TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe ish-drejtuesit të KESH, Erald Elezi për një masë më të lehtë sigurie. Të dy kërkuan nga GJKKO që të dalin nga arresti shtëpiak me argumentin se pasnesër përfundon afati 6 mujor i hetimeve për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë. Por, SPAK kërkoi zgjatjen e hetimeve edhe me 3 muaj të tjerë, kërkesë që u pranua nga GJKKO.
Gjyli dhe Elezi akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë, ndërsa në të njëjtën dosje është e pandehur edhe ish-numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku. Ndaj saj janë në fuqi dy masa, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi nga detyra, masë të cilën ish-zv.kryeministrja e ka dërguar në Gjykatën e Lartë.
SPAK e akuzon Balluku se në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues, dy kompanitë turke Intecar dhe Asl.
Për ketë tender, përvec Gjylit dhe Elezit SPAK ka marrë të pandehur edhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, të cilët në bashkëpunim me Ballukun paracaktuan fituesin e tenderit duke ua dhënë turqve, të cilët e fituan për 170 mln euro pa TVSH.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente








