Report Tv siguron dosjen e goditjes së call center-ave që kishin mashtruar me mijëra qytetarë evropianë në Tiranë, në hetimet që zgjatën 2 vite dhe u finalizuan me 10 arrestime.
Informacioni i parë mbi call center-at në Tiranë, u dorëzua nga autoritetet austriake më 25 nëntor të 2024-ës mbi dyshimin e mashtrimit të qytetarëve austriakë në vlera marramendëse, më shumë se 30 milionë euro përgjatë 1 viti (2023-2024).
Të dëmtuarit hynin në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Operatorët mashtrues, të cilët hiqeshin sit ë ishin “këshilltarë financiarë”, nëpërmjet programit “any desk” kanë kryer komandim nga distanca në kompjuterët e të dëmtuarve. Adresat ID, “maskoheshin” duke përdorur VPN, por partnerët austriakë arritën të identifikonin 2 IPD shqiptare.
Nga komunikimet zyrtare të Prokurorisë së Tiranës me shoqëri të internetit në Shqipëri, u zbuluan përdoruesit fundorë të këtyre IP-ve, që kanë qenë funksionale të paktën prej nëntorit të vitit 2023. Kjo do të thotë, se këto call center mashtrues, të goditura në një aksion të hënën në mbrëmje, kanë funksionuar minimalisht prej 3 vitesh në kryeqytet.
Në dosjen të cilën Report Tv e siguron, thuhet se i pari që u zbulua ishte Eduard Dalla, 48 vjeç, i arrestuar. Numri i tij i telefonit ishte në një kontratë internet të lidhur me një shoqëri në Tiranë. Kontrata ishte lidhur nga punonjëset e marketingut në rrugë, dhe emri në kontratë ishte Jose Santos, për të cilin grupi hetimor zbuloi se ishte fiktiv, për të humbur gjurmët. Por elementi që i çoi tek 48-vjeçari, ishte pikërisht numri i tij i celularit.
Nga përgjimet e kryera, rezultoi se Eduard Dalla, kërkonte të lidhte të tjera kontrata interneti, të paktën 7 të tilla donte të kishte në emër të kompanisë së tij, “Sonet shpk”, ose Sonet Solution, edhe këto kompani fiktive, pasi interneti përfundonte në ambientet ku ushtrohej aktiviteti i calll center.
Sipas hetimeve të përbashkëta me austriakët, dyshohet se Eduard Dalla, shërben si ndërmjetës midis call center dhe ofruesve të ndryshëm të shërbimit të internetit, për të vështirësuar identifikimin e tyre nëpërmjet IP.
Ndërkohë, 10 të arrestuarit do të dalin sot para Gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Në caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, gjykata thotë se merr në konsideratë edhe rrezikshmërinë shoqërore të të dyshuarve, Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj, e cila referuar rolit kryesor që dyshohet se kanë në organizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, krijimin, rekrutimin, ndarjen e roleve. etj, vlerësohet si rrezikshmëri e lartë shoqërore dhe krijon dyshimin që ata të kenë rrezik të largohen apo t’i shmangen hetimit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim....

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në bashkëpunim me autoritetet austriake, mbështetjen e Eurojust, EUROPOL dhe drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, u bë e mundur goditja e disa call-center-ave në Tiranë, që çuan në dhënien e masave të sigurimit ‘Arrest me burg’ për 7 persona, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, dhe u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, 5 persona.
Në vijim të hetimeve 2-vjeçare mbi procedimin penal nr.3377 për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b, parag. II, i Kodit Penal, ndaj shtetasve E.D., M.H., T.A., L.T., Xh.M., M.L., Xh.H., A.B., L.C., K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., rezultoi se pas informacioneve të marra nga autoritetet Austriake, këta shtetas mashtronin nëpërmjet aktivitetit të call-center-ave shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian duke ju shkaktuar humbje të mëdha financiare.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve Italianë ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparëshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro. Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Personat e mësipërm dyshohet se kanë nxitur qytetarët e dëmtuar, nëpërmjet paraqitjes së rrethanave të rreme, për të besuar se shumat e transferuara do të investoheshin realisht. Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, për vete ose për llogari të personave të tretë, pasi të dëmtuarit, për shkak të mashtrimit, kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat në total vlerësohet se tejkalojnë shumën prej 50 milionë euro.
Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Prokuroria identifikoi se shtetasit T.A. dhe M.H., gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto. Këta dy shtetas janë përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Centerave.
Skuadra e përbashkët hetimore e krijuar në shtator 2025, midis Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Prokurorisë së Vjenës, arriti të dokumentojë transaksionet e kryera në dëm të shtetasve austriakë të dëmtuar. Nga hetimet rezultoi se subjektet, “IOTA Netëork”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Netëork” janë të lidhur me njëri-tjetrin si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve dhe në pjesën më të madhe dyshohet se janë fiktive dhe kanë operuar si call-center-a. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto skema mashtruese.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë gjatë kontrolleve në subjektet e mësipërme u sekuestruan:
891,735 euro;
443 kompjuterë;
238 telefona celularë;
6 laptop; dhe
HDD, DVR.

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 4 prej të arrestuarve për skemën e mashtrimit me Call Center. Ata dolën sot pata Gjykatës së Tiranës për tu njohur me masat e sigurisë, ndërkohë që që për një prej tyre, Aida Vogli u la në fuqi masa e detyrim paraqitje.

Xhoni Hitaj 31 vjeç dhe Marsel Lami 29 vjeç, të dy në kërkim, me masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Tiranës, dyshohet se janë administratorët e call centerve mashtrues që autoritetet goditën së fundi në Tiranë.
Hitaj, rezulton të ketë qenë i arrestuar më parë për “vrasje me dashje”, të mbetur në tentativë.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, të cilën Report Tv e siguron, Xhoni Hitaj, administronte 2 call center-a mashtrues të goditur të hënën (13 prill 2026) nga prokuroria, policia dhe partnerët austriakë. Atë pranë qendrës së Tiranës, në hyrje të rrugës së Kavajës, “Upstream creative”, Në këtë ambient, dyshohet se ndodhej dhe zyra e të konsideruarit bosi i këtij rrjeti, Granit Pepnika, i cili nuk është kapur. Po ashtu, Hitaj është dhe administratori i call center që u zbulua pranë Kopshtit Zoologjik, “Magnolia Group”. MQ QKB ne emër të tij ka edhe subjekte të tjera. Por hetuesit dyshojnë se janë fiktive.
Edhe Marsel Lami, në periudha të ndryshme nga vitit 2023 deri në 2025-ën, rezulton të ketë qenë administrator i disa call center-ave të regjistruar në QKB me emra të ndryshëm. Këto adresa sipas hetuesve, janë fiktive, për të humbur gjurmët, pasi në të vërtetë, siç rezultuan nga kërkimet në teren, aktiviteti zhvillohej në vende të tjera nga ato të deklaruara.
Ndërkohë, i arrestuari tjetër, Xhoel Mekolli, sipas dosjes, rezulton të ketë punuar në periudha të gjata në këto call center, gati 3 vjet.
Hetuesit zbuluan disa operatorë që dyshohej se punonin në call center, të cilët u vunë në përgjimë telefonik, por edhe me pajisjen gjurmuese të vendndodhjes IMSI Catcher, me qëllim lokalizimin e adresave të sakta ku dyshohet se ushtrohej veprimtaria e call centerave. Kjo vështirësi e hetuesve për t’i gjetur zyrat ishte pikërisht prej adresave të gabuara me të cilat subjektet regjistroheshin në QKB.
Nga rezultatet e këtij vëzhgimi punonjëset u panë të shkojnë në call centerin te Rruga e Kavajës, dhe atë pranë Kopshtit Zoologjik.

Në dosjen të cilën Report Tv e siguron të call center-ave mashtrues në Tiranë, sipas grupit të përbashkët hetimor të Prokurorisë së kryeqytetit me partnerët austriakë, përfituesit fundorë të kriptovalutave që u vidheshin qytetarëve europianë, janë dyshja Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, të dy të arrestuar.
Mateo Hoxha, 24 vjeç, sipas prokurorisë, kishte përfituar 3.2 milionë dollar, ndërsa Agastra, 23-vjeçar, kishte përfituar 4.8 milionë dollar.
“Të dy gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto”, thuhet në dosje. Një veprim ky për të humbur gjurmët.
Tedi Agastra, është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës, në 2024-ën, në një cështje ku u lëshuan 19 urdhër arreste për veprat penale të "Ushtrimi pa licence të veprimtarive financiare" dhe "Fshehja e të ardhurave”
Në dosje thuhet se është dokumentuar në hetimin e mëparshëm se, Tedi Agastra në bashkëpunim me babain e tij, i cili ka zyrën e këmbimit valutor "Alba Forex" në rrugën "Abdyl Frashëri, këmbenin kriptovaluta, në para. Në këtë zyrë të këmbimit valutor, nga muaji dhjetor i vitit 2024, punon edhe Mateo Hoxha (i arrestuar në operacionin e së hënës (13 prill 2026).
Babai i 24-vjeçarit, Arbëror Agastra është nën masën e sigurimit personal "Arrest në shtëpi", për cështjen e mëparshme të 2024-ës. Në këtë grup ka qenë i dyshuar edhe kryefinancieri e televizionit të familjes Berisha, “Syri Tv”, Evis Sopi, i cili gjithashtu kishte një Exchange që dyshohej se e përdorte për të këmbyer kriptomonedhat në para cash.
Teksa prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet prej 2024-ës për call center-at mashtrues, në janar të vitit 2025, austriakët njoftojnë se të tjerë qytetarë atje kanë bërë kallëzime të reja për mashtrim nëpërmjet telefonit nga këshilltarë të supozuar financiarë që i ftonin të bënin investime në platformën "imctrading"
Transaksionet janë kryer në data të ndryshme. Por një qytetare austriake e dëmtuar, ka kërkuar informacione në një kompani shkëmbimi kriptomonedhash, nga ku ka marrë përgjigje se transaksionet e saj lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me dy shqiptarët, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra.
Komente










