. Në lidhje me kërkesën e Kasëmit për t’u larguar nga Partia, nga një anë e dënoj, por nga ana tjetër, duke marrë parasysh tipin e Kasëmit, mendoja se do të ishte ndoshta më mirë për të të mos bënte pjesë në Parti, pse Kasëmi ishte një tip që nuk e pranonte disiplinën e Partisë. Këto pikëpamje të miat ia kisha thënë dhe Kasëmit dhe mendoja se Kasëmi mund të vazhdonte punën si shkrimtar edhe pa qenë në Parti, gjithnjë për të mirën e popullit. Mark Ndoja nuk ka qenë dakord që Kasëmi të largohej. Letrën e dytë ma ka lexuar para se ta niste, aty bënte fjalë që të botoheshin veprat dhe censurën për t’u botuar veprat. Në lidhje me censurën e veprave i kam thënë se këtu nuk ka të bëjë vija e Partisë, por gabimet dhe dëshirat për të për􀂿 tuar nga rasti, të disa njerëzve. Kështu ndodhte që veprat e Dhimitër Shuteriqit, Moisi Zaloshnjës, Zihni Sakos, Luan Qafëzezit, botoheshin shpejt e shpejt, kurse “Kruja e Çliruar” e Kasëm Trebeshinës u botua vetëm mbas tre vjetësh dhe shumë vepra të tij përsëri nuk botoheshin. Në lidhje me kërkesën për t’iu botuar vepra, isha i mendimit se kishte të drejtë. Kanë qenë disa fjalë dhe shprehje të ndryshme që i thosha t’i hiqte. Në lidhje me këtë letër nuk kam qenë i mendimit ta shkruante dhe i thosha se duhej të priste, se vepra e tij do botohej dhe Partia nuk kishte asgjë të kundërt me shumicën e veprës së tij dhe se çdo vepër letrare has pengesa nëfi llim. Kështu i ka ndodhur dhe Mihal Shollohovit me “Donin e qetë” dhe akoma nuk e kanë kuptuar drejtë disa shkrimtarë këtë vepër, bile kritika sovjetike akoma i kritikon këta. I kam thënë se nuk duhej të binte në kontradiktë me Partinë pse nuk i botohej vepra e tij se mos botimi i saj ishte çështje personash që nuk e kuptonin mirë dhe që më vonë do rregullohej. Në lidhje me letrën që donte të largohej nga Atdheu nuk kam qenë dakord, ideja e shkrimit të kësaj letre i ka ardhur dy javë para se të arrestohej. Ai thoshte se do ta lejonin të ikte nga Shqipëria se dhe atje në Zvicër do të botonte veprën dhe do të vijonte të shkruante. Në lidhje me këtë ai nxirrte pretekst se nuk mund të rrinte në Shqipëri se të gjithë e përbuznin, e urrenin, se nuk kishte as shokë dhe as miq këtu. Për këtë i kam thënë për më shumë se dy javë që mos ta shkruante, nuk duhej të shkonte te njerëzit që donin t’i bënin varrin popullit tonë e të tjera. Por gjithashtu i kam thënë se atje, në Zvicër, nuk do të gjente qetësi, ja do të vdiste rrugëve ose do të bëhej spiun. Se qeveria shqiptare nuk do ta lejonte dhe do ta arrestonte. Por nuk i mbushej koka. Gjatë kësaj kohe kam dashur të bisedoj me shoqen Fiqrete Shehu, por nuk kam mundur ta takoj dot megjithëse e kam kërkuar. Te njeri tjetër nuk jam drejtuar. Ai më në fund e dërgoi letrën.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Në fushë pa Canin, ekipi i Dinamos dhe trajneri emocionojnë me dedikimin për Martinin e vrarë me thikë në zemër

VIDEO/ Në fushë pa Canin, ekipi i Dinamos dhe trajneri emocionojnë me dedikimin për Martinin e vrarë me thikë në zemër