TIRANË- SPAK arreston ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur politikisht, atë të inceneratorit në Elbasan. Report Tv mëson se Lefter Koka u vu në pranga në banesën e tij në Durrës gjatë paradites së të martës, ndërsa gjyqtari Erion Bani më herët kishte vulosur urdhër arrestin e kërkuar nga prokurori Klodian Braho dy ditë më parë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë. Në të njëjtën skemë, të korrupsionit me inceneratorët, burime nga SPAK thonë për Report Tv se janë shpallur në kërkim edhe S. G, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe K. Z.  Janë vendosur në sekuestruo preventive kompanitë "Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. 

Ndërkohë që u sekuestron dhe kompanitë "Albtek Energy”, “Integrated Technology Services” si edhe “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. 

SPAK thotë se po vijon hetimet e mëtejshme për mbledhjen e provave të nevojshme për persona të tjerë, funksionarë publikë dhe persona fizik dhe juridikë privatë, për të cilët ka dyshime se mundet të jenë përfshirë në kryerjen e veprimtarisë kriminale të mësipërme.

Hetimet e kryera
SPAK nënvizon se në hetimet e kryera objekti ka qenë procedura e ndjekur për lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, kontratë e lidhur midis midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit dhe janë shkelur rregullat për prokurorimin publik. Gjithashtu sipas SPAK nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) procedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Anëtarët e Komisionit për dhënien e konçensionit në bashkëpunim me ministrin Lefter Koka akuzohen se nuk kanë përmbushur në mënyrë të rregullt detyrën, duke bërë që kompania ‘Albtek Energy’ të përfitojë në mënyrë të padrejtë koncesion, në kundërshtim me ligjin.  Sipas SPAK ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qenë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të procedurës së koncesionit”

Para për punë të pakryera! 3.7 mln euro Lefter Kokës
Në njoftimin e SPAK thuhet se kompania  “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) kanë marrë fatura dhe kanë kryer pagesa për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.  “Albtek Energy” ka deklaruar në mënyrë fiktive 2.950.000 Euro ndërsa “Integrated Technology Services” 735.000 Euro, 3.7  milionë euro gjithsej.  Sipas SPAK shifrat e deklaruara si shpenzime dhe që janë fiktive janë përfituar nga Lefter Koka, pra mbi 3.7 milionë euro gjithsej. Këto para Lefter Koka i ka marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” për koncesionin.

Skema e përdorur
S. G dhe K. Z sipas SPAK si pronarë të 2 kompanive kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit. Lefter Koka ka marrë përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Sekuestro preventive 3 kompanive
SPAK njofton se ka vendosur sekuestro preventine për  Albtek Energy” sh.p.k., me seli qendrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të kësaj kompania, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale. Është vendosur sekuestro preventive për “Integrated Technology Services”, me seli qendrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale. Gjithashtu është vendosur sekuestro preventive për pasurinë e Lefter Kokës, aksionet e tij në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”  me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale. 

Kush është Lefter Koka?
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI. Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat.  Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit.  Më 1 shtator, deputeti i zgjedhur i PS-së, Lefter Koka, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës.

 

VIDEO-Të dhënat e fundit me gazetarin Arsen Rusta

 

 

Video Momenti i shoqërimit i Lefter Kokës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:31
SPAK njoftim zyrtar për arrestimin e Lefter Kokës! Përfitoi nga afera korruptive rreth 3.7 mln euro! Në kërkim 2 të tjerë, u sekuestron dhe kompanitë

Prokuroria Speciale SPAK njofton zyrtarisht arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka, për dosjen e inceneratorëve të depozituar në organin e akuzës nga PD dhe LSI. Në pranga kanë rënë dhe dy persona të tjerë, pronarë të kompanive të inceneratorëve, S. G dhe K. Z.

Gjithashtu, janë sekuestruar dy kompanitë e inceneratorëve “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, të administruara nga personat e lartpërmendur, si dhe kompania “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., në pronësi të Lefter Kokës.

Njoftimi i plotë
Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kallëzimit penal të subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, ka zhvilluar hetime për proçedimin penal nr.277 viti 2020, që bën fjalë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 248, 245, 260 dhe neni 287, gërmat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.

Objekti i hetimeve të këtij proçedimi penal kanë qënë veprimet e kryera për proçedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate konçensioni, kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k.

Lidhur me këtë proçedim penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore të natyrës komplekse dhe voluminoze, veprime hetimore të karakterit historik, por njëkohësisht edhe veprime hetimore proaktive, si rezultat i të cilave janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e disa veprave penale. Më konkretisht:

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar se në proçedurën e dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr.125/2013 “Për konçensionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me nenet 5, 6, 7, 8, 13, 14/1, 26 të V.K.M nr.575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me konçension/partneritet publik privat”, me kreun II, pika 2/c, të V.K.M-së nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar.

Së dyti, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është është zbatuar proçedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e proçedurës që është përdorur për dhënien e konçensionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr.125/2013 “Për konçensionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me dokumentet standarte të tenderit të zbatueshme për konçensionet, në kundërshtim edhe me sygjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjensisë së Prokurimit Publik. Në rastin konkret, në proçedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur proçedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Proçedura e ndjekur për dhënien e konçensionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga proçedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e konçensionit munden të përdoren vetëm një nga tre proçedurat: i) proçedura e hapur; ii) proçedura e kufizuar; ose iii) proçedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e konçensionit në bashkëpunim me shtetasin L.K, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit. Veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” sh.p.k. përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e konçensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. Ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qënë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qënë përsoni përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të proçedurës së konçensionit.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).   

Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë  dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

Shtetasja S.G., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi K.Z., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Bazuar në argumentet e mësipërme, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit S.G. dhe K.Z. kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.

Po kështu, bazuar në argumentet e mësipërme dhe duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi L.K. ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Në këtë proçedim penal, krahas marrjes në përgjegjësi penale të shtetasve L.K., K.Z. dhe S.G., si dhe të disa persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, janë marrë në përgjegjësi penale edhe personat juridikë, shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.100, datë 12.12.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

  • Caktimi ndaj personit nën hetim L.K. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.
  • Caktimi ndaj personit nën hetim K.Z. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale të 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
  • Caktimi ndaj personit nën hetim S.G. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale të 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.

 Po kështu, me vendimin nr.484 akti, datë 13.12.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

  • Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Albtek Energy” sh.p.k., me seli qëndrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
  • Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
  • Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit L.K., të “88, 19 %” të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., me Nipt J61811527M, me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot në datën 14.12.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasit L.K., si dhe janë duke u kryer veprimet e nevojshme për vënien në administrim të Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të tre personave juridikë për të cilët është vendosur masa e sigurimit pasurore “sekuestro preventive”.

Vijojnë hetimet e mëtejshme për mbledhjen e provave të nevojshme për persona të tjerë, funksionarë publikë dhe persona fizik dhe juridikë privatë, për të cilët ka dyshime se mundet të jenë përfshirë në kryerjen e veprimtarisë kriminale të mësipërme. Prokuroria e Posaçme siguron opinionin publik se do të vijojë që të hetojë mbi çdo kallëzim penal që do të paraqitet dhe mbi çdo njoftim për kryerje të ndonjë vepre penale që do të marrë dijeni me iniciativën e saj, me objektivitet dhe me paanshmëri të plotë, si dhe në të gjitha rastet kur do të gjenden dhe do të mblidhen provat e nevojshme, do të ushtrohet ndjekja penale sipas ligjit dhe personat përgjegjës do të merren në përgjegjësi penale.

Ora 14:21
Pa pranga në duar, del videoja e Lefter Kokës duke u futur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Pa pranga në duar, del videoja e Lefter Kokës duke u futur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Koka do të qëndrojë aty deri në konfirmimin e masës së sigurisë në GJKKO, që pritet të jepet pas 2 ditësh.

Ora 12:58
Detaje të reja/ Lefter Koka u arrestua në shtëpinë e tij në Durrës

 

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arrestimin nga SPAK, të ish-ministrit të mjedisit, Lefter Koka. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se Koka është arrestuar në banesën e tij në Durrës, rreth orës 11:30.

1639489005_Screenshot1.jpg

 

Blloku i pallateve ku banon Lefter Koka