TIRANË - GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen 'ARRSH', me të pandehur ish drejtorin e institucionit Evis Berberi dhe persona të tjerë. Berberi kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, por gjyqtari i seancës paraprake argumentoi se për këtë do të vendosë trupa gjykuese e themelit. 

Avokati mbrojtës i Berberit pretendoi se nuk provohen akuzat dhe e la në vlerësim të gjykatës në rast se hetimet janë apo jo të plota si dhe për pranimin e kërkesës së tij për gjykim të shkurtuar. Në këtë çështje, nga 23 të pandehurit, vetëm biznesmeni Valter Begaj ka kërkuar gjykim të zakonshëm.

Të pandehur janë: ish-drejtori i ARRSH, Evis Berberi, Valter Begaj, Ervis Lami, Brunilda Buli, Gentjan Gjyli, Genti Raça, Erald Elezi, Artan Leskoviku, Altin Marko, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Ajda Strazimiri, Gëzim Noni, Shkëlqim Lusha, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Valbona Pepa, si edhe dy shoqëritë "Net Group" dhe "DAAM".

Ata do të gjykohen për veprat penale: “Shkelja e barazise se pjesemarresve ne tendera apo ankande publike" kryer ne bashkepunim, “Korrupsoni pasiv i personave qe ushtrojne funksione publike”,  “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim i dokumentave", kryer në bashkëpunim. 

Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024, në akuzë për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai rezulton i përfshirë në raste korruptive me 8 tendera, që kapin vlerën e 5 milionë eurove. Berberi ishte pronar fakti i kompanisë “DAAM shpk, së cilës i ka dhënë tendera gjatë kohës që mbante pozicionet e Drejtorit të Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë dhe ARRSH-së.

Nga hetimet e SPAK, rezultoi se Berberi, ndonëse e kishte kaluar fiktivivisht pronësinë e shoqërisë  “DAAM” sh.p.k te persona të tjerë, vijonte të ishte pronari de facto i saj, duke e përdorur për të përfituar personalisht nga tenderat publikë.Shoqëria “Net Group” në pronësi të Valter Begajt përdorej për të devijuar para drejt “DAAM”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit. Ky i fundit vijonte të kontrollonte aktivitetin, vendoste për shpenzimet, punësimet, investimet dhe drejtonte përdorimin e llogarive bankare të kompanisë.  Ai gjithashtu merrte vendimet për pagesa, pagat dhe licencat profesionale për projektim e mbikëqyrje.