SPAK ka parandaluar zbatimin e një plani kriminal për eliminimin fizik në Burgun e Drenovës të të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili me rrëfimet e tij tronditëse ka zbardhur disa krime të vjetra, duke implikuar: Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Rusi dhe veten e tij. Report Tv ka parë dosjen penale, sipas të cilës Elton Goskova, i njohur si Reqi i Korçës, bashkë me Ervis Kosovën, kanë tentuar të korruptonin familjarët e Luftar Reçit, me qëllim për të ndryshuar dëshminë për vrasjen e  Klodjan Saliut, Vajdin Lamajt dhe mikut të tij Artan Arsi. Krahas ofertave financiare, ata kanë kërcënuar me jetë familjarët e Reçit, si dhe kanë tentuar të eliminonin vetë Luftar Reçin, me anë të helmimit në burg.

Kontakti me familjarët e dëshmitarit

Lufta Reçi, i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e Maksim Lalës, ka rrëfyer në datat 21 tetor, 31 tetor dhe 26 nëntor 2020, të gjithë veprimtarinë kriminale që ka pasur me Lulzim Berishën dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij, me qëllim për të zbutur dënimin e tij.

Dëshmia e tij ka alarmuar të implikuarit, shumica e të cilëve ishin në burg për vepra të tjera penale. Ata kanë aktivizuar njerëzit e tyre jashtë burgut për të sabotuar dëshminë dhe për t’i shpëtuar dënimit.

Në qershor të vitit 2021, disa persona silleshin rreth banesës së vjehrrës së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi. Ata kanë arritur të kontaktojnë me të moshuarën.

Në 7 qershor të vitit 2021, gruaja e Luftar Reçit, Kristina Kosta, ka marrë një telefonatë nga mamaja e saj, e cila i ka treguar se i kishte shkuar një person duke i kërkuar numrin e saj. Mamaja e Kristinës nuk ia ka dhënë numrin.

Në këto kushte, personi misterioz i kishte lënë numrin e tij, duke e porositur që t’ja jepte gruas së Reçit dhe t’i telefononte menjëherë. Kristina Kosta ka telefonua në numrin përkatës. Personi që i është përgjigjur, është prezantuar me emrin Gentian, i cili i ka kërkuar një takim poshtë pallatit ku banonte gruaja e dëshmitarit.

Duke e quajtur ‘byrazerkë’, Gentiani i ka thënë gruas së Luftar Reçit se e kishte dërguar Emiljano Shullazi, që t’i thoshte ati që është brenda (Luftarit) që të tërhiqte fjalët që kishte thënë për të, në lidhje me krimet e rrëfyera para SPAK-ut. Në atë kohë, Kristina Kostës i ka telefonuar Luftari nga burgu. Ajo i ka kaluar në telefon Gentianin.

Kërcënime dhe oferta

Në 26 qershor 2021, gruas së bashkëpunëtorit të drejtësisë i ka telefonuar Reqi i Korçës, i njohur si Elton Goskova. Ky i fundit i ka kërkuar takim në Pogradec, të nesërmen në drektë. Në datë 27 qershor 2021 në telefon e ka marrë shoku i Reqit, pasi ku i fundit nuk mund të shkonte. Në takim, personi nuk i kishte treguar emrin, por i kishte dhënë një mesazh të qartë. Mesazhi përmbante kërcënime me jetë, si dhe një ofertë, që parashikonte mbylljen e kredive si dhe blerjen e një shtëpie.

Mesazhi ishte ky: “Thuaj Luftarit se ne ja dimë ku i ka fëmijët në Tiranë, edhe gruan që ka në Korçë, ai e di shumë mirë se jemi nga ata persona që nuk pyesim për asnjë në Shqipëri. Ne kemi njerëz që vrasin fëmijë, gra dhe burra. Thuaj Luftarit të thërrasë mediat dhe ta pushojë atë që ka folur për vëllai tim. Nuk më tha asnjë emër. Me tha se ne nuk i kemi bërë dëm, dhe as nuk e njohim fare, çfarë ka ai me ata të Durrësit të bëj çfarë të dojë, se ne nuk i njohim ata. Personi që më takoj më tha se kur të thërras mediat dhe ta bëj kryerjen e kësaj detyre, për këtë ne do i blejmë asaj (Kristinës) një shtëpi në Korçë dhe do t’i mbyllim të gjitha kreditë që ka dhe do të ndihmojmë me ata të Durrësit që të mos gjejë asnjë gjë. Më tha mua as ti mos ja jep kujt këtë numër telefoni që folëm bashkë se po e mora vesh që ja ke dhënë dikujt do kesh probleme shumë të mëdha”.

Nis zbatimi i planit B

Krahas ofertave dhe kërcënimeve ndaj familjarëve të Luftar Reçit, për ta detyruar këtë të fundit të tërhiqte dëshminë, njerëzit e të implikuarve në vrasjet e bujshme, kanë nisur zbatimin e një plani B. Plani parashikonte eliminimin fizik të Luftar Reçit në burgun e Drenovës, me anë të helmimit përmes ushqimit.

Për të realizuar aktin e helmimit, ata kanë kontaktuar punonjës të burgjeve, duke i kërcënuar me jetë dhe duke u ofruar para, konkretisht një shpërblim me vlerë 150 mijë euro.

Por të dy planet kanë dështuar në prag të finalizimit, pasi SPAK ka mundur të sigurisë informacion. Nga ana tjetër, polici që do të përfshihej në këtë skemë, ka rrëfyer detajet e këtij plani duke u bërë bashkëpunëtori i dytë i drejtësisë.