Seanca maratonë/ Përplasjet në gjyq në Elbasan
Seanca në Elbasan nisi në orën 11:00 të paradites dhe përfundoi në orën 18:30, ndërsa u ndërpre dy herë me kërkesë të avokatëve mbrojtës të cilët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Idushe Maliqi. Por me kërkesë të avokatëve Artan Hajdari dhe Neshat Fana, gjyqtarja Maliqi u tërhoq nga trupa gjykuese dhe për rrjedhojë seanca u shty për rreth katër orë. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Bujar Musta, i cili ka rrëzuar kërkesën e avokatëve Artan hajdari dhe Neshat Fana, duke lënë gjyqtaren Idushe Maliqi në krye të grupës gjykuese dhe me prokurore të çështjes, Armanda Xhaferrin.

(Haxhinasto duke ndjekur gjyqin)
Report Tv transmetoi live seancën në Elbasan
Report Tv ishte i vetmi që transmetoi live seancën nga Gjykata e Elbasanit në ngarkim të Xhikës, ish-zyrtar i lartë i LSI-së (kandidoi për deputet në Elbasan në zgjedhjet e 25 qershorit) dhe Andi Tomës ish-zyrtar i lartë i PD i cili për 8 vite ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Rrugëve. I pranishëm gjatë kësaj seance, siç duket edhe nga pamjet e transmetuara live nga Report Tv, ka qenë edhe ish-ministri i Transporteve, deputet i LSI në Qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto si dhe familjarë të të arrestuarve. Përveç Xhikës dhe Tomës, të arrestuar janë edhe edhe 3 persona të tjerë, biznesmenë, Besnik Hysa, Kujtim Hysa dhe Flutura Hysa, përfaqësues të firmës "Tre vllezërit Hysa" e cila ka ndërtuar segmentin Elbasan-Gjinar si dhe mbikëqyrësi i punimeve Rexhep Tarba.
Debate të ashpra mes avokatëve dhe prokurores
Seanca u zhvillua me debate. Artan Hajdari dhe Neshat Fana, avokatët mbrojtës të Xhikës dhe Tomës kanë kundërshtuar arrestimin. Avokati i Andi Tomës, Neshat Fana kërkoi përjashtim të gjyqtares nga procesi. Ai theksoi se kontrolli i banesës së klientit të tij është bërë në orë të vota të natës. “Banesa është e shenjtë, s’mund të ketë kontroll pas orës 20:00. Policia ka terrorizuar familjen, kontrolli i banesës natën”. Në debate u përfshi edhe prokurorja Armanda Xhaferri e cila akuzoi avokatët mbrojtës se duan të bllokojnë procesin. “Kërkesa për përjashtim për të penguar procesin”, tha Xhaferri. Pas debateve për përjashtimin e gjyqtares, seanca u ndërpre për të marrë në shqyrtim këtë kërkesë të avokatëve mbrojtës Hajdari dhe Fana.
Arrestimi i ish-drejtorëve të ARRSH për Gjinarin
Prokuroria e Elbasanit urdhëroi arrestimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të rrugëve Dashamir Xhika, pas abuzimeve që janë konstatuar në procedurat tenderuese dhe mbikëqyrëse në ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 5.3 miliard lekë. Procedurat për ndërtimin e kësaj rruge kanë nisur që në vitin 2009 kur në krye të Drejtorisë së Rrugëve ishte Andi Toma, ndërsa në vitin 2015 është tenderuar gjithashtu rikonstruksioni i rrugës i cili nuk u realizua kurrë.
Të proceduar janë ish-zyrtarë të lartë, kolaudues dhe disa biznesmenë të kompanive ndërtuese “Arifaj” dhe Tre vllezërit Hysa”. Kompania administrohet nga Besnik Hysa, Kujtim Hysa dhe Flutura Hysa dhe është themeluar prej vitit 2001. Dy vëllezërit tashmë janë arrestuar nga policia, ndërkohë mes të arrestuarve është Rezarta Bokçiu, e cila administron kompaninë e ndërtimit “Arifaj”. Mes të arrestuarve janë edhe zyrtarët që kanë bërë kolaudimin fiktiv të rrugës Elbasan-Gjinar.
Të arrestuar:
Dashamir Xhika
Andi Toma
Besnik Hysa
Kujtim Hysa
Flutura Hysa
Rexhep Tarba
Arrest shtëpie:
Rezarta Bokçiu
Detyrim Paraqitje/ Kolaudues:
Lek Tusha
Astrit Qafa
Malvina Kallabaku
Afërdita Basha
Kastriot Braha
[gallery]25495[/gallery]
l.q-d.b/shqiptarja.com

VIDEO










