Avokati Fran Dashi është shprehur se Reforma në Drejtësi që u bë në Shqipëri ka sjellë problematika të shumta në proceset gjyqësore.

Gjatë fjalës së tij në një lidhje live në Report Tv, Dashi është shprehur se në gjykata ka një stok të madh dosjesh dhe proceset gjyqësore zvarriten jashtë çdo standardi.

“Reforma në Drejtësi solli largimin e shumë gjyqtarëve të niveleve të ndryshme të shkallëve të gjykimit. Një volum shumë i madh dosjesh ndodhen në Gjykatën Civile të Apelit në Tiranë dhe në Gjykatën Administrative të Tiranës. Sepse janë dy gjykata që gjykojnë pronat sipas objekteve që kanë.

Është fatkeqësi, ndërkohë që Shqipëria ka me dhjetëra avokatë, profesora me gradë shkencore, pedagogë të jashtëm dhe të brendshëm në Fakultetin Juridik dhe nuk i motivojnë për t’i graduar apo emëruar magjistratë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjyqtarët që kanë një eksperiencë më të madhe në gjykatat e Shkallës së Parë për t’i kaluar në Apel.

Kemi Gjykatën e Apelit të Tiranës, nëse nuk gaboj janë 30 gjyqtarë, në një kohë që duhet të ishin 86 gjyqtarë. Kush i pengon për t’i dërguar gjyqtarët? Ka mbingarkesë dosjesh në raport me numrin e gjyqtarëve që duhet të gjykojnë dosjet”, tha mes të tjerash Dashi.

Po ashtu Dashi tha më tej se numri i ulët i gjyqtarëve nëpër gjykata, pasi një pjesë e tyre kanë ikur pas procesit të vettingut, bën që mbingarkesa e tyre në shqyrtimin e dosjeve të jetë shumë e madhe.

Ai tha gjithashtu se problematikat më të mëdha vihen në re shqyrtimin e çështjeve të pronave, dosje të cilat sipas avokatit zvarriten për vite me radhë. Duke treguar rastin e tij personal, Dashi tha se një proces gjyqësor për një pronë në Shkodër i kishte zgjatur 22 vite.

“Në Gjykatën e Apelit, aty më shumë janë disa trupa gjykuese të fushës penale, pasi janë me afate paraburgimet, janë me afate ata që janë të arrestuar, masat e sigurimit, mos-kompetencat. Dhe ky grup i vogël prej 27 apo 30 gjyqtarësh janë të ngarkuar deri aty sa nuk mund t’i kërkojë kush llogari. Mund të bësh sot një gjyq në Gjykatën e Apelit dhe pas 5 muajsh zbardhet një vendim. Unë kam një pronë në Shkodër, e kisha filluar që në vitin 1996 dhe kam mbaruar punë në vitin 2018. Duke qenë vetë në fushën e jurisprudencës”, vijoi më tej Dashi.