Kjo trajtesë synon të fokusohet në trajtimin e pozicionit të mbajtur përgjithësisht nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, brenda këtij kuadri, të përcaktimit se sa realist ishte pozicionimi i tyre dhe i forcave politike që e nxitën atë.
Problemi nuk është i pa trajtuar. Por, për fat të keq, ai ende aty këtu ka mbetur në diskutim nga historiografia e huaj dhe, sidomos, diferencohet e shtrembërohet nga historiografia serbo-jugosllave, veçanërisht kur është fjala për shqiptarët e Kosovës dhe ata të viseve të tjera të aneksuara në ish Jugosllavi. Problemi ka qenë lënë pa trajtimin e duhur edhe nga historiografia shqiptare në të dy anët e kufirit (natyrisht me specifikat respektive), për shkak të pengesave të ndryshme objektive e subjektive, të cilat, në forma të reja gjatë gati 25 vjetëve të fundit, ende janë të pranishme.
Madje në këtë periudhë ka ndodhur që rishikime të bëra me paragjykime, pa njohuri, pa argumenta dhe pa seriozitetin e nevojshëm shkencor, shpesh për motive thjesht abuzive partiako-politike, të venë në pikëpyetje edhe konkluzione të padiskutueshme të arritura më parë, jo vetëm nga historiografia shqiptare por dhe ajo botërore. Natyrisht nuk kanë munguar, nuk mungojnë as këto ditë, përpjekjet për një trajtim objektiv, veçanërisht të thelbit të problemit.
Ato konfirmojnë se kombi shqiptar iu bashkua me një pjesëmarrje impresionuese koalicionit të madh antifashist, duke dhënë kontributin e vet jo të vogël, përkrah shteteve dhe kombeve që morën pjesë në të, se pozicioni i tillë i shqiptarëve ishte i vetmi që mund të zgjidhej për t’u shërbyer interesave kombëtare të perspektivës dhe se forcat politike dhe individët, që punuan për këtë alternativë, pavarësisht nëse ishin vizionarë të kthjellët idealist, apo pragmatistë të shkathët, në fund të fundit, realisht, kontribuan që aspiratave mbarëkombëtare, për një Shqipëri të lirë e të bashkuar, të mishëruara në programin e Rilindjes, të mos u mbyllej horizonti.
Duke u bashkuar me konkluzionin se kombi shqiptar ishte masivisht pjesëtar i koalicionit antifashist, unë do të mundohem të paraqes dhe argumentet e nevojshëm, çka besoj se mund të bëhet duke u dhënë përgjigje analitike një sërë pyetjesh:
Sa dhe si u inkuadrua kombi shqiptar përkrah Koalicionit Antifashist? A pati diferenca në këtë inkuadrim midis trevave të ndryshme shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve politikë të 1913-ës? Në se pati diferenca sa ishin ato dhe përse u krijuan? Sa ndikoi faktori ndërkombëtar dhe sa faktori shqiptar në vetvehte për krijimin e këtyre diferencave? Çfarë rrezikoi dhe çfarë fitoi kombi shqiptar duke u reshtuar në krah të aleancës antifashiste dhe a kishte realisht alternativë tjetër për të zgjedhur? Mund të shtroheshin edhe pyetje të tjera.
Le t’u përgjigjemi pyetjeve me argumente sa më të qëndrueshëm.
Së pari, sa dhe si u inkuadrua kombi shqiptar përkrah Koalicionit Antifashist?
Shqiptarët e kishin filluar rezistencën antifashiste qysh më 7 prill 1939. Gjashtë vjet më vonë, në nëntor 1944, kur Lufta e Dytë Botërore në viset shqiptare po përfundonte, në njësitë e armatosura të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, sipas të dhënave zyrtare, numëroheshin rreth 70 mijë partizanë, të inkuadruar në 24 brigada, përkatësisht në 8 divizione dhe 3 korparmata. Rreth 53 mijë luftëtarë të tjerë bënin pjesë në formacionet që ishin krijuar në Kosovë, të inkuadruar në 9 brigada dhe në njësi të tjera më të vogla. Ndërkohë për të dëshmuar sakrificat e bëra në luftën kundër pushtuesve fashistë janë publikuar shifrat: 28 mijë dëshmorë në Shqipëri dhe 6 mijë të tjerë në Kosovë; pa llogaritur dëmet e mëdha materiale në infrastrukturë, në degët e ndryshme të ekonomisë, në fondin e banesave etj.
Edhe pse disa nga të dhënat e mësipërme janë të kontestueshme edhe pse nuk dihet saktësisht sa vetë humbën jetën në vitet 1943-1944, nga lufta ndërmjet vetë shqiptarëve, edhe pse ende nuk është hulumtuar se sa ishte pjesëmarrja e pakicave etnike në përbërje të formacioneve partizane, veçanërisht në Kosovë, (në kuadrin e gjithë banorëve të trevave shqiptare pakicat ishin prezente jo më tepër se 10-12 për qind), përsëri mund të konkludohet se aktivizimi dhe sakrificat e kombit shqiptar prej afro dy milionësh, në të dy anët e kufirit të 1913-ës, përkrah koalicionit antifashist, ishin masive. Rreth 6 për qind e popullsisë së trevave shqiptare, ose rreth 25 për qind e meshkujve të aftë për armë, sipas të dhënave të sipërpërmendura, rezultojnë se në fund të luftës ishin të reshtuar me aleatët, kurse mijëra vetë humbën jetën në luftën kundër fashizmit.
Nëse do të llogarisnim edhe formacionet e tjera shqiptare të armatosura, që në raste të ndryshme, të organizuara ose spontanisht, luftuan, ose ishin gati të luftonin kundër fashizmit italo-gjerman dhe kundër aleatëve të tij të hapur ose të maskuar ballkanas, sikurse ishin p.sh. çetnikët serbo-malazezë, përqindja e shqiptarëve që luftuan e sakrifikuan për kauzën antifashiste, duke luftuar njëherësh për çështjen kombëtare, rritet dhe më tepër.
Por a nuk do të ishte e drejtë që si luftëtarë antifashistë të llogariteshin edhe shumë nga pjesëmarrësit e revoltave të dimrit 1944-1945 në Kosovë, ata të cilët s’kishin lidhje me kolaboracionizmin? Lufta e tyre, revolta e tyre u organizua për mbrojtjen nga terrori i çetnikëve të veshur me uniforma të partizanëve jugosllavë, i cili madje, filloi të ushtrohej masivisht, ende pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore.
Po kështu në radhët e të rënëve kundër fashizmit a nuk duhen numëruar edhe ushtarët shqiptarë të armatës jugosllave, që u nisën në luftë kundër trupave italo-gjermane më 6 prill 1941 dhe u vranë prapa krahëve nga oficerët e tyre serbë, mandej edhe të mobilizuarit e masakruar në Tivar, që shkonin në front kundër fashistëve, edhe ata që u zhdukën në Frontin e Sremit me urdhër të Shtabit Jugosllav, edhe shumica e të vrarëve në Drenicë, Ferizaj, Tetovë etj., nën etiketën “reaksionarë” e “ballistë”, të cilët ishin jo pak, por disa dhjetëra mijë? (Ndoshta 33 mijë deri 47 mijë vetë).
Atëherë shifrat zyrtare të përmendura më sipër do të lëviznin dukshëm dhe shqiptarët që luftuan kundër fashizmit real, për liri, të drejta kombëtare e demokraci, do të dilte se kanë përbërë ndoshta 9-10 për qind të popullsisë shqiptare, kurse të rënët ndoshta rreth 2 për qind të saj.
Natyrisht midis forcave të ndryshme politike shqiptare, që kishin në programet e tyre çlirimin nga pushtuesi fashist, ose midis segmenteve të tyre, kishte mjaft kontradikta. Ato krijuan edhe probleme të brendëshme e rajonale, për shkak rivalitetesh ose konceptimesh të ndryshme të situatave dhe, në këtë kuadër, pati edhe çoroditje, afrime e largime në tentativat për bashkëpunim, edhe orientime të gabuara, madje edhe përplasje, por kjo nuk ndodhi vetëm në Shqipëri dhe nuk përbën thelbësoren në tërësinë e angazhimit antifashist të kombit shqiptar.
Për të përcaktuar se kush veproi më drejt dhe kush ishte më i vyer për Koalicionin Antifashist, në konstelacionin e forcave shqiptare, një tregues i rëndësishëm është qëndrimi i aleatëve perëndimorë ndaj grupimeve të ndryshme të shqiptarëve, i mbajtur mbi bazën e seleksionimit të asaj që ishte më thelbësore për momentin, në morinë e çështjeve të ndryshme. Pa dyshim, më thelbësore atëherë gjykohej pjesëmarrja sa më aktive në luftë për shpartallimin e fashizmit. Kjo linjë e ndjekur nga anglo-amerikanët do t’i forconte pozitat e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar në Shqipëri (krijuar më 16 shtator 1942), të drejtuar nga PK Shqiptare, kundrejt Ballit Kombëtar (krijuar nëntor 1942) dhe Legalitetit (krijuar nëntor 1943) dhe, nga fundi i luftës, edhe të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kosovë.
(Në prill 1943 u krijua Shtabi i UNÇK, më 31 dhjetor Këshilli NÇKKP), kundrejt “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” (krijuar më 16 shtator 1943), pavarësisht nga situata komplekse e krijuar atje, ndër të tjera edhe nga PK Jugosllave që ishte caktuar të drejtonte lëvizjen antifashiste.
Ndonëse me mjaft influencë, këto, organizata nacionaliste, me pasivitetin në luftën antifashiste, ose me veprime jo sporadike (veçanërisht te dy prej tyre) të bashkëpunimit me pushtuesit, dolën gradualisht jashtë loje, duke zhgënjyer e çoroditur pasuesit e tyre dhe në rastin e Shqipërisë, duke i kontribuar monokolorit partiako-politik të pas luftës, kurse në rastin e Kosovës, duke i dhënë pretekstin regjimit të ri të Beogradit për terrorizmin shumëvjeçar të shqiptarëve. Nuk patën fat më të mirë as grupime më të vogla nacionaliste, si pasuesit e Muharrem Bajraktarit, dhe ata të vëllezërve Kryeziu, raste të cilat meritojnë një studim më të thelluar të veçantë.
Po sa ishte numri i atyre shqiptarëve nga organizatat kryesore të sipërpërmendura, që u kthyen në bashkëpunëtorë të pushtuesve, kundrejt atyre që u inkuadruan në Luftën Antifashiste? Pyetja nuk mund të marrë përgjigje të saktë, me gjendjen e deritanishme të studimeve, ndonëse shumica e studiuesve mendojnë se pjesa më e madhe e krerëve dhe mjaft aderues në këto organizata, rrëshqitën, pavarësisht nga arsyet, drejt kolaboracionizmit.
Si kudo në vende të ndryshme të Evropës së pushtuar nga fashizmi (madje kjo ndodhi edhe në vendet e papushtuara), edhe në trevat shqiptare, përveç forcave të rezistencës, apo forcave që u deklaruan të tilla, si edhe atyre që u përpoqën të qëndrojnë asnjanës, ekzistonte edhe kategoria e kolaboracionistëve të mirëfilltë, të cilësuar të tillë për shkak të raporteve të dukshme të bashkëpunimit me pushtuesit. Për ta thuhet se, pak apo shumë, për një kohë të shkurtër apo të gjatë, në rrethana të thjeshta apo të ndërlikuara, të mashtruar apo me ndërgjegje, u kanë shërbyer pushtuesve.
Por cilët duhen konsideruar kolaboracionistë të vërtetë?
Nëse do të llogariten kolaboracionistë vetëm ata që deri në fund të luftës i qëndruan pranë okupatorit duke i shërbyer verbërisht, atëherë kombi ynë mund të krenohet se kishte ndoshta numërin më të vogël në Evropë të kolaboracionistëve të vërtetë. Është domethënës fakti se ndryshe nga shumë kombe të tjerë të Evropës shqiptarët nuk dhanë trupa të armatosura që të luftonin përkrah divizioneve fashiste në frontet e mëdha të Lindjes ose të Perëndimit, madje as reparte, përveç ndonjë rasti të diskutueshëm, që të përdoreshin për të shtypur lëvizjen antifashiste të popujve fqinjë. Nuk morën thjesht as hak mbi pjesëtarët e kombeve, që deri në prag të Luftës i kishin shtypur e terrorizuar.
Rasti i Kosovës në vitet 1941-1944 dëshmon për këtë. Dihet botërisht se çfarë u ndodhi serbëve në Kroaci. Dihet gjithashtu se si qëndron në kuadrin e Jugosllavisë raporti i të rënëve në luftë kundër fashizmit me të vrarët nga përplasjet e brendëshme nacionale e politike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët jo vetëm nuk i ranë kujt në qafë për llogari të fashizmit, por, duhet theksuar, se në trevat shqiptare, hebrenjtë e Ballkanit gjetën një strehë të paimagjinuar, kurse lëvizja antifashiste e kombeve fqinje gjeti më tepër se një prapavijë të sigurt. Tipik është rasti i lëvizjes antifashiste të popullit maqedonas, i cili terrenin kryesor ku u zhvillua e pati në trevat shqiptare, ku jetonte edhe popullsi maqedonase.
Në vijim të pyetjeve, që u parashtruan, fillimisht do të shtonim se inkuadrimi masiv i shqiptarëve në krahun e koalicionit antifashist nuk përjashton ekzistencën e diferencave gjeografike dhe sociale lidhur me kohën dhe përmasat e këtij inkuadrimi. (Në veri lëvizja ishte më e dobët se në jug, në Kosovë hezituese dhe e vonuar, krahasuar me Shqipërinë). Këto diferenca, sikurse dihet, lidheshin me faktorë të ndryshëm e të shumtë, ndër të cilët si faktorë të brendshëm rol të konsiderueshëm luanin niveli i zhvillimit ekonomik-shoqëror rajonal, tradita e organizimit, niveli i arsimimit, influenca e forcave të ndryshme politike, pozicioni gjeografik në kuadër të trevave shqiptare, përbërja etnike, ekspozimi përballë rrezikut që vinte nga formacionet terroriste të kombeve fqinj etj.
Vonesa, për shembull, e shqiptarëve të Kosovës për të hyrë në veprim, lidhet me kushtet e tyre specifike, përkatësisht me gjendjen e tyre të padurueshme të paraluftës, që kishte keqësuar seriozisht raportet shqiptaro-sllave, për pasojë me situatën më të mirë nën pushtimin e ri fashist, që krahasuar me të kaluarën përjetohej si çlirim e bashkim me shtetin amë, mandej lidhej me rrezikun e vazhdueshëm çetnik serbo-malazez gjatë gjithë periudhës 1941-1944, lidhej me politikën tendencioze shovene të PK Jugosllave, që drejtonte atje lëvizjen antifashiste, por që në fakt, me politikën që ndoqi, pengoi përfshirjen e shqiptarëve në të etj. Faktorët e përmendur janë të njohur, po ashtu edhe pasojat që ata sollën.
Duhet nënvizuar se në rrethanat e kohës faktori ndërkombëtar, përkatësisht situata në Ballkan dhe objektivat perspektive në rajon të Fuqive të Mëdha Perëndimore Evropiane e Botërore, pjesëtare të Koalicionit Antifashist, nuk ishin të favorshme për shqiptarët. Kjo nuk mund të mos ndikonte që në vise të ndryshme shqiptare, veçanërisht në ato që kishin vuajtur nën zgjedhën e huaj pas vitit 1913, në shtresa të caktuara të popullsisë dhe në forca të caktuara politike, të mungonte, apo të mos gjendej motivimi i nevojshëm, për t’u hedhur pa rezerva në veprim kundër pushtuesve fashistë.
Njohja në dhjetor 1942 e Luftës sonë Çlirimtare Antifashiste nga Britania e Madhe, ShBA dhe BRSS, nuk garantonte në rastin më të mirë, më tepër se ekzistencën e Shtetit Shqiptar të paraluftës. Mosnjohja e kufijve të ndryshuar si rezultat i pushtimeve të shteteve fashiste, të cilat propagandonin se për shqiptarët kishin bërë një korigjim të padrejtësive të së kaluarës, dhe me ndryshimet kufitare në Ballkan dhe me masa të tjera, në fakt kishin ndikuar në përmirësimin e gjendjes së tyre në Kosovë etj., mandej prononcimi i mjergullt i PK Jugosllave për të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje pas luftës, ndërkohë që shqiptarët kërkonin t’u pohohej qartë dhe menjëherë se do t’u jepej mundësia të realizonin aspiratën e tyre për t’u bashkuar me Shtetin Shqiptar, për më tepër hapat e PKJ në drejtim të kundërt, në favor të ruajtjes së Jugosllavisë në kufijtë e paraluftës (shih vendimet e Jajcës, nëntor 1943) e deri pengesat për zhvillimin e lëvizjes antifashiste në Kosovë etj., ishin elementë që nuk mund të kapërceheshin lehtë nga kushdo.
Siç shihet, në situatën që ekzistonte, reshtimi në një koalicion ku merrnin pjesë serbët dhe përgjithësisht sllavët, të dëshmuar më se një herë si armiq të kombit shqiptar, për më tepër me pikëpamje të njësuara antishqiptare në të gjithë spektrin e tyre partiako-politiko-ideologjik, madje reshtimi kundër italo-gjermanëve, me kontribut në të kaluarën për njohjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, të llogaritur aleate të natyrshëm të shqiptarëve në rrethana normale, kërkonte largpamësi dhe guxim dhe një politikë të zhveshur nga nacionalizmi primitiv në raport me minoritetet etnike e kulturore, që jetonin në trevat shqiptare. Troç, përzgjedhja e aleatëve kërkonte një vizion sa idealist aq dhe pragmatist perspektiv, duke peshuar mirë raportin e forcave në arenën ndërkombëtare dhe duke studjuar strategjinë globale të Fuqive të Mëdha perëndimore, që ishin shpirti i koalicionit antifashist.
Sot është vështirë të pohohet sa rastësisht, ndikuar nga elementë të traditës ose të momentit, apo sa në sajë të vizionit të qartë e llogaritjeve të sakta, të elitës drejtuese të forcave politike shqiptare, shumica dërmuese e shqiptarëve u reshtua në koalicionin antifashist. Sidoqoftë, të majtët e të djathtët e spektrit politik shqiptar të kohës, apo komunistët dhe nacionalistët, që u mirëkuptuan për të luftuar fashizmin, edhe pse të gjithë e synonin pushtetin pas luftë, edhe pse niseshin nga pikëpamje të ndryshme për ndërtimin e Shqipërisë së pasluftës, duke e konceptuar me një regjim si në BRSS, ose me një regjim si në demokracitë perëndimore, edhe pse shpreheshin shumë apo pak për çështjen e një Shqipërie në kufitjë e natyrshëm etnikë pas luftës, duket se kishin kuptuar se nuk kishte alternativë tjetër përveç bashkimit me koalicionin antifashist. Në të kundërt pasojat negative do të ishin të pashmangshme dhe të paparashikueshme.
Nuk mund të ishin realiste pikëpamjet për pasivitet e pritmëni, që të shmangeshin dëmet që sjell lufta. Është miopi të mendohet se mund të luhej me aleatët e mëdhenj të koalicionit antifashist, duke shijuar në fund frutet e sakrificave të tyre, ndërkohë që ata, pa ndërprerje, kërkonin qartë e me këmbëngulje luftë aktive kundër trupave fashiste të pushtimit dhe linin të kuptohej se do të përkrahnin atë palë që luftonte. Pritmëria dhe pasiviteti ishin kundër strategjisë së Koalicionit Antifashist dhe në favor të Bllokut italo-gjerman që kursente forcat e veta në rajon për t’i angazhuar në frontet kryesore të luftës.
Nuk mund të ishte gjithashtu realiste politika e asnjanësisë që ndoqën disa atdhetarë kosovarë, për shkak të mosbesimit ndaj PKJ, që drejtonte luftën antifashiste në Kosovë. Kurse bashkëpunimi me pushtuesit, duke theksuar “kontributin e tij” për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, zgjidhje kjo as e plotë, as definitive dhe as pa probleme, ndërkohë që aleatët perëndimorë paralajmëronin se bashkimi me Fuqitë e Boshtit do të vinte në pikëpyetje pretendimet për të zënë një vend të merituar midis shteteve të lira të Evropës, në mos tradhëti kombëtare ishte një alternativë vetvrasëse. A nuk u ndëshkuan rëndë ata që dolën të mundur nga Lufta e Dytë Botërore? A nuk pësojnë gjithnjë të mundurit?
Koha provoi se demokracitë perëndimore me shumë probleme të brendëshme pas Luftës së Parë Botërore, u ndodhën njëherazi përballë potencialeve ekonomiko-ushtarake dhe ideologjike të rrezikshme të diktaturave të së majtës dhe së djathtës ekstreme, përkatësisht regjimeve komuniste e fashiste në BRSS, Itali, Gjermani etj, të cilët mungesën e vlerave e kompesonin me propagandë jo pak efikase. Pasi dështuan fillimisht në përpjekjet për të eliminuar diktaturën bolshevike, të cilën vetëm arritëm ta pengojnë ta shtrihej përtej kufijve të dikurshëm të ish Perandorisë Ruse, pasi dështuan sërisht ne përpjekjet për t’i eliminuar regjimet komuniste e fashiste duke i përplasur midis tyre, demokracitë perëndimore, së fundi, me një politikë realiste, mjaft racionale, siç e provoi koha, bënë aleancë me BRSS kundër Boshtit Fashist, që ishte më i fuqishëm dhe më agresiv.
Pesë vjet më vonë, pasi fashizmi në pushtet ishte shpartalluar, filloi beteja kundër komunizmit, e ashtuquajtura “lufta e ftohtë”, e cila vazhdoi intensivisht për 45 vjet. Gjatë kësaj lufte demokracitë perëndimore ristrukturuan ekonominë, politikën sociale, politikën nacionale (p.sh. hoqën dorë nga kolonitë etj) dhe mbi këtë bazë përvetësuan më shumë shtresa të popullsisë, pra siguruan potenciale të mëdha dhe të ndërgjegjësuara ose cilësore, njerëzore.
Përzgjedhja e aleatëve që bënë përgjithësisht, apo masivisht, shqiptarët në vitet e Luftës së Dytë Botërore, edhe pse u pasua nga shtyrja në kohë e zgjidhjes së çështjes nacionale, apo çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, edhe pse kishte risk rrezikun për pavarësinë e shtetit shqiptar, si rezultat i forcimit të lobit serbo-jugosllav në radhët e elitës politike shqiptare, që drejtoi luftën antifashiste dhe mori pushtetin pas saj, edhe pse u pasua nga 45 vjet vuajtjesh dhe sakrificash, në të dy anët e kufirit politik, nga viktima, prapambetje përpjekje, për shkombëtarizim në Kosovë e më gjerë, ishte një përzgjedhje e drejtë, realiste.
Sot duket edhe më qartë se përcaktimi i shqiptarëve në krahun e koalicionit antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, hapi perspektiva për kombin shqiptar në tërësi. Kapërcimi i periudhës së diktaturës në Shqipëri dhe i sundimit kolonial serb në Kosovë, kanë krijuar aktualisht të gjitha shanset që ai të zhvillohet e të përparojë në të gjitha fushat, duke u rivlerësuar si faktor i rëndësishëm në Balkan dhe duke parë jo të largët edhe ditën e zgjidhjes së problemit të vet kombëtar, të mbetur pezull qysh më 1913, natyrisht në përputhje me standartet e kohës sonë.
Prej 17 shkurtit të vitit 2008 Kosova është e pavarur dhe sot e njohur nga 106 shtete, shqiptarët në Maqedoni po ecin hap pas hapi për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, situatë e shqiptarëve në Malin e Zi dhe në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë ka përmirësim krahasuar me dy dekada më parë, çështja came ka dale nga pluhuri i harresës. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Nuk ka arsye pra për të mos qenë optimist dhe për të mos besuar në të ardhmen.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Nëntor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)