TIRANË- Shpalljen fajtor për 7 episode korrupsioni, 5 raste të mosdeklarimit të pasurisë dhe për pastrim të parave me një dënim total prej 11 vitesh burgim kërkon Prokuroria e Posaçme për Redi Mollën, ish drejtor në Bashkinë e Tiranës, si një prej organizatorëve kryesorëve të ashtuquajturës skema “5D”.

Në pretencën e dhënë këtë të hënë në përfundim të procesit gjyqësor në GJKKO, SPAK kërkoi 9 vite burg për Mariglen Qaton, me akuzat e korrupsionit pasiv në katër raste si dhe për pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Të 2, ish-drejtorë në Bashkinë Tiranë, akuzohen se krijuan një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash të kryer nëpërmjet kompanisë “5D Konstruksion”.

Molla dhe Qato sipas Prokurorisë së Posaçme janë bashkëposedues faktik të kompanisë, të cilës i jepnin tenderat që zhvillonin institucionet që ato drejtonin. Për të dy u kërkua edhe dënimi plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet.

Në pretencën e prokurores Anita Jella u kërkua 7 vite burgim për ish administratorin e kompanisë “5D Konstruksion”, Nestor Muhamtllari, për korrupsion pasiv në dy raste dhe pastrim parash. Për shoqërinë 5D u kërkua të deklarohet mbarimi i veprimtarisë dhe kalimi i çdo pasurie të saj në favor të shtetit.

12 vite burg kërkoi SPAK për 4 të pandehur të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Për Taulant Tushën u kërkua dënimi me 4 vjet burg për shkelje në tendera në tre raste; për Enton Punavijan 3 vjet burg për të njëjtën vepër penale në tre raste; ndaj Julian Zanajt kërkohet dënim me 3 vjet burg për shkelje të barazisë në 2 tendera; ndërsa për Albano Jankun 2 vjet heqje lirie po për këtë vepër penale në një tender të vetëm. Për të katër ish zyrtarët kërkohet gjithashtu dënimi dënimi plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet.

Përveç kompanisë “5D Konstruksion” dhe të gjitha pasurive, të luajtshme dhe të paluajtshme që ajo disponon, pasuri totale që në momentin e sekuestrimit kanë qenë rreth 1.5 milionë euro, SPAK kërkon që t’i kalojnë shtetit gjithashtu edhe 2 firma të tjera.

100% të aseteve të koampanisë “Restur” si dhe të 24% të aksioneve të kompanisë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k., e cila po ndërton një hotel me vlerë të deklaruar 15 milionë euro në Durrës.

Konfiskim kërkohet edhe për disa pasuri të paluajtshme të deklaruara në emër të familjarëve të të akuzuarve. Një truall 506.25 m² me ndërtesë 164 m² në Tiranë dhe një tjetër truall 51.3 m² po në rrugën "Tefta Tashko" në kryeqytet, të  regjistruar në emër Selim dhe Ollga Molla. SPAK thotë se janë blerë me 480 mijë euro. SPAK do konfiskimin edhe të 2 apartamenteve 122.7 m² dhe 86.4 m2 dy vendparkimeve, në emër të Sanie Qato, me një vlerë të përgjithshëm rreth 220 mijë euro.

Hetimet për kompaninë “5D Konstruksion” nisën në vitin 2023, ndërsa dosja u nda në disa fraksione edhe për zyrtarë dhe vepra penale të tjera.

PRETENCA PËR 7 TË PANDEHURIT
Redi Molla                               11 vite burg
Mariglen Qato                          9 vite burg
Nestor Muhamtllari                  7 vite burg
Taulant Tusha                           4 vite burg
Enton Punavija                         3 vite burg
Julian Zanaj                              3 vite burg
Albano Janku                           2 vite burg