Qeveria miraton udhëzimin/ Administrata shtetërore të heqë dorë nga rekurset në Gjykatën e Lartë me vlerë deri sa 40 paga minimale, lehtësohet stoku me 3800 dosje

Qeveria miratoi udhëzimin që detyron administratën shtetërore, të heqë dorë nga 3.800 çështje për të cilat kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër ish-nëpunësve që kanë fituar në 2 shkallët e drejtësisë deri në 40 paga minimale dëmshpërblim. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se vendimi u mor për të lehtësuar stokun me më shumë se 35 mijë dosje në Gjykatën e Lartë, që është shkaktuar kryesisht nga mungesa e gjyqtarëve që janë shkarkuar nga vettingu.

“Me këtë udhëzim, sapo të hyjë në fuqi, ne presim që Gjykata e Lartë të lehtësohet nga rreth 3800 dosje që presin të gjykohen, ndërkohë 1 mijë të tjera janë akoma në proçes. Prej katër vjetësh, stoku i dosjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Lartë, është raportuar si problematik. Ky stok dosjesh nuk lindi sot, ka egzistuar edhe në kohën kur Gjykata e Lartë funksiononte me kapacitet të plotë, por erdhi dhe u rëndua pas boshatisjes së Gjykatës së Lartë për shkak të proçesit të vetingut, ku nga 19 gjyqtarë, me dorëheqje, apo për shkak të largimit prej proçesit të vetingut, Gjykata e Lartë, për disa kohë ishte jo funksionale”, ka thënë Manja, duke shtuar më tej se tashmë situata ka ndryshuar, teksa në Gjykatën e Lartë ushtrojnë funksionet 13 gjyqtarë, ndërkohë që janë në proçes nga Këshilli i Lartë Gjyqësor edhe plotësimi i vakancave të tjera.

Sipas tij edhe me ndihmën e USAID, Gjykata e Lartë ka nisur lehtësimin e stokut, por megjithatë ai vazhdon të mbetet i lartë, ndërkohë që udhëzimi i miratuar nga qeveria, është një lehtësim i madh për punën e gjykatës. Manja ka sqaruar se udhëzimi ka të bëjë jo vetëm me administratën shtetërore, por edhe me shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, aty ku shteti ka mbi 50 përqind të aksioneve, apo të kuotave. Përgjithësisht rekurset nga duhet hequr dorë kanë të bëjnë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, me njohjen, apo vërtetimin e vjetërsisë në punë, apo në paditë me shpërblim dëmi.

Po ashtu udhëzohen të heqin dorë edhe nga paditë e tjera, ku pavarësisht kërkimeve shteti e ka humbur në të dy shkallët e gjykimit çështjen. Një grup tjetër do të jenë paditë që pavarësisht kërkimeve kanë ngelur pa objekt, apo paditë e tjera ku pavarësisht kërkimeve, nuk garantohet sukses në Gjykatën e Lartë për shkak të qëndrimeve unifikuese që kanë mbajtur kolegjet e gjykatës së lartë në të kaluarën.

Do të hiqet dorë edhe nga çështjet me natyrë administrative që kanë të bëjnë me ndryshim, shfuqizim, apo konstatim të pavlefshmërisë absolute të akteve administrative, apo kur detyrohet organi administrativ për të nxjerrë aktet.

“Kushti i vetëm për heqjen dorë nga rekurset, ka të bëjë me vlerën e disponimit të gjykatës. Në çdo rast vlera e disponimit të gjykatës nuk duhet të jetë më tepër se sa 40 fishi i pagës minimale”, ka shpjeguar Manja, i cili ka falënderuar për bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë për nxjerrjen e këtij udhëzimi Gjykatën e Lartë, Avokatin e Popullit dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Vendimi i plotë

U DH Ë Z I M PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR HEQJEN DORË NGA REKURSET E DEPOZITUARA NGA ADMINISTRATA SHTETËRORE NËN PËRGJEGJËSINË E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË PASHQYRTUARA NGA GJYKATA E LARTË, PËR DISA ÇËSHTJE ME NATYRË CIVILE DHE ADMINISTRATIVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 472 e vijues të Kodit të Procedurës Civile dhe të nenit 56 e vijues të ligjit nr.49/2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar, duke mbajtur në konsideratë stokun e çështjeve gjyqësore të prapambetura dhe numrin e lartë të çështjeve të reja që regjistrohen në Gjykatën e Lartë, ngarkesën e krijuar për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve efektivë në Gjykatën e Lartë, si dhe rëndësinë jetike të rritjes së efiçencës në sistemin e drejtësisë dhe zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, si një nga objektivat dhe prioritetet madhore të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

U DH Ë Z O N:

1. Administrata shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, heq dorë nga rekurset e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, kundër vendimeve të gjykatave të apelit dhe të Gjykatës Administrative të Apelit, për çështjet me natyrë civile dhe administrative me objekt:

a) zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin nga marrëdhëniet e punës, në të cilat administrata shtetërore, në përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, shfaqet në cilësinë e punëdhënësit, kur gjykata e apelit apo Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka vendosur pranimin e padisë dhe përmbushjen e detyrimit nga institucioni, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

b) njohjen/vërtetimin e vjetërsisë në punë, si dhe vërtetësinë/pavërtetësinë/njohjen e të dhënave të dokumentit (librezë pune, regjistër themeltar, listëpagesa, libër pagash, vërtetim e të tjerë);

c) shpërblimin për dëmet pasurore apo jopasurore, kontraktore ose jashtëkontraktore ndaj personave fizikë e juridikë, privatë, vendas e të huaj, kur gjykata e apelit apo Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka vendosur pranimin e padisë dhe shpërblimin e dëmit nga institucioni, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

ç) ndryshimin, shfuqizimin apo konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, të nxjerrë nga organi publik, kur plotëson një nga këto kushte:

i. Këto kërkime nuk janë të shoqëruar me kërkimin për shpërblimin e dëmit apo për shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, si dhe nuk dëmtojnë interesat pasurore të shtetit; ose

ii. Gjykata e apelit ose Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për pranimin e padisë dhe detyrimin e organit publik për shpërblimin e dëmit apo shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;

d) detyrimin e organit publik për të nxjerrë aktin administrativ për të kryer veprimin administrativ ose një veprim tjetër administrativ, kur plotëson një nga këto kushte:

i. Këto kërkime nuk janë të shoqëruara me kërkimin për shpërblimin e dëmit apo për shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, si dhe nuk dëmtojnë interesat pasurore të shtetit; ose

ii. Gjykata e apelit ose Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për pranimin e padisë dhe detyrimin e organit publik për shpërblimin e dëmit apo shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi.

2. Përveç çështjeve me objekt të cilësuar, sipas pikës 1, të këtij udhëzimi, administrata shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, heq dorë nga rekurset e paraqitura, përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi edhe për:

a) paditë e tjera, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt, të depozituara prej institucioneve të administratës shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, për të gjitha çështjet administrative dhe civile me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi, për të cilat gjykatat e apelit ose Gjykata Administrative e Apelit kanë vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë për rrëzimin e padisë;

b) paditë që, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt dhe vlerës së tyre, rezultojnë të kenë mbetur pa objekt, për shkak të shuarjes së rrethanave të çështjes;

c) paditë për të cilat, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt, gjykata e apelit apo Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për pranimin e padisë dhe përmbushjen e detyrimit dhe/ose shpërblimin e dëmit nga organi publik, në vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi, i cili është ekzekutuar plotësisht dhe që plotëson një nga kushtet e mëposhtme:

i. Çështja është humbur nga organi publik në të dyja shkallët e para të gjykimit; ose

ii. Çështja vlerësohet si e pafitueshme, nisur nga vendimet unifikuese/njësuese të kolegjeve të bashkuara ose të kolegjeve të veçanta.

3. Rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij udhëzimi, zbatohen edhe nga shoqëritë tregtare me mbi 50% kapital shtetëror, aksionet ose kuotat e të cilave zotërohen nga institucionet e administratës shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.

4. Heqja dorë nga rekursi, sipas këtij udhëzimi, bëhet vetëm në rastet kur Gjykata e Lartë nuk ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.

5. Heqja dorë nga rekursi bëhet me shkrim, sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin procedural civil dhe administrativ, pasi organi administrativ ta ketë arsyetuar atë në bazë të një prej rasteve të parashikuara në dispozitat e këtij udhëzimi.

6. Në rastet kur institucioni përfaqësohet nga Avokatura e Shtetit, kjo e fundit shqyrton kërkesën e institucionit ndërgjyqës për heqjen dorë nga rekursi, përpara se ajo të dorëzohet pranë Gjykatës së Lartë. Në rast se edhe Avokatura e Shtetit konstaton rrethanat e heqjes dorë, sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi, ajo vijon me paraqitjen e kërkesës për heqjen dorë nga rekursi pranë Gjykatës së Lartë.

7. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore dhe shoqëritë tregtare me mbi 50% kapital shtetëror, aksionet ose kuotat e të cilave zotërohen nga institucionet e administratës shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, për zbatimin e këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat