Dosja e Vettingut - S’deklaroi 100 mln lekë, gjyqtari Dvorani: Ishte pakujdesi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar vendimin për konfirmimin në detyrë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, vendim i cili u komentua nga Partia Demokratike si i njëanshëm. Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli, pas një hetimi të thelluar, ka arritur në konkluzionin se Ardian Dvorani ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, e cila është e justifikuar me burime të ligjshme dhe e bazuar në dokumentacion të plotë ligjor. Po cila ishte pasaktësia në deklarimin e pasurisë që rrezikoi pozitat e gjyqtarit? Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë, në raportin e dorëzuar në Komisionin e Vetingut, ka konstatuar se, Ardian Dvorani, në deklaratën e pasurisë për llogari të procesit të Vetingut, nuk ka deklaruar llogaritë bankare prej 9,975,000 lekësh. Mosdeklarimin e kësaj shume, ILDKPKI e ka konsideruar si deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin. Po ashtu, likuiditetet e padeklaruara i ka konsideruar si fshehje pasurie. Gjatë hetimit administrativ nga KPK, pas informacionit të marrë nga bankat e çdo niveli, ka rezultuar se gjyqtari Dvorani dhe personat e lidhur me të, nuk kanë deklaruar në deklaratën për Vetingun shumat 670,018 lekë, 3,500,000 lekë, 300,000 lekë, 401,025 lekë, 349,666 lekë, 2,000,000 lekë, 2,000,000 lekë etj. Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thotë se këto shuma janë të justifikuara si dhe gjyqtari i ka deklaruar në të gjitha deklarata periodike të dorëzuara në ILDKPKI.

Në deklaratat periodike janë deklaruar rregullisht, në mënyrë të detajuar dhe të dokumentuar, të ardhurat e subjektit dhe bashkëshortes, pasuritë, burimi i krijimit, si dhe të gjitha likuiditetet në llogaritë bankare të tyre, detyrim sipas nenit 7, pika 5, dhe nenit 21 të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare, të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, të ndryshuar. Deklarimi i fundit para Deklaratës - Vetting (datë 31.01.2017), është ai i bërë në datën 30.03.2016, nga ku rezulton të jenë deklaruar në mënyrë të detajuar dhe të dokumentuar të gjitha ndryshimet ne likuiditetet e subjektit dhe bashkëshortes, sipas ligjit të sipërpërmendur”, thuhet në vendim.

( Kliko këtu ) për vendimin e plotë të KPK për Ardian Dvoranin

Dvorani: Ishte pakujdesi

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani ka deklaruar para KPK se mosdeklarimi i llogarive bankare në deklaratën për Vetingun, ishte një pakujdesi, pasi këto para janë deklaruar më parë në ILDKPKI vit pas viti. “Në parashtrimet e tij, subjekti pranon një pasaktësi të dukshme në formularin e deklarimit të pasurisë për Vetting, për shkak së nuk gjenden fizikisht katër faqe me deklarimin e likuiditeteve, dhe e shpjegon mungesën e deklarimit të të gjitha likuiditeteve të tij dhe personave të lidhur me të, për shkak të pakujdesisë dhe ngarkesës në momentin e mbledhjes së të dhënave për plotësimin e Deklaratës - Vetting, pa asnjë lloj motivi dhe qëllimi për fshehje pasurie, duke reflektuar një qëndrim kritik ndaj vetes për këtë pakujdesi, si dhe duke argumentuar ndërkohë mungesën totale të fshehjes së pasurisë (likuiditetet e padeklaruara)”, thuhet në vendimin e KPK.

KPK: Nuk konsiderohet fshehje pasurie

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar se nuk mund të konsiderohet fshehje pasurie mosdeklarimi i atyre llogarive bankare, pasi gjyqtari i ka deklaruar më parë llogaritë, të cilat justifikohen me të ardhura të ligjshme. “Fakti që subjekti dhe bashkëshortja e tij, znj. E. D., në deklaratat periodike kanë deklaruar rregullisht likuiditetet, burimet e krijimit dhe ndryshimet e tyre ndër vite deri në vitin 2016, (detyrim sipas nenit 7 pika 5 dhe nenit 21 të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare, të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar), tregon se mosdeklarimi i likuiditeteve në shumën prej 7,882,353 lekë në Deklaratën – Vetting (2017), nuk është bërë me qëllim fshehje, dhe as për t’iu shmangur një detyrimi ligjor, të cilin subjekti e ka përmbushur rregullisht ndër vite, por është thjesht një harresë nga ana e tij. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për likuiditetet në emër të prindërve, të cilat nuk janë deklaruar në Deklaratën-Vetting”, arsyeton KPK.

KPK kritikon ILDKPKI

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thotë se ILDKPKI-ja mund ta thërriste subjektin për sqarime të hollësishme, meqenëse këto llogari bankare i kishte deklaruar më parë. “Në zbatim të kësaj dispozite ligjore, ILDKPKI-ja mund të thërriste subjektin për sqarime të hollësishme dhe argumentet përkatëse lidhur me mosdeklarimin e likuiditeteve. Në dosjen e ILDKPKI-së, nuk ka një dokument që të vërtetojë këtë. Gjithashtu, në raportin për vlerësimin e pasurisë nuk është përmendur fakti se subjektit i janë kërkuar sqarime (detyrim ligjor sipas dispozitës së sipërpërmendur), përpara se të arrihej në konkluzionin se ai ka konsumuar fshehje pasurie. Gjatë analizës financiare për likuiditetet e padeklaruara, pasi janë verifikuar të gjitha të ardhurat e subjektit dhe personave të lidhur me të, mbështetur në deklaratat periodike dhe informacionin bankar të marrë në rrugë ligjore, është konstatuar se: Subjekti dhe personat e lidhur kanë deklaruar rregullisht në vite likuiditetet dhe burimin e krijimit të tyre që nga momenti i krijimit, deri në deklarimin për vitin 2016”, thuhet në vendim.

ILDKPKI

Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë, në raportin e dorëzuar në Komisionin e Vetingut, ka konstatuar se, Ardian Dvorani, në deklaratën e pasurisë për llogari të procesit të Vetingut, nuk ka deklaruar llogaritë bankare prej 9,975,000 lekësh.

Komisioni i Vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar se nuk mund të konsiderohet fshehje pasurie mosdeklarimi i atyre llogarive bankare, pasi gjyqtari i ka deklaruar më parë llogaritë, të cilat justifikohen me të ardhura të ligjshme.

Konkluzionet e KPK për gjyqtarin Ardian Dvorani

1. Pasuria

Në përfundim të hetimit administrativ lidhur me rivlerësimin e pasurisë, sipas parashikimeve të pikës 5 të nenit 33 të ligjit nr. 84/2016, për subjektin e rivlerësimit, z. Ardian Dvorani, ka rezultuar:

-Deklarim i pasaktë për shkak të mosdeklarimit të likuiditeteve në llogaritë bankare të

subjektit dhe personave të lidhur me të në Deklaratën - Vetting, por, siç u argumentua

më lart, pa qëllimin e fshehjes;

-Ka pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për krijimin e pasurive dhe shpenzimet

e kryera gjatë periudhës së rivlerësimit, nga 2003 - 2016 (përfshirë këtu dhe likuiditetet

e padeklaruara);

-Nuk ka kryer fshehje të pasurisë;

-Nuk ka kryer deklarim të rremë;

-Nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

Bazuar në sa më lart, në përfundim të procesit të rivlerësimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë, Komisioni arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit, z. Ardian Dvorani, ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, e cila është e justifikuar me burime të ligjshme, bazuar në dokumentacion të plotë ligjor.

2. Kontrolli i figurës

-Në përfundim të rivlerësimit për kriterin e kontrollit të figurës, Komisionit i rezulton se për subjektin e rivlerësimit, z. Ardian Dvorani, nga verifikimet e kryera nuk rezultoi të ketë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, dhe ka dorëzuar në kohë deklaratën për figurën, si dhe ka bërë deklarime të sakta dhe me vërtetësi, ose nuk ka fshehur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

3. Aftësia profesionale

Në përputhje me nenin 44/a të ligjit nr. 84/2016, trupi gjykues, pasi ka marrë në

konsideratë propozimin e relatores së çështjes për vlerësimin “i aftë”, çmon se subjekti i

rivlerësimit ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve, është eficient dhe efektiv në masë të pranueshme në punë dhe, për këto arsye, vlerësohet i aftë profesionalisht

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Robshi: 05/09/2018 10:29

    Komiteti i Partisë Komuniste... Do vijë koha që dikush do paguaj për talljen aktuale të trapit me jetët e njerëzve... aktualisht janë rehat me rroga 3mil e lart...ama jeta është e gjatë...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!