Kompensimi i ish-pronarëve ka hyrë në dekadën e katërt dhe përmbyllja e këtij procesi duket ende e largët. Ministria e Drejtësisë kërkon edhe katër vite kohë shtesë për Agjencinë e Trajtimit të Pronave për shqyrtimin dhe kompensimin e pronarëve.
“Qëllimi i projektaktit të propozuar është rihapja e afatit të shqyrtimit të kërkesave në rrugë administrative nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronës deri në vitin 2027 dhe shtyrja e afatit për shpërndarjen e vlerës së kompensimit financiar deri në vitin 2028”, thuhet në relacionin e projektligjit të hedhur në Konsultim Publik nga Ministria e Drejtësisë.
Afati i lënë për Agjencinë e Trajtimit të Pronave për shqyrtimin e dosjeve sipas ligjit të “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i rishikuar në 2022-shin ishte 31 dhjetori 2024, por ende në proces shqyrtimi janë 5862 dosje dhe 1197 praktika, në total 7059, nga të cilat 705 të rikthyera për trajtim.
Gjatë këtyre viteve ATP ka marrë vendim për 115 dosje ose 1.6% të kërkesave ende të patrajtuara, ndërsa ka filluar procedurat e njoftimit për plotësim dokumentacioni për rreth 2900 kërkesa për njohje pronësie ose 41.4% të dosjeve/praktikave.
Në relacion thuhet se duke marrë në konsideratë që koha e marrjes së një vendimi për këtë proces zgjat nga 3 deri në 6 muaj për dosje, afati i caktuar në ligjin e 2022 nuk mund të realizohet, pasi deri në fund të këtij viti mund të mbyllen vetëm 10% e dosjeve të patrajtuara.
Në relacion listohen edhe 5 arsye për mosrespektimin e afatit, nga procedurat ligjore, tek mungesa e stafit e deri tek pezullimi 3 muaj i veprimtarisë së ATP-së nga Gjykata Kushtetuese teksa shqyrtonte kushtetutshmërinë e ligjit.
Ministria e Drejtësisë propozon që deri në fund të 2027-ës të përmbyllet shqyrtimi i mbi 5 mijë dosjeve dhe brenda 2028-ës të ekzekutohen vendimet dhe të bëhen kompensimet. Ndërsa vlera financiare e kompensimit mbetet 50 miliardë lekë, pasi ndryshon vetëm afati i procesit por jo kostot.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)