GJKKO konfirmoi masën e arrestit në burg ndaj Aleks Ndrekës, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Italia drejt vendit tonë, për llogari të Prokurorisë së Posaçme.
49-vjeçari i njohur ndryshe edhe si 'Leksi i druve' ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje”.
Ndreka u arrestua në Itali në qershor të vitit 2024, në aeroportin e Malpensës në Milano. Ai rezulton të ketë qenë disa herë shënjestër e sulmeve me armë zjarri dhe atentateve të dështuara ndër vite, përfshirë edhe një të planifikuar me dron.
Një nga këto atentate është ajo e vitit 2020, kur Ndreka u plagos në një atentat në aksin Lezhë-Laç. Edhe pse i plagosur, ai arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe të paraqitej vetë në spitalin rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndreka njihet gjithashtu për përplasjet me ish-deputetin socialist Arben Ndoka, konflikte që pasi informacioneve të dyshimta të Ndokës, Ardian Nikulaj dhe Deda kishin mundësuar futjen e Durim Bamit për të ekzekutuar vëllain e ish-politikanit, Aleksandër Ndoka.
Kjo armiqësi u zbulua për publikun, pasi Arian Tuku dhëndri i Ndokës, arrestua gjatë megaoperacionit në Itali, ku SPAK lëshoi 50 urdhër arreste. Tuku sipas SPAK, ka tentuar të vrasë “Leksin i druve”, ndërsa ka siguruar kushtet dhe për vrasjen e të “fortit” të Niklës, Durim Bami. Por përveç kësaj historie, “Leksi i Druve”, thuhet se ka patur rolin edhe për sigurimin e vendodhjeve të Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Genc Tafilit.
Komente









