Dosja e CIA-s për konfliktin
shqiptaro-sovjetik, nga fundi i Luftës

Dosja e CIA-s për konfliktin <br />shqiptaro-sovjetik, nga fundi i Luftës
TIRANE - Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, janë të destinuara të mbesin në analet e historisë jo vetëm shqiptare, por edhe asaj ruse e më gjerë, në kontesktin më specifik të historisë së gjithë Luftës së Ftohtë, si një nga çështjet më komplekse dhe njëkohësisht më interesante e shumë polemizuese, disa nga pikëpyetjet e të cilave ngjajnë të jenë të pazgjidhura edhe sot e kësaj dite.

Por si shiheshin këto marrëdhënie në optikën e amerikanëve e për më shumë të Agjensisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), e cila pas ndërprerjes së plotë të marrëdhënieve shtetërore e partiake mes ish-RPSH dhe ish-BRSS, tashmë po rrekej të sillte një analizë të plotë e shteruese të gjithë historikut të këtyre raporteve, duke marrë si pikënisje vitin 1940.

Qysh në krye të herës, dosja sekrete ( tashmë e deklasifikuar) me numër reference: ESAU XIX-62, mbi marrëdhëniet sovjeto-shqiptare (SOVIET - ALBANIAN RELATIONS, 1940-1960) e datës 22 qershor 1962, theksonte se: “Ky është një punim që merret me vështrimin e kursit të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike që nga lindja e Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1940 e deri në largimin e liderëve shqiptarë nga takimi i 81 partive në Moskë, në nëntor 19760.

Punimi ekzaminon origjinën dhe rrjedhën e diferencave shqiptaro-sovjetike dhe marrëdhënieve të tyre në kontesktin e marrëdhënieve kino-sovjetike”. Pra ato shihen si një paradhomë apo aneks i veçantë në një kontekst më të gjerë, siç ishin marrëdhëniet apo konfliktet kino-sovjetike, të cilat për nga rëndësia, sigurisht se ishin më të mëdha, porse nga forma dhe agresiviteti, kurrsesi më të forta e më të drejtpërdrejta se sa konflikti shqiptaro-sovjetik.

Në një përmbajtje relativisht voluminoze, dosja në fjalë, e cila duhet parë si një pjesë e së famshmes “Dosja e CIA-s për Shqipërinë”, prek shumë pika kulmore të këtyre marrëdhënieve, ku më pikantet janë:

•    Historiku i hershëm i Partisë Komuniste Shqiptare, 1941-1947

•    Roli i sovjetikëve në purgën antijugosllave shqiptare, 1948

•    Muaji i mjaltit shqiptaro-sovjetik, 1948-1955

•    Konflikti i pashpallur shqiptaro-sovjetik, 1955-57

•    Konferenca e Tiranës, 1956

•    Përmirësimi i marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, 1957-1959

•    Vizita e Hrushovit në Shqipëri, 1959

•    Konferencat e Traktatit të Varshavës e Mbledhja e Budapestit, 1959

•    Dështimi i përpjekjes ( siç e cilësojnë amerikanët) për grusht shteti, 1960

•    Purga ndaj Liri Belishovës e Koço Tashkos, 1960

•    Konferenca e 81 partive në Moskë, 1960

•    Prishja me BRSS dhe “Kina fiton një satelit”, 1961

Në fakt ky dokument ishte lënë disi në hije, ngase e trajtonte Shqipërinë në një mënyrë jo dhe aq direkte, siç kanë qenë “dosjet e CIA-s për Shqipërinë” në vitin 1949 dhe ’52, tashmë të deklasifikuara e bëra të ditura për publiukun e gjerë shqiptar në një seri artikujsh në vitet 2006-2007.

Dosja që po marrim në shqyrtim, përkon në shumë aspekte me perceptimin që shumë nga analistët dhe studiuesit vendas e të huaj kanë shprehur në lidhje me pikat e zbardhura e të pazbardhura të këtyre marrëdhënieve dhe na bën të besojmë se CIA, kishte një qasje shumë të qartë e objektive rreth asaj çka kishte ndodhur.

Por ajo sjell edhe pikëpamje “ngacmuese” e aludime që e bëjnë edhe më interesant diskutimin mbi këto marrëdhënie. Kështu për shembull, megjithëse nga shumëkush sot e kësaj dite, pretendimet e Hoxhës për një “puç” ndaj tij në vitin 1960, dukeshin të ekzagjeruara e ndoshta thjesht hapa për të justifikuar fushatën e tij të radhës së terrorit, në këtë raport shihen si “teza që gjejnë shumë mbështetje”.

Në shënimin plotësues të saj megjithatë thuhej se priteshin edhe mendime e korrigjime rreth gjetjeve që anëtarët e grupit të punës së CIA-s, kishin sjellë në këtë dokument.

Duke nisur nga sot, “Shqiptarja.com”, do të vijojë me botimin e pjesëve më kryesore të kësaj dosje, për të parë më qartë, në shqip, se cili ishte mendimi profesional amerikan në lidhje me këto marrëdhënie, rolin dhe impaktin që ato patën, pasojat që sollën dhe domethënien e hapave të pritshme të afrimit shqiptaro-kinez, i cili në vitin që dosja është hartuar, vetëm sa kishte nisur udhëtimin e tij.

                                                                    * * *

1. Diferencat mes palës shqiptare dhe asaj sovjetike, nuk nisin nga takimi i Budapestit, siç pretendonin të dyja palët në qershor 1960, por datojnë qysh kur liderët sovjetikë kishin vendosur të nisnin një riafrim me Jugosllavinë e Titos.

Në fakt, rrënjët e konfliktit ishin mbarsur qysh në vitet e hershme të pasluftës, kur politikat sovjetike kishin përkrahur fillimisht fort politikat hegjemoniste jugosllave kundrejt Shqipërisë, duke e parë këtë të fundit si pjesë të pandashme të Jugosllavisë së madhe.

2. Liderët shqiptarë e mirëpritën ndihmën jugosllave në themelimin e Partisë Komuniste shqiptare në 1941 dhe ndihmën që ajo u dha për përqëndrimin e pushtetit rreth duarve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjithsesi, ndërsa jugosllavët po avanconin në depërtimin e tyre politik dhe ekonomik në Shqipëri, në vitet e para të pasluftës, liderët shqiptarë nisën të krijonin një shqetësim në rritje. Partia e tyre, tashmë ndarë në fraksione dhe me këmbëngulje për të vendosur një kontroll të fortë mbi një komb të rrënuar, nuk ishte në pozicion të fortë për t’i bërë ballë presioneve jugosllave.

3. Gjatë gjithë kësaj periudhe ( 1940-1947), marrëdhëniet partiake e shtetërore shqiptaro-sovjetike mbetën minimale. Partia Komuniste Shqiptare që lindi në 1941, nuk kishte në nuklin e saj kuadro “të stërvitura” sovjetike, dhe kontaktet e para zyrtare mes rusëve dhe shqiptarëve u realizuan vetëm në verë të vitit 1944, kur një grup i vogël ushtarakësh sovjetikë u vendosën në Shqipëri. Marrëdhëniet diplomatike u vendosën në nëntor 1945, por duhej të pritej viti 1948, kur Stalini u konfliktua me Titon, që BRSS të shtonte interesin dhe investimet e tij në Shqipëri.

4. Prishja e BRSS me Jugosllavinë në 1948 u dha komunistëve shqiptarë rastin për të pasur një “zot” të ri tashmë larg kufinjve të Shqipërisë dhe të aftë për t’ia rritur prestigjin Shqipërisë së vogël në lëvizjen e madhe komuniste.

Liderët shqiptarë, me krenari e përqafuan këtë mundësi dhe Hoxha, me mbështetjen sovjetike, bëri të mundur t’a forconte pushtetin e vet në parti, duke ndërmarrë një ndëshkim për Koçi Xoxen dhe mbështetësit e tij që i akuzoi si “titistë”.

Gjatë kohës që i kishte mbetur Stalinit për të jetuar, Hoxha ia kushtoi përpjekjet e veta forcimit të kontrollit të tij në parti dhe marrëdhënieve me Moskën. Gjatë gjithë asaj periudhe, Shqipëria ishte qartazi njëra ndër satelitët më të bindur të Moskës.

5. Liderëve shqiptarë s’u kishte mbetur veçse t’a përshtatnin veten me kursin e ri pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, por ata po e bënin këtë aq ngadalë, me shumë gjasa nga frika se çdo ndryshim në kurs do të mund të prishte kontrollin e ashpër që tashmë partia kishte vendosur në jetën e vendit.

Ata gjithashtu ndoshta ishin të kujdesshëm e po rrinin në pritje të gjesteve sovjetike për përmirësim marrëdhëniesh me Jugosllavinë, por duhej vizita e Hrushovit në Beograd në vitin 1955, që shqiptarët të nisnin t’u rezistonin politikave sovjetike.

Gjatë gjithë periudhës 1955-‘56, Shqipëria bëri lëvizje sporadike për të ulur tonet e propagandës së vet antijugosllave, dhe refuzoi të bënte si rehabilitimin e Xoxes, ashtu dhe ndërmarrjen e ndonjë hapi domethënës në drejtim të destalinizimit që shkonin në linjë me udhëzimet e Moskës.

Revolucioni hungarez e ktheu mbrapsht kursin e ngjarjeve, e Hoxha dhe Shehu nuk iu nënshtruan më asnjë presioni tjetër për të ndërmarrë reforma të brendshme. Por kërcënimi për pozicionet e veta në vitin 1956, kishte qenë i qartë dhe besimi i tyre tek liderët sovjetikë tashmë ishte dobësuar ndjeshëm.

Ishte pikërisht në këtë pikë që ata duket se ishin bërë të ndërgjegjshëm mbi rritjen e interesit kinez kundrejt Europës Lindore dhe se mund t’a provonin e inkurajonin atë.

6. Ashtu sikurse në lidhjet e tyre të hershme me BRSS, liderët shqiptarë në fillim nuk i kishin kushtuar shumë vëmendje regjimit të Pekinit, i cili ishte vendosur në tetor 1949. Pas vdekjes së Stalinit, gjithsesi, dhe pas vitit 1956, shqiptarët nisën të manifestonin një interes në rritje ndaj Kinës.

Hoxha dhe Shehu me ç’dukej, ishin të impresionuar nga kontaktet e tyre fillestare me udhëheqësit kinezë në Pekin, në tetor 1956, dhe ndoshta u kthyen me disa garancira se liderët kinezë e respektonin pozicionin e tyre ndaj Jugosllavisë më shumë se sa Moska.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës vazhduan të rriteshin pas vitit 1956 dhe u bënë madje shumë të ngushta pas institucionalizimit të fushatës kineze kundër revizionizmit jugosllav, në maj 1958.

7. Skizma në rritje në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave nga viti 1957, qartësoi edhe rrugën për një periudhë të re marrëdhëniesh strikte e kordiale mes BRSS dhe Shqipërisë. Gjatë vitit 1958 dhe 1959, BRSS forcoi prezencën e tij fizike dhe pozicionimin në Shqipëri dhe i përforcoi sërish sulmet ndaj Jugosllavisë.

Liderët shqiptarë nga ana e tyre proklamuan besimin e plotë të tyre ndaj BRSS dhe në një seri aktivitetesh e takimesh shfrytëzuan më së miri rastin për t’a siguruar Moskën se lojaliteti i tyre dhe bindja ndaj Moskës, nuk ishin vënë kurrë në pikëpyetje.

8. Megjithatë, ambivalenca e vazhdueshme e qëndrimeve të Hrushovit ndaj Jugosllavisë, gjatë kësaj periudhe, ndoshta bëri një përshtypje të thellë tek liderët shqiptarë.

Nga njëra anë, disa nga qëndrimet e tij dukej se jepnin shenjë tek shqiptarët për të modifikuar politikat e tyre, duke i adoptuar ato me qëndrimet sovjetike e jugosllave të vitit 1956 dhe për të nënkuptuar një pranim në mënyrë implicite se ai kishte qenë keqkuptuar në besimin se konçesionet ndaj Titos do ta bënin Jugosllavinë të kthehej mbrapsht në Bllok.

Nga ana tjetër, thirrja e tij për dhënien fund të polemikave në korrik 1958 dhe shprehja e mendimit për të vazhduar të kërkonte kontakte me jugosllavët, sugjeronin se ai i njihte ambiciet e tij fillestare për rikthimin e Titos në grigjë.

9. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1959, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike arritën zenitin e tyre dhe Shqipëria tashmë po zinte një rëndësi të madhe në çështjet e brendshme të Bllokut. Në mesin e muajit maj, ato u nderuan në mënyrë sinjifikative nga organizimi i vizitës së Hrushovit në Shqipëri.

10. Vizita e Hrushovit në Shqipëri (25 maj-4 qershor) u zgjat me disa ditë, duke bërë përjashtim me çdo vizitë tjetër të tij në vendet e Bllokut, përveç asaj në Kinë, në tetor 1954. Ishte vizita e parë e një udhëheqësi sovjetik qëkurse Zhukovi kishte qenë atje në vitin 1957.

Zgjatja e saj ndoshta u bë me qëllimin për të kompensuar pjesërisht çdo ndjenjë neglizhence nga liderët shqiptarë. Por më shumë i rëndësishëm ndoshta ishte synimi për të krijuar një ide më të mirë e më të qartë rreth Shqipërisë, problemeve të saj dhe udhëheqjes, dhe për të hedhur tej perden e mosbesimit e të ndarjes mes dy vendeve.

11. Vizita ishte ndoshta jo aq e suksesshme sa ç‘u shit në atë kohë. Hrushovi ishte zhgënjyer gjithashtu ndoshta nga prapambetja e ekonomisë shqiptare. Hrushovi mbase ishte bërë më i kujdesshëm ndaj qëndrimeve dogmatike të Hoxhës dhe Shehut për përballimin e problemeve.

Liderët shqiptarë, ngjashmërisht me shumë gjasa ishin mërzitur nga këmbëngulkja e vazhdueshme e Hrushovit që ata t’a ulnin frikën që kishin ndaj jugosllavëve dhe t’a përqëndronin vëmendjen e tyre kryesore tek problemet e brendshme.

12. Gjatë verës së 1959, diferencat kino-sovjetike, sidomos rreth strategjisë ndërkombëtare të komunizmit, po bëheshin më të theksuara, dhe ndoshta ishte në 10-vjetorin e festimeve të Revolucionit kinez, në tetor të vitit 1959, kur liderët shqiptarë u bënë plotësisht të vetëdijshëm mbi domethënien e diferencave në rritje mes Moskës dhe Pekinit.

Duke ia nisur nga shtatori 1959, shqiptarët kishin dhënë çdo shenjë tashmë se e shihnin pikëpamjen e Hrushovit mbi politikat e bashkëekzistencës paqësore në mënyrë strikte në kontekstin e impakteve që ato jepnin mbi rolin e Jugosllavisë brenda bllokut.

Zgjerimi i përkrahjes për strategjinë ndërkombëtare komuniste, duke përfshirë edhe marrëdhëniet me fuqitë perëndimore, dukej se nuk i shqetësonte fare liderët shqiptarë. Por duke ndjekur festimet në Pekin, ata nisën të adoptojnë pozicione në mbështetje të Kinës, si në aspektin ideologjik, ashtu dhe në atë ndërkombëtar.

13. Ishte në mesin e tetorit që shqiptarët ia nisën qartësisht t’a rreshtonin veten krah kinezëve në çështjet e prekshme. Më 15 tetor, Radio Tirana për herë të parë në një vit referuar komunave kineze, po lavdëronte ato për transformimin nga “një disktrikt thellësisht i varfër, në një të pasur, një një kohë shumë të shkurtër”.

Një letër e shkruar nga Hoxha për përfaqësuesit e rojave kufitare e të sindikatave të punëtorëve të rinj, përmbajtja e së cilës u transmetua nga Radio Tirana më 23 tetor, ishte ngjashmërisht pro-kineze, ku reflektohej frika e përpjekjeve të Moskës për një detantë në marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit.

Ngjarjet që shoqëruan 15-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë më 29 nëntor, sërish shënuan thyerjen e madhe në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike dhe rritjen e ngrohtësisë mes kinezëve dhe shqiptarëve.

14. Viti 1960 u hap kërcënueshëm për lidershipin shqiptar dhe marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik po precipitonin me vazhdimin e atij viti. Më 6 janar, Vukmanoviç Tempo, kreu i sindikatave jugosllave dhe anëtar i Byrosë politike, shkoi për një vizitë trijavore në Moskë.

Ishte hera e parë e një zyrtari të lartë jugosllav në BS qysh nga nëntori i vitit 1957, dhe ajo u parapri nga bisedime mes Hrushovit dhe ambasadorit jugosllav në Moskë dhe asaj të Titos dhe ambasadorit sovjetik në Beograd.

Megjithëse bisedimet e Vukmanoviç Tempos me Hrushovin dhe liderët e tjerë sovjetikë gjatë qëndrimit të tij ishin joproduktive, ato dukej se demonstronin interesin e vazhdueshëm të Hrushovit për një riafrim mes tyre. Shqiptarët me të drejtë mund të jenë alarmuar mbi synimet e bisedimeve dhe të kenë shprehur rezervat e tyre për Moskën.

15. Në çdo aktivitet, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike kishin degjeneruar poshtë nivelit të shfaqur në deklaratat publike kur liderët e Bllokut ishin mbledhur në Moskë në fillim të shkurtit 1960, për një konferencë mbi bujqësinë dhe në një takim të “Traktatit të Varshavës”.

Në takimin mbi bujqësinë, Hoxha sulmoi praktikat bujqësore polake. Hrushovi i nevrikosur replikoi duke thënë se “shokët shqiptarë duhet të përqëndrohen tek problemet në bujqësinë e tyre, të cilat nuk janë aspak më të vogla”.

Në takimin e “Traktatit të Varshavës”, në ditën që pasoi, liderët shqiptarë e gjetën veten sërish nën sulmet indirekte të Hrushovit. Në këtë seksion, diferencat kino-sovjetike mbi politikat e jashtme, u bënë të ditura për një publik të gjerë në një asamble të liderëve të Bllokut.

Hoxha dhe Shehu u rikthyen në Shqipëri më 9 shkurt, të inatosur, të armiqësuar më shumë dhe në dukje të vendosur tashmë që të mbështesnin Kinën si alternativa më e mirë për ta.


Foto: Enver Hoxha pritet nga liderët sovjetikë, gjatë vizitës në Moskë, 1947)
( vijon në numrin e ardhshëm )


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës