Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të japë më 18 mars vendimin nëse dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë do të kalojë apo jo për gjykim.
Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli këtë të enjte shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.
Pas përfundimit të seancës, Monika Kryemadhi deklaroi se SPAK nuk ka prova dhe pjesa më e madhe e akuzave mbështetet vetëm në perceptime dhe indicie.
Sipas Kryemadhit, ndaj Ilir Metës nuk ka prova konkrete që ta lidhin me akuzat për korrupsion.
Nga ana tjetër, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, tha se mbrojtja ka kërkuar pushimin e çështjes ose në alternativë rikthimin e saj për hetim të mëtejshëm.
SPAK mbylli hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi më 28 korrik të vitit të kaluar dhe në fund të gushtit e dërgoi çështjen në gjykatë. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet në burg është Ilir Meta, i arrestuar në tetor të vitit 2024. Të gjitha kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë janë rrëzuar, përfshirë edhe një kërkesë të shqyrtuar së fundmi nga Gjykata e Lartë.
____________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Foto: Ilir Meta
Në seancën e sotme në GJKKO, ku gjyqtarja Irena Gjoka mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe caktoi 18 marsin si datën e vendimit nëse dosja Meta-Kryemadhi do të kalojë për gjykim ishte i pranishëm edhe ish Presidenti.
Burimet për Report Tv nga seanca thonë se Ilir Meta foli vetë para gjykatës dhe kërkoi pushimin e dosjes.
Ai refuzoi akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave me argumentin se ka bërë gjithmonë një jetë modeste.
“Kam bërë jetë thjeshtë dhe jo jetë luksi, nuk kam pirë verën as 33 mijë euro dhe as kam lëvizur me charter”, ka thënë Meta duke ironizuar Kryeministrin Rama.
Para gjyqtares ish Presidenti tha se shumica e shpenzimeve të tij, sidomos të udhëtimeve jashtë vendit, janë paguar nga shteti ose vendet pritëse, ku ka qenë si zyrtar.
“Në një vit kam marre 15 mijë euro dieta”, mësohet të ketë thënë ai.
Edhe pse në një sallë me ish bashkëshorten Kryemadhi, burimet thonë se Meta nuk pranon asnjë komunikim me të ndërsa në një moment i është drejtuar prokurorisë me kërkesën “mos më thoni në akuzë ‘çifti’ por ndryshojeni me ‘ish-çifti’, jam ndarë me këtë zonjën”.
Komente










