“Dosja K” në Report Tv sjell rrëfimin e Dolores Kraja për torturat që i ati kaloi në burgje gjatë tre dënimeve të tij. Ajo zbulon dorëshkrimet e tij, ku ai ka rrëfyer arratisjen me varkë në gusht 1951, kur ai ishte vetëm 16 vjeç, kthimin e tij në atdhe si desant, arrestimin dhe pastaj vuajtjet në kampet burgje si këneta e Vlashukut, në kamp burgun e Shtyllasit e më pas në kampin famëkeq të kënetës së Tërbufit..

Dolores thotë se babai i saj ishte një ëndërrimtar i madh i lirisë, por që në jetë njohu vetëm burgje e përndjekje.

Ajo thotë se mban mbi shpinë përmes emrit të saj, që ja ka vendosur i ati, gjithë dhimbjen e jetës së tij. Kur ajo erdhi në jetë, ai sapo e kishte mbyllur kapitullin e parë të burgjeve dhe emri që i erdhi ndërmend ishte pikërisht dhimbje. Babai i saj Ernesto ka njohur tre dënime gjatë diktaturës, një dënim para se Doloresi të lindte dhe dy dënime të tjera pasi ajo u bë 9 vjeç.

Ernesto ka lënë në shtëpinë e tij e tij një varg kujtimesh për gjithë çfarë ka kaluar në burgjet e komunizmit dhe Dolores i pasuron ato kujtime me përjetimet e saj. Në "Dosja k" ajo tregon vuajtjet e babait dhe këndvështrimin e saj, për çdo stacion të jetës së tij e të familjes së tyre.