Pas hetimeve të bëra nga SPAK për zv.kryeministren Belinda Ballukun fillimisht për tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe, tashmë janë vënë nën verifikim edhe të 7 lotet e këtij projekti.

Për gazetarin Poli Hoxha, po zbërthehet një skemë që ai e cilësoi një organizatë kriminale, ndërsa theksoi se hetimi ka nisur edhe për familjarët e Ballukut.

I ftuar në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo’ në Report Tv, ai tha se hetimet po zbulojnë se Balluku ka zgjedhur fituesit për çdo tender.

‘Po zbërthehet një skemë në kuptimin e plotë të një organizate kriminale. Filloi me Tunelin e Llogarasë, me lotin 4 të Unazës së Madhe, tani të 7 lotet janë futur në hetim. 450 mln euro për Unazën e Madhe, hiq këtë vë këtë, paracakto fituesin, këto u bënë direkt nga zyra e ministres. Pjesa më e rëndësishme është e energjitikës, ajo është një Gërdec dhe një incenerator. Edhe për energjinë e rinovueshme rezulton se janë të implikuar jo vetëm biznesmen por edhe politikan. Kemi raste që për tendera të mëdhenj kompania ka emrin amerikan dhe zyrën e vërtetë e ka në Beograd. Më e rëndësishme është hetimi pasuror i familjarëve të zonjës Balluku dhe të të afërmve të saj. Është një skemë e organizuar’, tha ai.

Kreu i 'Nismës Thurje' Adriatik Lapaj, tha se GJKKO nuk ka shkelur ligjin me pezullim e Ballukut nga detyra, por ka vepruar në përputhje me ligjin. Ai deklaroi se Balluku nuk duhet që të ndërhynte në tendera.

‘Gjykata e ka pezulluar. Pezullimi është tagër i plotë i gjykatës. Neni 242 thotë se nuk zbatohet për të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Ministri nuk është i zgjedhur nga populli. Ajo si deputete mund të vazhdojë punën, është pezulluar nga detyra si ministre. Ministër mund të caktohet edhe një njeri që nuk është deputet. Gjykata ka vepruar në përputhje me nenin 242 të kodit të procedurës penale. Si deputet se pezullon dot sepse duhet që të çohet kërkesë në Parlament. Po ministri s’ka punë me tenderat. Ata që marrin vendimet për tenderat janë të tjerë. Këta duan dhe futen’, tha ai.

Kreu i FRPD Besart Xhaferri, tha se nga hetimet nisën pas kontrollit të telefonit të ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Evis Berberi, por sipas tij nëse do të merret telefoni i Ballukut do të zbulohen afera të rënda.

‘Të gjitha këto vijnë nga celularët e vartësit të saj Evis Berberit, po të kapet telefoni i Ballukut aty është lemeri. Këto janë afera të mëdha. Në bazë të veprës penale mund të kërkohet një masë më e rëndë. Deri diku, kryeministri u bë avokat i saj.

Unë mendoj që Edi Rama është në kushte të vështira, këto janë afera të copave. Tendera 250 mijë euro. Por akoma s’e dimë këtë me celularët e nënpunësve. Të gjithë e dimë që ai është i përfshirë në këto afera, por këtë herë më duket do dalë në dritë, se më përpara ka qenë vetëm në copa,” shprehet Xhaferri.