TIRANE - A1 Report ka mundur të zbardhë dokumentin zyrtar të përpiluar nga Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit në lidhje me akuzat ndaj Mark Frrokut. Përveç krimeve për të cilat Frroku akuzohet se i ka kryer në Belgjikë, në dokument është evidentuar se Mark Frroku është hetuar edhe në Itali për shfrytëzim të prostitutave. Sipas dokumenti Frroku është hetuar në vitin 2001 nga gjykata e Pratos në veri të Italisë. Në hetimin për prostitucion përveç Frrokut janë të përfshirë edhe tre shqiptarë të tjerë por ajo që vihet në dukje nga ky dokument e hartuar nga Prokurori C.Fruy është edhe fakti se bashkë me Mark Frrokun është hetuar edhe Arjan Bytyçi i cili po ashtu pas hetimit në Itali ka qenë i përfshirë edhe në ngjarjen e Belgjikës.

Sipas dosje "Arjan Bytyci është arrestuar në Trieste, Itali në 17 nëntor 2001 me një identitet të rremë , Ilir Morina, lindur në Pukë më 2 Shkurt 1965. Ai është hetuar bashkë me një farë Shkëlqim Gjonaj  nga Gjykata e Pratos për shfrytëzim prostitucioni të një gruaje në kuadrin e një dosje që implikon Mark Frokun (Besnik Morina) , Arben Pash Rrapi dhe Gëzim Prenga.  Ai nuk mund të ekstradohet në Belgjikë në kuadrin e dosjes aktuale pa shlyer më oparë dënimin që ka marrë në këtë vend."

Ndërkohë referuar vrasjes në Belgjikë, në dokumentin e hartuar nga Prokurori ne Bruksel theksohet se Frroku në dhjetor të 2002 është dënuar nga gjykata e Amsterdamit me 3 vite burg për drogë. Pas dënimit në Amsterdam Frroku është ekstraduar në vitin 2004 në Belgjikë nën masën e sigurisë së arrestit.

Ja çfarë ka shkruar prokurori:
"I ashtuquajturi Besnik Morina, alias Mark Frroku alias Piro Safrani (Sofrina) është burgosur në Amsterdam, në Vendet e Ulëta në kuadrin e një dosjeje për thyerjen e ligjit mbi opiumin. Eshtë dënuar në 4 dhjetor 2002 nga Gjykata e Amsterdamit me tre vjet burgim. U ekstradua në  Belgjikë në kuadrin e kësaj dosjeje, me mandati për arrestimin ndërkombëtar që I përket datës 10 janar 200o. I solli heqjen e lirisë në 6 maj 2004
Ai deklaron se nuk ka vrarë askënd dhe se nuk e njeh viktimën".


Dokumenti që ka mundur të zbardhë A1Report është përpiluar në 10 nëntor të 2009 kohë kjo në të cilën janë mbyllur edhe hetimet për Mark Frrokun dhe katër shqiptarë të tjerë të akuzuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit të ndodhur në Bruksel në 5 mars të 1999.

Përshkrimi i vrasjes së Aleksander Kurtit sipas dosjes së prokurorit belg
Më 5 mars 1999, ora 17:45 Policia e Saint-Gilles zbulon në rrugën në hyrje të stacionit “Gare Du Midi, nr 47” trupin e një të riu në agoni. “Ka hundën komplet me gjak, hematoma të rënda poshtë syve, i plagosur në duar dhe në kraharorin e gjakosur paraqiste tre plagë me thikë. Dy dëshmitarë kanë thënë përpara policisë që në orën 17:30 kanë parë tre persona që vraponin, njëri e kishte dorën të futur poshtë xhaketës dhe më pas hedh një thikë të madhe poshtë kamionit të postës, 100 metra larg vendit të ngjarjes.

Viktima u identifikua në bazë të dokumenteve që kishte me vete si Azem Shkreli nga Jugosllavia i lindur me 8 shtator 1980. Karta e identitetit me emrin Azem Shkreli kishte të shënuar një person të kontaktit në raste urgjence: Nikolas Kurti. Gjithashtu u gjet edhe një foto e prerë e një gruaje, pas të cilës shkruhej: “Lume, Ti amo, Je T’aime dhe Te dua 27.01.1999, kujtim për shokun tim Aleksandrin. Pas hetimeve të para rezulton se bëhet fjalë për larje hesapesh në mesin e grupeve të prostitucionit shqiptar
.” – shkruhet në aktakuzën belge. 

Nikolas Kurti, i kontaktuar ka shpjeguar se bëhet fjalë për vëllain e tij, Aleksander Kurti, i datëlindjes 13 janar 1975 nga Shqipëria. Sipas tij identiteti i rremë ishte përdorur nga i vëllai për të përfituar azil politik si shtetas kosovar.

Nikoll Kurti, vëllai i viktimës
Vëllai i viktimës, Nikoll Kurti, më 13 mars 1999 i tregoi policisë gjyqësore se Aleksandri kishte jetuar në Itali me një grua të quajtur Rakele, që mund të quhej edhe Lume. Ai jetonte në Filadelfia SHBA prej nga merrte rregullisht në telefon vëllain Aleksandër, që ishte sistemuar në Londër. Tre javë para se të vritej, Aleksandri i telefonoi se po shkonte në Belgjikë “për të ndihmuar dikë”.

Sipas tij, Aleksandri kundrejt pagesës ndihmonte shqiptarë që të kalonin në Angli, duke bërë përkthime tek Imigracioni anglez. Ilegalët kalonin në Bruksel tek Klub “Prishtina”. Ai i kishte treguar edhe për qëllimin e tij për të kaluar vajza nga Evropa në Angli. Nikolla tregon para hetuesve, pas vrasjes, edhe për mbledhjen e baballareve në Shqipëri, që organizohet në raste vrasjeje, për të nxjerrë përgjegjësit dhe dëmshpërblimin.

Sipas vëllait tjetër të tij, Gjergjit, më 28 mars 1999 në një fshat të Shkodrës, prej nga është me origjinë viktima, është mbajtur “mbledhja e baballarëve”, në të cilën morën pjesë: babai i viktimës, vëllai i viktimës Gjergj Kurti, Preng Frroku babai i Mark Frrokut (Besnik Morina), Bib Qafa babai i Lek Bib Qafës dhe Fran Ded Gjoka vëllai i Hilë Gjokës (Arjan Bytyçi).

Babai i autorit të katërt Nikoll Vuka nuk erdhi në mbledhje, pasi djali i tij Aleks Vuka (Besnik Vuka) nuk e konsideron veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, se kur erdhi ai, kishte vdekur. Pavarësisht nga mungesa e babait të Aleks Vukës, një borxh gjaku u vendos mbi të katër familjet, të cilat duhet të paguanin me një jetë, në mënyrë që të rivendosej paqja.

Sipas zakonit, një dënim i rëndë në Belgjikë do të konsiderohej si shlyerje e borxhit me jetë.Mbledhja konkludon në atë se arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurtit ishte një larje hesapesh lidhur me L.A, të ashtuquajtur “Lume”. Nikoll Kurti deklaron gjithashtu se, dy ditë para se ta vrisnin, Aleksandër Kurti i kishte telefonuar motrës së tij të madhe, duke kërkuar që kunati Ardian të merrte në telefon numrin 0495/942277 dhe të kontaktonte me njëfarë “Beni”.

“Në rast se kunati nuk do të fliste me Benin, dikush do të vdiste brenda 24 orësh”. Sipas tij, vëllai i tij Aleksandri kishte patur problem me Benin, ose Arben Frrokun, më të madhin e tre vëllezërve Frroku, tutor i prostitutave Lume, Mira dhe Zana.Pas disa ditësh, EU merr vesh nga Leka (Lek Bib Qafa) që, kur kishte ndodhur ngjarja, ai ishte bashkë me Aleksin (Besnik Vuka), Hilën (Arjan Bytyçi) dhe Markun (Mark Frroku).

Ai mendonte që edhe Arben Frroku ishte i pranishëm. Personi që ka qëlluar Aleksandër Kurtin ishte Aleksi (Besnik Vuka). Në mbrëmjen e asaj dite të katër ata u larguan nga Belgjika. Njëri u nis me tren drejt Gjermanisë, ndërsa tre të tjerët, përfshirë Lekën (Lek Bib Qafa), i çoi Fredi (Alfred Kola) në Itali. Pas kërcënimeve me vdekje nga Fredi në vijim të këtyre deponimeve, E.U kallzoi Alfred Kolën. Lek Bib Qafa u ka deklaruar shumë shqiptarëve se ka marrë shumën e 10 mijë dollarëve amerikanë për ekzekutimin e Aleksandër Kurtit.

Gjithmonë sipas deklaratave të Nikoll Kurtit, etërit raportuan se se ditën e ngjarjes ka patur një sherr mes viktimës dhe tre djemve të tyre në stacionin e trenit në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, me ton më të lartë dhe më pas ka nxjerrë një thikë. Shkaku i vrasjes është se lidhja mes viktimës dhe Lumes po kthehej më shumë se profesionale dhe mund të rrezikonte organizatën e trafikimit të qënieve njerëzore shqiptare nga Italia përmes Brukselit drejt Londrës.

Sipas Nikoll Kurtit, ky trafik organizohet në tre nivele. Niveli i parë: Koka e rrjetit është në Shqipëri. Niveli i dytë: Përgjegjësit e kalimit të klandestinëve në Itali, Bruksel dhe Londër. Niveli i tretë: zbatuesit e transportit.

Dëshmitarja: Edhe Arben Frroku i përfshirë në vrasjen e Belgjikës
E pyetur nga prokurorët belgë mbi vdekjen e Kurtit një tjetër dëshmitare deklaron se ka marrë një telefonatë nga tutori i saj “Leka” (Leb Bib Djafa), ditën e ngjarjes më 05.03.1999.
Në këtë telefonatë ai i kërkonte që të shkonte në apartamentin e tij që ndodhet mbrapa stacionit Gar du Midi. Duke qenë se ajo punonte të Charleroi, ajo arriti në Bruksel gjatë mbrëmjes. Kur u takuan, Leka i deklaroi që duhet të ikte nga Belgjika duke qenë se kishte marrë pjesë në një sherr në Midi dhe si pasojë një shqiptar kishte vdekur. Ata folën shumë pak pasi një person erdhi dhe e mori. Disa ditë më vonë vajza me inicialet E.U merr një tjetër telefonatë nga Leka dhe i shpjegon se çfarë kishte ndodhur. Ishte në shoqërinë e Aleksit (Besnik Vuka) Hilës (Arjan Bytyci) dhe Markut (Besnik Morina).  Por ajo beson gjithashtu që edhe Beni ka qenë me ta. Personi që e ka qëlluar me thikë Kurtin ishte Aleksi. Pas ngjarjes ata u larguan nga Belgjika, njëri iku me tren në Gjermani, ndërsa 3 të tjerë u shoqëruan nga Alfred Kola deri në Itali.

Sipas prokurorit belg: “Lek Bib Djafa u ka deklaruar shumë shqiptarëve se ka marrë shumën e 10 mijë dollarëve amerikanë për ekzekutimin e Aleksandër Kurtit”

dokumenti i frrokut


Dëshmia e prostitutës
E vetmja që nuk kërkoi anonimitet ishte prostituta E.U. Ajo deklaroi se në prill të vitit 1999 i kishte dhënë 182.650 franga belge Alfred Kolës si fitim nga aktiviteti i saj.Kjo shumë ishte derdhur në llogarinë e tutorit të saj Lek Bib Qafa.

Ky i fundit i kishte treguar më 5 mars 1999 se duhej të largohej nga Belgjika, pasi kishte ndodhur një sherr dhe ishte vrarë një shqiptar në stacionin jugor të trenit. Pas pak ditësh, ajo merr një thirrje nga Lek Bib Qafa, i cili sqaroi më tej se ishte bashkë me Aleksin (Besnik Vuka), Hilën (Arjan Bytyçi) dhe Markun (Besnik Morina). Ajo mendonte se kishte qenë i pranishëm edhe Beni (Arben Frroku).    

Dëshmi anonime
Aleksandër Kurti kishte patur marrëdhënie seksuale në një hotel me Jetën, të cilën nuk e njihte më parë. Por kjo i tregon se me kë jeton. Të dy shkojnë te rruga ku ajo dhe Lumja prostituoheshin dhe aty Kurti njeh Lumen. Duke u hequr si oficer i Interpolit, ai kërcënon këtë të fundit, që e kishte njohur më parë, se do të njoftonte familjarët e saj për atë se çfarë pune bënte ajo në Belgjikë. Ai merr nga Jeta edhe numrin e telefonit të Lumes.

Kjo e fundit lajmëron Markun, i cili organizon grupin me Lek Qafën, Aleks Vukshaj dhe Hilë Morinën. Ata nuk e dinin se ku strehohej Aleksandër Kurti. Por këtë e dinte Alfred Kola, i cili e thërret në takim Kurtin. Ai i tha se personat e sipërpërmendur dëshironin të flisnin me të lidhur me Lumen apo me Jetën. Kurti shkoi në takim i shoqëruar, por gjatë bisedës puna shkoi në sherr dhe ai u vra.

Bytyçi në Itali
Arjan Bytyçi mbërrin në Itali (Trieste) më 17 nëntor 2001 me identitet të rremë si Ilir Morina, lindur në Pukë më 2 shkurt 1965. Bashkë me një person tjetër SH.GJ, ai u hetua nga Gjykata e Pratos për shfrytëzim të prostitutës R.D dhe për një dosje tjetër, së bashku me Mark Frrokun, Arbenin, P.RR dhe G.P

Dënimi në Holandë
Besnik Morina alias Mark Frroku alias Piro Safrani (Sofrina) u dënua me tre vjet burgim nga gjykata në Amsterdam më 4 dhjetor 2002 për shkelje të ligjit për opiumin.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)