Dosjet/ Tri skenarët e Enver Hoxhës për të eliminuar ish-mbretin. Pse Zogu refuzoi marrëveshjen për bashkimin me Kosovën. Bello: E vërteta mbi 2.5 ton ar të vjedhur!

Jo vetëm i përgjuar, por armiku numër një, i regjimit komunist dhe vetë diktatorit Enver Hoxha. Pas deklasifikimit të dosjeve, të pasqyruar në botimin e tij “Mbreti Zog dhe Fan Noli”, Hasan Bello, zbulon se si ish-Sigurimi e përndoqi ish-mbretin Zog, prej tetorit të ’45-ës, për të zbuluar veprimtarinë e tij të emigracionit politik e më gjerë, deri edhe për ta shfarosur atë.

“Ka pasur tre skenarë për eliminimin fizik të mbretit Zog. Skenari i parë ishte me armë. Agjentë të Sigurimit të Shtetit në Paris, kërkonin të gjenin një automatik për ta eliminuar fizikisht, por Enver Hoxha dhe qeveria komuniste e Tiranës, kishte frikë se kjo do të ngjallte një reagim shumë negativ në opinionin publik ndërkombëtar. Dhe skenari i dytë është përmes helmimit me ushqim, planifikohej që të eliminohej e gjithë familja mbretërore, edhe i biri Leka Zogu edhe familja, edhe bashkëshortja mbretëresha Geraldinë. Dhe skenari i tretë është që të gjendej një person, që të njihte mbretin Zog në Francë, dhe me anë të mjekut ai përsëri të helmohej me anë të medikamenteve të ndryshme”, thotë studiuesi Hasan Bello.  

Ndonëse kundër regjimit, pas largimit, ish-mbreti vijoi të mbështeste Luftën kundër nazifashizmit. Ekzistenca e shtetit shqiptar për të përbën prioritet, sipas historianit edhe mbi qëndrimet e tij reale.

“Sigurisht mbreti Zog, në këtë periudhë për shkak të Konferencës që u mbajt në Paris në 1946 por edhe në Konferencën e San Franciskos, mbreti Zog do të mbështeste regjimin komunist të Tiranës, për shkak të pretendimeve që Greqia do të kishte ndaj Shqipërisë. Pra, karshi Greqisë dhe pretendimeve territoriale që ajo kishte, për copëtimin e Shqipërisë së Jugut, Mbreti Zog thoshte më mirë të qëndrojë Enver Hoxha dhe komunistët në pushtet, sesa të copëtohej Shqipëria. Jepte përparësi interesit kombëtar, para atij personal”, shprehet më tej.

Mbreti Zog, edhe përmes komitetit “Shqipëria e vërtetë”, synonte bashkimin e vendit me Kosovën, por siç tregon Bello, faktet diktojnë, se ai nuk ishte i gatshëm të bënte asnjë lloj marrëveshje, që përfshinte copëzimin e vendit.

“Pavarësisht se ishte i vetëdijshëm se projekti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ishte i vërtetë, ai loboi tek fuqitë e mëdha për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe kundër regjimeve të tyre komuniste. Nga informacionet që agjentët pranë Zogut, dërgojnë në Tiranë pranë Sigurimit të Shtetit, ata shkruajnë se mbreti Zog kishte refuzuar një ofertë që i kishin bërë britanikët për t’i dhënë Greqisë, Korçën dhe Gjirokastrën, përkundrejt bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Ai i konsideronte këto si një fëmijë i vetëm. Thotë se Korça dhe Gjirokastra, janë si një fëmijë i vetëm i Shqipërisë dhe ne nuk mund të bëjmë një shkëmbim territoresh për asnjë arsye me Jugosllavinë”, shton historiani.

Një nga historitë që përndjek mbretin Zog, është ajo e marrjes së buxhetit të shtetit, pas largimit në ’39-ën.

“Ajo që ka marrë mbreti Zog me vete, një pjesë shumë e vogël e buxhetit të shtetit, dhe pasurinë e vetë familjare. Ato pak para që iu morën buxhetit të shtetit u shpenzuan për mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe mbrojtjen e emigracionit politik shqiptar, në ato vite të vështira dhe pas Luftës së Parë Botërore, se ato kishin ngelur në mes të katër rrugëve në ato momente. Ndërsa pjesa dërrmuese e arit shqiptar, sigurisht që ndodhej në Itali në atë kohë, sepse Banka Kombëtare Shqiptare ishte gjysmë për gjysmë afërsisht me kapital shqiptaro-italian dhe thesari jonë ndodhej në Itali. Në momentin që Italia kapitullon, ai konfiskohet nga gjermanët dhe shkon në Berlin. Pastaj kur Berlini, pra Hitleri humb luftën, pushtohet nga anglo-amerikanët, ari thesari shqiptar konfiskohet nga britanikët. Prandaj qeveria shqiptare pas ’44-ës vazhdimisht do të bëjë përpjekje diplomatike për rikthimin e arit shqiptar, të cilin britanikët nuk do ta kthejnë sepse ndodh incidenti i Korfuzit, në 1946, dhe për këtë arsye do të qëndrojë në Britani deri pas viteve ’90. “, tregon më tej studiuesi.

Edhe pse, diskutimet mbi arin e Shqipërisë të mbetur në Angli, zgjaten deri në dekadën e fundit, historiani shpjegon si është sot situata.

“Pjesërisht tashmë është zgjidhur kjo çështje, nëse flasim për vlera konkrete, është afro 2.5 ton ar, që ndodheshin në rezervat e Bankës në Itali”, shprehet Bello.

 

A.D/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Elbasan, punonjësi i bashkisë humbi jetën pasi u rrëzua nga vinçi, procedohet një drejtor dhe shpallet në kërkim përgjegjësi

Elbasan, punonjësi i bashkisë humbi jetën pasi u rrëzua nga vinçi, procedohet një drejtor dhe shpallet në kërkim përgjegjësi