Gjykata e Lartë ka rrëzuar sërish rekursin e ish presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Meta kërkonte heqjen e masës së sigurisë, me pretendimin se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për ta mbajtur në qelitë e paraburgimit, por arsyetimet e ish-presidentit nuk u morën në konsideratë nga gjykata supreme.
Ndërkohë Gjykata e Posaçme përmbylli këtë të enjte seancën paraprake për Metën, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurit e tjerë dhe të mërkurën e ardhshme (18 mars ora 10:00) do të vendosë nëse e kalon ose jo për gjykim dosjen penale ndaj tyre.
SPAK mbylli hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit të vitit të kaluar, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash. I vetmi që ndodhet në burg nga të 5 të pandehurit është Ilir Meta, i arrestuar tetorin e vitit 2024.
____________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente












