Akuza i është komunikuar Pezës në Prokurori këtë enjte teksa ai ka qenë i shoqëruar nga avokati Ardian Visha.
Peza u hetua pas publikimit në media të informacioneve se ai kishte blerë afro 1 milion euro aksione pranë një banke të nivelit të dytë në vend.
Dy akuzat në ngarkim të Pezës janë ato për fshehje të ardhurash, dhe mos deklarim pasurie, ndërsa një javë më parë po Gjykata e Lartë rrëzoi akuzën e pastrimit të parave.
Për këto akuza u vendos dhe sekuestro prej 1 milonë euro të Alfred Pezës, aksione këto në një bankë të nivelit të dytë. Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi sekuestron sipas ligjit antimafia.
Por cilat janë akuzat zyrtare ndaj Pezës?
Siç dhe shihni në këtë faksimile të siguruar nga Report Tv ai është në akuzë për veprën penale fshehje të ardhurash parashikuar nga neni 180 i kodit penal, pastrim i produkteve të veprës penale parashikuar nga neni 287 i kodit penal dhe Refuzim për deklarim, mosdeklarim fshehje dhe deklarim i rremë pasurie parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
(Faksimile e Prokurorisë për marrjen e Pezës të pandehur)
Në përfundim të komunikimi të akuzës, deputeti Peza pati vetëm një “Faleminderit” ndërsa avokati i tij Visha u shpreh se këto akuza nuk qëndrojnë dhe se ata do fitojnë pafajësi në gjykatën e lartë.
Ndaj pasurisë në aksione të deputetit Peza dhe bashkëshortes së tij rëndon masa e sekuestro preventive vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda në zbatim të ligjit antimafia.
Do të jetë kolegji penal i Gjykatës së Lartë që do të gjykojë kërkesën e Prokurorisë për akuzat e ngritura ndaj deputetit Peza.
Peza rrezikon nga 6 muaj deri në 8 vite burg
Referuar Kodit Penal këto tre vepra kanë marzhë dënimi nga 6 muaj deri i në 8 vite dënim.
Por do të jetë Gjykata e Lartë që do të vendos fatin e pasurisë dhe deputetit socialist Alfred Peza.
Avokati mbrojtës, Visha: Çështjen e kam të fituar
Ardian Visha, avokati mbrojtës i Alfred Pezës, thotë se e ka të fituar çështjen në ngarkim të klientit të tij.
Sipas Vishës, Prokuroria nuk ka asnjë provë që bën me faj deputetin socialist.
“Ky rast nuk ka kënd që të qëndrojë në tokë. Prokuroria nuk ka asnjë provë. Për mua është rast i lehtë për tu fituar, pasi është i ndërtuar keq nga prokuroria. Çdo avokat do ishte i nderuar ta kishte si rast”, tha Visha.